28/10/2026
📍 Strasburg | Në Sesionin e Autoriteteve Lokale të Këshillit të Evropës🇪🇺
🇦🇱 Delegacioni shqiptar po merr pjesë në Sesionin e 51-të të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës. Në fokus të diskutimeve është raporti i monitorimit për Shqipërinë mbi zbatimin e Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore.
🗣️ Gjatë shqyrtimit të raportit dhe rekomandimeve të Kongresit, znj. Emiriana Sako, Kryetare e Shoqatës Kombëtare të Bashkive të Shqipërisë dhe e Bashkisë Durrës, si dhe z. Pjerin Ndreu, Kryetar i Bashkisë Lezhë, nënvizuan rëndësinë e forcimit të qeverisjes vendore në Shqipëri.
🔎 Në fjalën e saj, znj. Sako theksoi se rekomandimet vijnë në një moment të rëndësishëm, kur në vend po diskutohet një fazë e re e reformës administrativo-territoriale. Ajo vuri në dukje se sfida nuk lidhet vetëm me numrin e bashkive, por mbi të gjitha me forcimin e institucioneve vendore dhe aftësinë e tyre për t’u shërbyer qytetarëve.
Ndër çështjet kryesore të theksuara ishin:
▪️ Forcimi i autonomisë financiare dhe përmirësimi i formulës së shpërndarjes së transfertave për bashkitë.
▪️ Konsultimi i mirëfilltë me bashkitë dhe komunitetet gjatë proceseve të reformimit.
▪️ Zhvillimi i kapaciteteve administrative dhe profesionale të administratave vendore.
▪️ Forcimi i demokracisë vendore, transparencës, llogaridhënies dhe pjesëmarrjes qytetare.
▪️ Mbështetja e rolit të bashkive në procesin e integrimit evropian dhe zbatimin e standardeve evropiane.
📌 Rekomandimet e Kongresit përbëjnë një pikë të rëndësishme referimi për diskutimin mbi vazhdimësinë e reformës administrativo-territoriale. Çdo ndryshim duhet të mbështetet në vlerësimin e përvojës së deritanishme dhe të synojë institucione vendore më të forta, me kompetenca të qarta dhe burime të përshtatshme.
🤝 Shoqata Kombëtare e Bashkive të Shqipërisë mbetet e angazhuar të kontribuojë në mënyrë konstruktive në këtë proces, në mbrojtje të autonomisë vendore dhe për një qeverisje më efektive, demokratike e pranë qytetarëve.
Adelina Farrici
Emiriana Sako
Pjerin Ndreu
Ervin Ceca
Eriselda Sefa
Ermira Urupi