19/09/2026
Ekspozita e talenteve të reja në Bashkinë e Maliqit
Sot paradite 19.09.2026, në sheshin para Bashkisë së Maliqit, u çel një ekspozitë e arteve pamore e 36 talenteve të reja, nxënës nga shkollat “Dhimitraq Gjata”, Rëmbec, si dhe “Neim Sertani”, Orman.
Autorët e punimeve prezanton krijimet e tyre, të cilat kishin fokus aspekte të ndjeshme si mbrojtja dhe mirëmenaxhimi i mjedisit në përgjithësi, apo mbi efektet që vijnë nga ndryshimet klimatike dhe ngrohja globale, nevoja për vënien në përdorim të energjive të rinovueshme etj.
Eventi u zhvillua dhe në kuadër të kalendarit të aktiviteteve që janë zhvilluar në vendin tone, në kuadër të Ditës Botërore të Ozonit.
Projekti “Miq të klimës - stafeta e artit dhe aktivizmit rinor” i realizuar nga Qendra “ABC Tirana Club kishte si qëllim nxitjen e gjallërimit të jetës kreative artistike mes talenteve të reja në Bashkinë Maliqit; t’u japë kurajo atyre që, krahas aksesit të prezantimit krijues në publik, të forcojnë zërin që të dëgjohet më shumë në problematikat me të cilat përballet komuniteti; të sensiblizonte pjesëmarrësit duke informuar dhe edukuar me vlerat evropiane, si dhe për rëndësinë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
Projekti rinor ishte një ofertë konkrete, për të zgjuar dhe nxitur të apasionuarit në pikturë, duke nxjerrjë në pah dhe ushqyerjen e pasionit të shprehjes me gjuhën e artit, si një mbështetje e mirëqenies aktive dhe të shëndetshme kulturore e sociale.
Më herët, ABC Tirana Club ka çelur ekspozita me talentet e reja dhe në Tiranë, Korçë, Berat, Kukës, Peshkopi, Mat, Klos, Dimal, Tepelenë, Gramsh e Memaliaj.
Organizata po përgatitet që një ekspozitë të ngjashme ta çelë së shpejti dhe me talentet e reja në Bashkinë e Bulqizës, po me mbështetjen e Agjencisë së Mbështetjes së Shoqërisë Civile.
Për ekspozitën në Maliq u bashkëpunua me Bashkinë dhe Qendrën Kulturore Komunitare “Dhimitër Orgocka”.
Talentet e reja punuan nën kujdesin e mësueses së arteve pamore Stela Hoxhallari.