09/23/2026
THIRRJE PËR RESPEKT, TOLERANCË DHE MIRËKUPTIM
Duke parë rrethanat e ditëve të fundit në komunitetin tonë, ndiejmë nevojën t’i drejtohemi gjithë komunitetit shqiptar me një thirrje për më shumë durim, respekt, tolerancë dhe mirëkuptim.
Kur shohim se polet dhe ideologjitë politike po shtyhen drejt ekstremeve të kundërta, shqetësues është fakti se bashkë me to po rritet edhe ndasia mes nesh, gjuha e vrazhdë, ofendimet dhe, në disa raste, edhe urrejtja.
Nuk duhet të lejojmë që dallimet politike të na bëjnë armiq mes vete.
Situata politike në Shqipëri duhet të zgjidhet nga vetë shqiptarët atje. Ne, si komunitet jashtë vendit, mund të ndihmojmë, të shprehim mendimet tona, të lobojmë dhe të protestojmë në bazë të parimeve që besojmë se janë më të mira për atdheun. Por, në fund, zgjidhja duhet të vijë përmes demokracisë dhe vullnetit të lirë të qytetarëve shqiptarë.
Vizita e fundit e Kryeministrit Rama ka trazuar shumë ujëra dhe ka sjellë reagime të ndryshme në komunitetin tonë. Prandaj, lusim për tolerancë.
Nuk kemi nevojë të fyejmë apo të ofendojmë njëri-tjetrin.
Ata që protestuan kanë të drejtë të protestojnë në bazë të parimeve dhe bindjeve të tyre.
Po ashtu, ata që vendosën ta mikpresin kanë të drejtë ta bëjnë këtë, ashtu siç e kërkon zakoni dhe tradita shqiptare. Në fund të fundit, nuk u prit një armik, por Kryeministri i Shqiperise i zgjedhur nga vetë populli.
Dhe këtu duam t’ju kujtojmë një ngjarje interesante nga historia jonë, që lidhet pikërisht me mikpritjen shqiptare.
Pas Lidhjes së Prizrenit, Perandoria Osmane u kundërvu asaj dhe dërgoi një ofensivë ushtarake nën komandën e Mehmet Ali Pashës, me synim që të pengonte lëvizjen dhe kërkesat shqiptare për territoret shqiptare në Mal të Zi dhe në Sanxhak.
Gjatë luftimeve, Mehmet Ali Pasha u detyrua të strehohej te Abdulla Dreni. Edhe pse shqiptar, Abdulla Dreni e priti në shtëpinë e tij. Ai nuk e dorëzoi të gjallë, por në përplasjen që pasoi, vdiq bashkë me armikun që kishte strehuar në shtëpinë e vet.
Kjo është një nga fytyrat e traditës shqiptare: dera e shqiptarit nuk mbyllet për mikun.
Prandaj, mos ta gjykojmë njëri-tjetrin për mikpritjen.
Edhe zgjedhjet e fundit elektorale këtu në Michigan na dëshmuan se sa të ndarë dhe të përçarë jemi bërë. Nga kandidatët shqiptarë që garuan, vetëm njëri ka mbetur ende në garë. Kjo duhet të na bëjë të reflektojmë.
A kemi filluar ta vendosim ideologjinë politike mbi atë që na bashkon si shqiptarë?
Ne jetojmë në një vend ku liritë dhe bindjet politike respektohen. Secili ka të drejtë të jetë demokrat, republikan, liberal, konservator apo të ketë çfarëdo bindjeje tjetër politike.
Por lusim çdo shqiptar: nëse nuk mund ta ndihmosh një shqiptar, të paktën mos i dëshiro të keqen vetëm sepse ai ka bindje të ndryshme politike.
Nuk mund të kërkojmë unitet kombëtar në fjalë dhe, në të njëjtën kohë, të ushqejmë përçarjen mes nesh në çdo rast tjetër.
Në një kohë kur shumë zëra dhe media që janë kundër nesh përpiqen ta paraqesin kombin shqiptar keq, kur lufta dhe sakrifica për lirinë e popullit tonë përpiqen të njollosen e të cilësohen si krim, ne më shumë se kurrë kemi nevojë për dashuri, respekt dhe unitet.
Kemi nevojë ta respektojmë flamurin kuq e zi.
Kemi nevojë ta respektojmë emblemën e UÇK-së.
Kemi nevojë ta respektojmë historinë, sakrificën dhe gjakun e atyre që dhanë jetën për lirinë që gëzojmë sot.
Sepse, në fund, ne jemi një. Dhe përtej nesh, vetem njëri tjetrin kemi.
Mos ta harrojmë se dallimet politike janë të përkohshme.
Mos ta harrojmë se pushtetet ndryshojnë.
Mos ta harrojmë se partitë vijnë e shkojnë.
Por kombi mbetet. Flamuri mbetet. Gjuha mbetet. Historia mbetet.
Prandaj, si Shoqata Atdhetare “Kosova”, bëjmë thirrje për RESPEKT, TOLERANCË DHE MIRËKUPTIM.
Ftojmë të gjitha grupet shqiptare, shoqatat, organizatat dhe institucionet fetare që t’i bashkohen kësaj thirrjeje.
Të mos lejojmë që dallimet politike të na ndajnë deri në atë pikë sa të harrojmë se kush jemi.
Jemi shqiptarë.
Jemi një.
Dhe vetëm të bashkuar mund ta ruajmë dinjitetin, kulturën, historinë dhe të ardhmen tonë.
Shoqata Atdhetare “Kosova”
Michigan