19/08/2026
Një nismë që po mbështetet nga !
15 të rinj nisin rrugëtimin si Ambasadorë të Trashëgimisë Kulturore në Elbasan
Në kuadër të projektit “Nga vendimi në veprim – Rinia për mbrojtjen e Qendrës Historike të Elbasanit”, 15 të rinj nga Elbasani nisën rrugëtimin e tyre për t’u bërë Ambasadorë të Trashëgimisë Kulturore.
Përgjatë dy ditëve të trajnimit, ata u njohën me vlerat e trashëgimisë kulturore të qytetit, legjislacionin për mbrojtjen e saj dhe rolin që mund të luajnë të rinjtë në ruajtjen dhe promovimin e saj.
Më pas, njohuritë u vunë në praktikë përmes monitorimit në terren. Të rinjtë vizituan monumente të Qendrës Historike të Elbasanit, evidentuan problematika dhe diskutuan mbi nevojat për ndërhyrje dhe rëndësinë e përfshirjes së komunitetit në mbrojtjen e trashëgimisë.
Nga trajnimi në terren, nga njohja në veprim. Ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi për të rinjtë që do të kontribuojnë në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të qytetit të tyre.
Projekti zbatohet nga INAC – Rrjeti i Informimit dhe Qytetarisë Aktive, në kuadër të skemës së nëngranteve të CULTUR-AL, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga Qendra Kombëtare për Shërbime Komunitare (NCCS), në partneritet me qendrën Artivista.