Shoqata "Tradita"

Directions Website

Shoqata "Tradita" Shoqata për kulturë dhe art "Tradita" - Tetovë, angazhohet për kultivimin e veprimtarisë kulturore.

RUBRIKA - RRUGËTIMI KULTUROR I "TRADITËS"VEPRIMTARIA VIIISHOQATA “TRADITA” ORGANIZOI MANIFESTIMIN KULTUROR “LIDHJA NA BA...
22/10/2026

RUBRIKA - RRUGËTIMI KULTUROR I "TRADITËS"
VEPRIMTARIA VIII

SHOQATA “TRADITA” ORGANIZOI MANIFESTIMIN KULTUROR “LIDHJA NA BASHKON”

Tetovë, 10. 06. 2016 - Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” nga Tetova, në amfiteatrin e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës, e shënoi njërën prej datave më të rëndësishme të historisë së kombit tonë. Në 138 - vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, “Tradita” e organizoi edicionin e tretë me radhe të Manifestimit kulturor tradicional “Lidhja na Bashkon”.
Në këtë mënyrë, jo vetëm që e përkujtoi këtë datë të historisë sonë të lavdishme, por njëkohësisht i promovoi edhe vlerat kulturore të popullit tonë. Manifestimin e shpalli të hapur kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita” - Selam Sulejmani, i cili para pjesëmarrësve në këtë aktivitet kulturor theksoi se në historinë e kombit tonë ka disa data që kanë shënuar epokë. Njëra prej tyre, pa dyshim është edhe Lidhja e Prizrenit, e mbajtur më 10 qershor të vitit 1878.
“Në 138-vjetorin e saj, ne sot të gjithë së bashku e shënojmë dhe e përkujtojmë këtë ngjarje historike nga më të rëndësishmet, e cila e dha kushtrimin e parë për bashkimin e shqiptarëve rreth idesë së kombit. Ishte Lidhja e Prizrenit që ideoi lëvizjen e Rilindjes Kombëtare për lirinë e kombit shqiptar dhe për konsolidimin e Shqipërisë. Sot e kujtojmë veprimtarinë e rilindësve tanë, të patriotëve të vërtetë dhe të intelektualëve të mirëfilltë që e zgjuan kombin për të punuar për të ardhmen e tij, për ta shkruar gjuhën shqipe, për të hapur shkolla dhe për t’u bërë gati për realizimin e ëndrrës shekullore, për një Shqipëri të lirë dhe të pavarur” - tha Selam Sulejmani.
Ai në fjalën e tij nënvijëzoi po ashtu se pas Lidhjes së Prizrenit dhe pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, historia shqiptare hyri në një fazë të re dhe se për këto si dhe për zhvillimet e mëvonshme historike, e kanë thënë fjalën e tyre studiuesit e historiografisë sonë kombëtare. Për rëndësinë historike të Lidhjes së Prizrenit, për ngjarjet dhe zhvillimet kronologjike që i paraprinë organizimit të saj si dhe për efektet e saj në rrjedhat e më vonshme historike, para të pranishmëve, e paraqiti referatin e tij tematik - Prof. Dr. Nebi Dervishi.
Prof. Dervishi u shpreh se njëqind e tridhjetë e tetë vjet më parë, më 10 qershor 1878, në ditët e stuhishme të Krizës së madhe lindore, kur re të zeza ishin grumbulluar mbi qiellin e Shqipërisë, në qytetin e lashtë të Prizrenit u themelua organizata e parë e lëvizjes sonë kombëtare me karakter politik gjithëshqiptar, e cila me emrin Lidhja shqiptare ose Lidhja e Prizrenit ka hyrë në histori si një ngjarje e madhe historike, duke bërë një kthesë vendimtare në luftën për çlirimin kombëtar të popullit shqiptar dhe e cila, me rrjedhimet e saja objektive ndikoi mbi të gjitha periudhat e mëvonshme.
“Lidhja Shqiptare e Prizrenit, 138-vjetorin e së cilës e përkujtojmë sot dhe veprimtaria e saj në katër vitet e stuhishme të Krizës lindore, zë një vend nderi në panteonin e historisë. Ajo përbën një nga momentet kulmore e kthesë në historinë e lëvizjes kombëtare çlirimtare shqiptare, ku mbarë populli ynë u hodh në rrugën e guximshme të luftës së armëve e të mendimit për të flakur tej zgjedhën e huaj, për të siguruar të drejtën e tij themelore për liri e tokë, për drejtësi e përparim.
Ajo përbën një nga ato ngjarje që i rrëmbejnë masat me thirrjen “Ja vdekje, ja liri”, i çojnë në barrikada, i bëjnë të marrin me vete vuajtjet dhe flijimin, për t’i çarë rrugë të reja së ardhmes, me bindje se, në mos vetë, do të jenë brezat e porsalindur që do të korrin fitore. Sot, kur po përkujtojmë këtë 138-vjetor të Lidhjes së Prizrenit, të gjithë shqiptarët në tërë rruzullin tokësor, me mirënjohje i japin vendin e nderit kësaj ngjarjeje kulmore dhe veprimtarëve të shquar të saj”, u shpreh profesor Nebi Dervishi.
Parë nga prizmi historik, ai më tej theksoi se “Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte organizata e parë politike dhe ushtarake mbarëshqiptare me frymëzim patriotik, e themeluar në Prizren më 10 qershor 1878, në kushtet e sundimit osman dhe të Krizës lindore, të viteve 70 të shek. XIX. Ajo mori përsipër të zgjidhte tri detyra themelore që shqetësonin në atë kohë opinionin e mbarë shqiptarëve: të afirmonte në arenën ndërkombëtare kombin shqiptar, si subjekt i të drejtave kombëtare; të kundërshtonte copëtimin e trojeve etnike shqiptare, të vendosur në Kongresin e Berlinit (13.06-13. 1878), në favor të monarkive fqinje ballkanike; dhe të realizonte bashkimin e mbarë trojeve autonome në kuadër të Perandorisë Osmane, si hap i parë për të krijuar shtetin shqiptar të pavarur dhe demokratik. Para formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shqiptarët kishin zhvilluar një mori kryengritjesh kundër zgjedhës osmane, por Porta e Lartë nuk kishte pranuar asnjë nga kërkesat e tyre kombëtare”, tha ndër të tjera historiani Nebi Dervishi.
Në përfundim të referatit të tij, ai nënvizoi se Lidhja e Prizrenit, me veprimtarinë e saj të shumanshme, provoi botërisht jo vetëm ekzistencën e kombit shqiptar të cilën e patën mohuar në atë kohë, por edhe se ai ishte liridashës, përparimdashës dhe i vendosur për të mbrojtur të drejtat e tij për të krijuar shtetin kombëtar.
Në kuadër të programit të Manifestimit kulturor “Lidhja na Bashkon”, u promovua vepra “Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe çështja kombëtare sot”, e botuar nga Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” – Tetovë.
Në funksion të debatit shkencor, këndvështrimit të sotëm në raport me këtë ngjarje historike, Shoqata “Tradita” nga Tetova, vitin e kaluar (10 qershor 2015), e organizoi konferencën shkencore me temë “Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe çështja kombëtare sot”.
Në këtë aktivitet shkencor, studiuesit nga Republika e Maqedonisë, nga Republika e Shqipërisë, nga Republika e Kosovës dhe nga Kosova Lindore, e trajtuan në hollësi: luftën për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë; këndvështrimin e studiuesve shqiptarë dhe të huaj; programin arsimor dhe kulturor; rolin dhe kontributin e kolonive shqiptare; qëndrimin e shteteve fqinje; rolin e shtypit shqiptar dhe të huaj, si dhe teza të tjera të argumentuara nga aspekti shkencor.
Profesor Xhelal Zejneli, njëri nga redaktorët e librit, tha se vlera e këtij libri është e jashtëzakonshme, për arsye se në kumtesat e përfshira në të, trajtohet njëra prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë politike të kohës më të re të popullit shqiptar.
“Autorët e kumtesave të përfshirë në libër, vijnë pothuajse nga të gjitha trojet etnike shqiptare në Ballkan: nga Shqipëria, nga Kosova, nga Lugina e Preshevës, nga Maqedonia dhe nga Mali i Zi. Autorët e kumtesave janë persona kryesisht me tituj akademikë dhe ligjërues universitarë. Numri më i madh i tyre janë historianë të shquar, të cilët periudhën e Lidhjes së Prizrenit e kanë trajtuar me kompetencë. Në disa nga punimet që janë përfshirë në këtë vepër, periudha e Lidhjes së Prizrenit është shtjelluar në korrelacion të ngushtë me zhvillimet politike, ekonomike, sociale dhe kulturore në botën shqiptare, në faza të caktuara të shekullit XX, e sidomos në tre dhjetëvjeçarët e fundit”, vlerësoi profesor Xhelal Zejneli.
Në vijim të fjalës së tij, ai tha se në disa punime janë shtjelluar veprimtaritë kulturore dhe publicistike të rilindësve tanë, që i kanë prirë themelimit të Lidhjes.
“Është një studim që flet për veprimtarinë pedagogjike në rilindësve, që kishte ndikuar me të madhe në ndërgjegjësimin kombëtar të elitës politike dhe intelektuale të kohës, e cila në momentin historik vendimtar, do të vihet në krye të proceseve politike. Ka shkrime që dëshmojnë se puna e krerëve të Rilindjes kishte ushtruar ndikim ndërgjegjësues edhe mbi segmente të tjera të shoqërisë shqiptare. Në libër zbardhen me prova dhe argumente të reja edhe aktivitet kolosale të inteligjencies shqiptare nëpër kolonitë shqiptare në Stamboll, në Bukuresht, në Sofje, në Selanik, në Aleksandri, në Kajro, duke përfshirë më vonë edhe veprimin politik dhe publicistik të atdhetarëve tanë në Vjenë, në Bruksel, në Londër e deri në Boston të ShBA-së. Në këtë vështrim, është hedhur dritë edhe mbi korrespondencën midis arbëreshëve të Sicilisë dhe të Kalabrisë me rilindësit këndej Adriatikut, gjithmonë në funksion të bërjes së Shqipërisë në kufijtë etnikë”, theksoi profesor Xhelal Zejneli, redaktor i librit.
Shoqata për kulturë dhe art Tradita, në vitin 2014 e themeloi Çmimin kombëtar “Ali Vishko” dhe në përputhje me Rregulloren e saj, këtë çmim ua ndan personaliteteve nga vendi, rajoni dhe bota, në çdo përvjetor të Lidhjes së Prizrenit. Me rastin e shpalljes të laureatit të këtij viti, kryetari i shoqatës Selam Sulejmani deklaroi se pas shpalljes së konkursit dhe shqyrtimit të propozimeve të arritura, Komisioni përkatës i përbërë nga: Prof. Dr. Avzi Mustafa, kryetar, Doc. Dr. Salajdin Salihu, anëtar dhe Prof. Xhelal Zejneli anëtar, vendosi që Çmimi kombëtar “Ali Vishko”, për vitin 2016 t’i ndahet Prof. Dr. Remzi Nesimit, me motivacionin për veprimtari jetësore dhe të arritura të veçanta në fushën e shkencës, arsimit dhe kulturës shqiptare .
Kryetari i komisionit Prof. Dr. Avzi Mustafa e lexoi referatin për ndarjen e këtij çmimi, Prof. Dr. Remzi Nesimit. Në pasqyrimin e veprimtarisë së laureatit të vitit 2016, profesor Avzi Mustafa theksoi se bujare është pasqyra krijuese e njeriut-institucion, i cili ka një depozitë historike në albanologjinë, filologjinë, drejtshkrimin, gramatikën dhe në shumë nëndisiplina të tjera gjuhësore.
“Më se gjysmë shekulli, përkatësisht që nga vitet e 60-ta të shekullit të kaluar, me përkushtim e vetëmohim prof. Remziu ka punuar e po punon për ngritjen e përgjithshme arsimore e kulturore dhe të vetëdijes kombëtare të popullit shqiptar në Maqedoni e më gjerë, për të lëvruar, kodifikuar dhe përpunuar shqipen standarde.
Me një fjalë, me veprimtarinë e shumanshme, profesor Remziu po jep ndihmesë të madhe për të ngritur gjithnjë e më lart piramidën e përbashkët kombëtare. Gjuhëtari ynë ka përfaqësuar arritjet shkencore në fushë të shqipes në Maqedoni, duke marrë pjesë aktive në shumë tubime, seminare, simpoziume e konferenca shkencore të organizuara në vend dhe jashtë tij. Kështu, në Kongresin e Drejtshkrimit të gjuhës shqipe, ishte delegat dhe anëtar i komisionit organizues; bashkëkryetar i Konferencës shkencore për shënimin e 20-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, që u mbajt në Tetovë në qershor të vitit 1992; anëtar i Këshillit ndërakademik për gjuhën shqipe (themeluar në 27 tetor 2004 në Tiranë në mbledhjen e përbashkët të Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe të Kryesisë së Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës) etj”, tha mes tjerash kryetari i komisionit për ndarjen e çmimit të lartpërmendur.
Në mungesë të Prof. Dr. Remzi Nesimit, Çmimi kombëtar “Ali Vishko” iu dorëzua vajzës së tij, profesoreshës Valbona Toska, e cila njëherazi, para auditorit e lexoi letrën falënderuese të profesor Remziut, ku mes tjerash shkruante:
“Më lejoni që në mungesë të prezencës sime mes jush, t’ju drejtohem me shkrim. Ka vite që unë, për arsye shëndetësore, nuk marr pjesë në manifestime të ndryshme, e madje edhe nëpër ato që ndërlidhen me mua. Ka vite që, po për këtë arsye, nuk merrem me veprimtari shkencore. Me vite unë nuk kryej ndonjë detyrë që do të paraqiste motiv interesi për dikë. Dhe, përkundër kësaj, pikërisht në këtë periudhë, individë dhe institucione të ndryshme vijojnë të vlerësojnë punën time shumëvjeçare. Për këtë, të gjithëve u jam shumë mirënjohës.
Shumë mirënjohës jam edhe sot për Çmimin kombëtar ,,Ali Vishko”. Falenderoj nga zemra kryetarin e Shoqatës për Kulturë dhe Art ,,Tradita”, z. Selam Sulejmani, kryetarin e Komisionit për ndarjen e këtij çmimi, të nderuarin, prof. dr. Avzi Mustafa dhe anëtarët e tjerë të Komisionit. Ky çmim për mua do të mbetet shumë i veçantë për disa arsye. Është çmim që mban emrin e kolegut dhe mikut tim të vjetër! Më nderon shoqata nga vendlindja ime, të cilën e kam në zemër! Çmimi lidhet me ngjarjen e lëvizjes më të rëndësishme historike gjithëkombëtare, Lidhjen e Prizrenit!
I përshëndes të gjithë të pranishmit, ua uroj përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit, kurse Shoqatës i uroj ,,Tradita” të ngelë traditë e mirë”.
Po ashtu, në-138 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, Shoqata “Tradita”, për kontributin e veçantë në zhvillimin e kulturës, në kultivimin e traditave atdhetare, të gjuhës, të historisë, si dhe përkushtimin për arritjen e aspiratave kombëtare, u ndau mirënjohje : Festivalit ndërkombëtar të poezisë “Ditët e Naimit”, Bashkësisë Kulturore Shqiptare, Shoqërisë kulturore artistike “Xheladin Zeqiri”, Festivalit të folklorit burimor “Sharri Këndon”, Festivalit për fëmijë “Bletëzat”, Radio Shkupit, Klubit futbollistik “Shkëndija”, Teqesë “Harabati Baba” - Tetovë dhe Klubit të shkrimtarëve “Oeneum”.
Edicioni i tretë i Manifestimit kulturor “Lidhja na Bashkon”, përfundoi me programin artistik në të cilin performuan artistët e njohur: Elita Ziberi, Premtim Etemi, Shkëlzen Pajaziti, Dren Dervishi dhe Nuhi Musa.
Vlen të theksohet se Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” nga Tetova në vazhdimësi angazhohet në organizimin e seminareve, tribunave, tryezave të rrumbullakëta dhe tubimeve të tjera me karakter kulturor, shkencor, artistik dhe informativ.

https://tradita.org/2016/06/10/https-tradita-org-wp-admin-post-phppost701actionedit2/

https://www.youtube.com/watch?v=j1rQNJcwQL0

RUBRIKA - RRUGËTIMI KULTUROR I "TRADITËS"VEPRIMTARIA VIIShoqata për kulturë dhe art ,,Tradita” nga Tetova e shënoi tetëd...
07/09/2026

RUBRIKA - RRUGËTIMI KULTUROR I "TRADITËS"

VEPRIMTARIA VII

Shoqata për kulturë dhe art ,,Tradita” nga Tetova e shënoi tetëdhjetë vjetorin e lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare

Tetovë, 28.01.2016 - Shoqata për Kulturë dhe Art ,,Tradita” nga Tetova, me një orë letrare e shënoi tetëdhjetë vjetorin e lindjes së gjeniut të letërsisë shqipe, Ismail Kadare. Në këtë manifestim letrar morën pjesë intelektualë nga qyteti i Tetovës, profesorë dhe studentë nga Universiteti i Tetovës, përfaqësues të Sektorit për Kulturë nga Komuna e Tetovës, përfaqësues të shoqatave, shkrimtarë, poetë dhe mysafirë të tjerë.
Shoqata për Kulturë dhe Art ,,Tradita” nga Tetova, në mesin e shumë aktiviteve kulturore dhe ngjarjeve historike për kombin tonë, që ka shënuar, kësaj radhe në qytetin universitar e shënoi ditëlindjen e shkrimtarit Ismail Kadare, që e ka ngritur në piedestal letërsinë shqiptare, tha në fjalën e tij kryetari i kësaj shoqate, Selam Sulejmani. ”Kam nderin e veçantë që në emër të Shoqatës për kulturë dhe art ,,Tradita” nga Tetova, t’Ju uroj mirëseardhje në aktivitetin tonë, që e organizojmë me rastin e 80-vjetorit të lindjes së gjeniut të letërsisë shqiptare, Ismail Kadare. Që nga themelimi i shoqatës sonë, në vitin 2012, në 100 vjetorin e Shtetit Shqiptar, jemi angazhuar që të përkujtojmë ngjarje historike, personalitete të shquara të kombit tonë, si shënimin e përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit, Akademinë përkujtimore për Fan Nolin, Luigj Gurakuqin dhe Faik Konicën, Konferencën shkencore për veprimtarinë arsimore dhe shkencore të profesor Ali Vishkos, Konferencën shkencorë për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe Çështjen kombëtare sot, ndërkaq, sonte, të gjithë së bashku bëhemi pjesë e dhjetëra aktiviteteve kulturore e artistike që shënohen në mbarë hapësirën shqiptare, në nderim të ditëlindjes së shkrimtarit më të njohur ndërkombëtarisht, të krijuesit që e ngriti në piedestal letërsinë shqipe, e krijoi hartën e një kulture të tërë me përmasa universale. E festojmë ditëlindjen e shkrimtarit, sikurse thotë Teodor Laço, ,,Ismail Kadare dhe Nënë Tereza, janë lavditë që populli ynë i ka dhuruar botës”, tha Selam Sulejmani.
Sipas tij, Ismail Kadare nga personalitete të njohura botërore është cilësuar si shkrimtari më i madh shqiptar i epokës që ne e jetojmë. “Shkrimet e tij lidhen me historinë e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar dhe sjellin elemente të reja për lirinë, dinjitetin dhe të drejtat e njeriut në përgjithësi. Studiuesit e veprës së tij kanë theksuar se, Kadareja gjendet në kapërcyell të të dy botëve, dhe nga kjo rrethanë e jashtëzakonshme vepra e tij krijon akorde të fuqishme dhe të goditura, sikurse me të drejtë është vlerësuar si një mendimtar i madh në esetë e tij, dhe një qytetar me ndjeshmëri shumë të madhe përgjegjshmërie ndaj vlerave të kombit që e përfaqëson. Të flasësh për Kadarenë, sigurisht ndjehesh jo në lartësinë e duhur për të shprehur mendimin për veprën e jashtëzakonshme që ka krijuar ai, por ndjehesh kryelartë dhe krenar që jeton në shekullin e tij. Le t’i urojmë ditëlindjen gjeniut tonë kombëtar, sikurse besojmë se me rreth 1500 botimet e tij, të përkthyera në rreth 50 gjuhë të botës, Kadare, pas shumë e shumë çmimeve prestigjioze ndërkombëtare këtë vit do ta fitojë edhe çmimin që e meriton prej kohësh, çmimin Nobel për Letërsi, shtoi më tej kryetari i Shoqatës për Kulturë dhe Art ,,Tradita”, Selam Sulejmani.
Profesori Xhelal Zejneli, vlerësoi se për veprat e Kadaresë recensione janë botuar në revistat letrare më prestigjioze të metropoleve të botës, sikundër që edhe intervistave të tij u është dhënë dritë në gazetat dhe në revistat më me renome të rruzullit. “Që në fillim të krijimtarisë së tij, e quajtën ambasador të kulturës shqiptare në botë. Princi i kombit në letërsi ka botuar rreth pesëdhjetë vepra letrare dhe është përkthyer në dyzet e pesë gjuhë të botës, përfshi dhe gjuhën baske, ndërsa ka 1000 botime në botë. Është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe laureat i shumë çmimeve kombëtare. Më 1996 u pranua anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është nderuar me çmime prestigjioze për letërsi, si: më 1992 Prix Mondial Cino Del Duca; më 2005 Man Booker Internacional Prize, në Britani; më 2009 Premio Principe de Asturias de las Letras, Spanjë; më 2015 Jerusalem Prize, Izrael që do t’i dorëzohet në hapjen e Panairit Ndërkombëtar të Librit në Jerusalem në shkurt 2016. Më 1 janar 2016 presidenti i Francës, ia dha urdhrin Komandant i “Legjionit të Nderit”. Ka qenë kandidat i çmimit Nobel për shumë vite me radhë, sikundër është dhe sivjet, i propozuar nga ASHSH” – tha profesori i Gjimnazit të Tetovës, Xhelal Zejneli.
Për letërsinë e Ismail Kadaresë, profesori i katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Tetovës, Doc. dr. Salajdin Salihu tha se me punën e tij Kadare ka dëshmuar se gjuha shqipe është gjuhë kulture. “Kadareja është shkrimtar i madh falë gjenialitetit të tij. Kjo lavdi me përmasa bote duhet t'i mjaftojë një kombi të vogël më shumë se sa për ta nderuar shkrimtarin, ta nderojë vetveten, kulturën dhe gjuhën e tij. Madje duke t’ia falë shkrimtarit edhe veset që mund t’i ketë. Çuditërisht as kjo madhështi nuk mjafton. Kombi kërkon më shumë, asgjë nuk i mjafton dhe shpesh është mosmirënjohës. Por shkrimtari nuk ka shkop magjik. Ai është vetëm shkrimtar, që shpesh nevrikoset si Moisi, teksa sheh adhurimin e verbër ndaj një “viçi të artë”. Shkrimtari Kadare e do kombin e tij, sepse ai ka huazuar nga letërsia orale brumin e veprës së tij. Pastaj e ka përsosur, e ka plotësuar, e ka ndryshuar, i ka shtuar këtij brumi të tjera materiale e erëza. Edhe ka përmbysur. Madje ka përmbysur shumëçka. Varësisht si ja ka diktuar kokëkrisja prej shkrimtari. Ka sajuar kështu një botë të përfytyruar, të mundshme, transcendentale, simbolike, në mënyrën më të mirë të mundshme. Ka dëshmuar me veprën e tij se gjuha shqipe është gjuhë kulture, se ajo e ka aftësinë jo vetëm të sjellë në këtë gjuhë kryevepra botërore, por edhe të krijojë kryevepra origjinale të këtyre përmasave”, deklaroi profesori universitar, Doc.dr. Salajdin Salihu.
Në mënyrë të veçantë, për poezinë e shkrimtarit Kadare para pjesëmarrësve foli Mr.sc.Vjollcë Berisha, mësimdhënëse në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Universitetit të Tetovës. Ajo, mes tjerash tha: “I njohur në radhë të parë për prozën, Ismail Kadare ka shkruar e botuar disa përmbledhje me vjersha e poema. Madje, deri në botimin e romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur më 1963, njohjen më të madhe në Shqipërinë e kohës e ka pasur si poet. Edhe udhëtimin e ngutshëm më taksi nga vendlindja për në kryeqytet, këtë udhëtim që u bë pjesë e thashethemnajës gjirokastrite, e bëri mu për shkak të librit të tij të parë poetik.Pavarësisht nga ky fakt dhe ndonëse shumë shkrimtarë e nisin krijimtarinë e tyre duke shkruar vjersha për të theksuar më pas pjekurinë artistike, Kadareja fillimet e tij në letërsi i ka pasur në prozë. Ai e shkroi një roman qëkur ishte në gjimnaz. Madje nga veprat e fundit eseistike e autobiografike del që kishte pasur gati edhe disa romane të tjera, të cilëve ua kishte përgatitur edhe kopertinat e afishet reklamuese. Disa prej tyre, si ,,Qyteti pa reklama” e ,,Mjegullat e Tiranës” tanimë janë pjesë e opusit të botuar. Sidoqoftë, hera e parë që e bëri gjimnazistin Kadare ta ndjejë kënaqësinë e të parit të emrit të vet mbi një koperinë libri qe pikërisht vëllimi me poezi ,,Frymëzime djaloshare” (1954). Vëllimet e tjera poetike që botoi qenë: ,,Ëndërrime” (1957), ,,Shekulli im” (1961), ,,Përse mendohen këto male” (1964), si dhe përmbledhje të zgjedhura poetike. Megjithë suksesin dhe njohjen e parë që ia dhuroi autorit, poezia mbeti gjithmonë nën hijen e prozës së tij të fuqishme, kah e cila janë kthyer të gjitha shikimet”, tha Mr. sc. Vjollcë Berisha.
Në këtë aktivitet letrar dedikuar 80 vjetorit të lindjes së Ismail Kadaresë u recituan edhe disa poezi të tij nga profesorët, si: Ejup Ajdini, Shaip Emërllahu, Zejnepe Alili-Rexhepi, Salajdin Salihu, Vjollcë Berisha, Xhumazije Rizvani dhe Esra Aqifi. Kjo orë letrare në nderim të përvjetorit të tetëdhjetë të Ismail Kadaresë, krijuesit të letërsisë moderne shqipe, u pasurua edhe me një program artistik, ku para të pranishmëve performoi artistja nga Tetova Elita Ziberi.

https://tradita.org/2016/01/28/shoqata-per-kulture-dhe-art-tradita-e-shenoi-tetedhjete-vjetorin-e-lindjes-se-shkrimtarit-ismail-kadare/

https://www.youtube.com/watch?v=HVl6Ag5P_d0

RUBRIKA - RRUGËTIMI KULTUROR I "TRADITËS"VEPRIMTARIA VIShoqata “Tradita” e përuroi librin “Veprimtaria arsimore dhe shke...
13/08/2026

RUBRIKA - RRUGËTIMI KULTUROR I "TRADITËS"

VEPRIMTARIA VI

Shoqata “Tradita” e përuroi librin “Veprimtaria arsimore dhe shkencore e Prof. dr. Ali Vishkos”

Tetovë, 13. 11. 2015 – Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, në kuadër të Manifestimit Kulturor dhe Artistik “Tetova Feston Nëntorin”, e përuroi librin “Veprimtaria arsimore dhe shkencore e Prof. dr. Ali Vishkos”.
Ne, si Shoqatë për kulturë dhe art, i shprehim falënderimin dhe mirënjohjen tonë Komunës së Tetovës, e cila na mundësoi të promovojmë këtë vepër me studime shkencore kushtuar njërit prej personaliteteve të shquara të kombit tonë, intelektualit Prof. dr. Ali Vishko.
Në përurimin e librit të lartpërmendur, me pjesëmarrjen e tyre na nderuan Sekretari Shtetëror në Ministrinë e Kulturës, z. Behixhudin Shehabi, drejtues të Sektorit për Kulturë në Komunën e Tetovës, profesori Xhelal Zejneli nga Gjimnazi i Tetovës, Prof. dr. Ejup Ajdini nga Universiteti Shtetëror i Tetovës, intelektualë të tjerë të qytetit tonë, Kori i Grave “Teuta”, si dhe shumë dashamirës e adhurues të artit shqiptar.
Ky libër pasqyron me kompetencë profesionale kontributin e Prof. dr. Ali Vishkos për: arsimin shqip në Republikën e Maqedonisë; studimet shkencore në fushën e historisë dhe në shkencat e tjera albanologjike në përgjithësi; ngritjen e kuadrit të ri arsimor dhe shkencor të shqiptarëve në Maqedoni; jetën kulturore në Tetovë dhe në qytete të tjera të vendit tonë; kontributin e tij në lidhje me Kongresin e Manastirit; ndriçimin e figurës së Shën Hieronimit; ndriçimin e fakteve të reja për Kryengritjen e Dervish Carës; rëndësinë kulturore, historike dhe fetare të Teqesë Harabati Baba në Tetovë; aktivitetet për themelimin e Universitetit të Tetovës dhe për ngritjen e Katedrës së Historisë në këtë Universitet.
E gjithë kjo dëshmon se veprimtaria e tij e ka burimin në traditën, historinë dhe kulturën kombëtare. Në veprat e tij spikasin virtytet themelore të popullit tonë: thjeshtësia, dëshira për punë, ndjenja e lartë kombëtare, dëshira për arsim e dije, për përparim e kulturë, vetëmohimi për të qenë i lirë, si dhe shumë virtyte të tjera të trashëguara ndër breza. Këto virtyte, profesor Aliu i ka ngritur në vlera kombëtare, duke i shprehur me një gjuhë të thjeshtë, të pasur dhe tërheqëse për t’u lexuar.
“Ai i dha shkencës dhe historisë shqiptare dije dhe informacione të argumentuara për problemet kombëtare që i përkasin së shkuarës, mbi të cilat ndoshta ka akoma diçka për të thënë e për të bërë. Vepra e A. Vishkos është e tipit analitiko-argumentues, ku prezantohen kultura, historia dhe problemet e arsimit shqiptar në Perandorinë Osmane, në Vilajetin e Manastirit dhe në Pashallëkun e Tetovës. Kjo do të thotë se krijimtaria shkencore e tij lidhet jo vetëm me mjeshtërinë e analizës dhe të prezantimit të problemeve, por gjithashtu edhe me botëkuptimet e tij, me pikëpamjet e tij filozofike, sociologjike, politike-shoqërore dhe shkencore”, thekson Prof. dr. Xheladin Murati.
Ndërsa një tjetër pedagog i njohur, profesor Tahir Zajazi, deklaron se: “Ali Vishko ishte historian i veçantë. Domeni i studimeve që bënte ishte historia e vjetër, atje ku janë gjurmët e kombit shqiptar”.
Ne kemi obligim qytetar që të angazhohemi të gjithë për ta ndriçuar rrugën jetësore të të gjithë atyre që punuan me vetëmohim dhe sakrifikuan gjithçka për kombin tonë. E kemi obligim t’u shprehim mirënjohjen tonë të gjithë atyre burrave të kombit që nuk kursyen asgjë për idealet e arsimit shqip. Ali Vishko, profesori i qindra nxënësve dhe studentëve, autori i disa veprave të botuara për historiografinë shqiptare, shërben si shembull dhe model për t’u ndjekur nga gjeneratat e reja.
Figura e tij është e gjithanshme dhe duhet studiuar në shumë aspekte. Personaliteti dhe veprat shkencore e publicistike të profesor Vishkos meritojnë respektin më të lartë.

https://tradita.org/2015/11/13/shoqata-tradita-peruroi-librinveprimtaria-arsimore-dhe-shkencore-e-prof-dr-ali-vishkos/

RUBRIKA - RRUGËTIMI KULTUROR I "TRADITËS"VEPRIMTARIA VShoqata ,,Tradita” organizoi tryezë të rrumbullakët për veprimtari...
08/08/2026

RUBRIKA - RRUGËTIMI KULTUROR I "TRADITËS"

VEPRIMTARIA V

Shoqata ,,Tradita” organizoi tryezë të rrumbullakët për veprimtarinë e Radio Tetovës

Tetovë, 31. 10. 2015 - Shoqata për kulturë dhe art ,,Tradita”, në hapësirat e Kuvendit komunal të Tetovës, organizoi Tryezën e rrumbullakët, me temë: ,,Veprimtaria radiodifuzive e Radio Tetovës”.
Në këtë debat morën pjesë ish-punonjësit e Radio Tetovës, profesorë të Universitetit shtetëror të Tetovës, gazetarë të mediave të tjera të qytetit të Tetovës, publicistë dhe dashamirë të fjalës së lirë. Gjatë debatit, të gjithë pjesëmarrësit njëzëri theksuan rëndësinë informative të këtij radiostacioni lokal, i cili, rreth dyzet vjet me radhë ishte burimi zyrtar për raportimin e qindra e mijëra ngjarjeve që u zhvilluan në rajonin e Pollogut dhe më gjerë.
Gazetarët, ish-punonjës të Radio Tetovës, evokuan kujtimet, vështirësitë në punën e tyre, por edhe momentet e tyre të bukura, pasi vitet më të mira i kanë investuar në zhvillimin, ngritjen dhe mbarëvajtjen e këtij mediumi lokal.
“Prej ditës së themelimit të Shoqatës ,,Tradita”, drejtuesit, anëtarët dhe të gjithë bashkëpunëtorët, jemi përcaktuar që për qytetarët dhe opinionin e gjerë të shënojmë ngjarje, të përkujtojmë veprimtari, personalitete, por edhe të institucioneve publike ose private që kanë dhënë kontributin e tyre për mbarë shoqërinë.
Qyteti i Tetovës, qendra e dytë më e madhe urbane pas kryeqendrës së vendit tonë, vlerësojmë se ka nevojë që t’i kushtojë rëndësinë përkatëse edhe forcimit të medies, e cila sot vuan ditët më të vështira, sidomos media në gjuhën shqipe. Në qytetin tonë deri në fillim të viteve ’90-ta, Radio Tetova ishte e vetmja ndërmarrje radiodifuzive që e mbulonte këtë sektor të rëndësishëm, i informonte qytetaret për të gjitha zhvillimet arsimore, kulturore, politike, etj.
Me fillimin e proceseve demokratike në vend, fatmirësisht filluan edhe iniciativat e para qytetare për të themeluar edhe media të tjera në gjuhën shqipe, dhe në këtë mënyrë do të kontribuonin fuqishëm për informimin, edukimin dhe përparimin e shoqërisë sonë në valën e tranzicionit të vështirë në Republikën e Maqedonisë”, tha Selam Sulejmani, kryetar Shoqatës për kulturë dhe art ,,Tradita”.
Ai, po ashtu theksoi se përmes organizimit të kësaj tryeze, ne shpalosëm edhe një herë rolin e Radio Tetovës si medium i rëndësishëm dhe kontributin e saj në ngritjen e përgjithshme kulturore e arsimore të popullatës së këtij rajoni, i cili është i njohur për specifikat shoqërore, historike dhe tradicionale.
Të pranishmit në këtë aktivitet u shprehën se gjatë viteve të funksionimit, e sidomos pas ndryshimeve të pas vitit 2000, Radio Tetova arriti të përmbushë me sukses misionin e saj në informimin objektiv të ngjarjeve të përditshmërisë, temave preokupuese për auditorin dhe e gjithë kjo falë ekipit të gazetarëve që punonin me përkushtim profesional, kreativitet dhe pa ngarkesa ideologjike e ndikime të tjera.
,,Unë dua personalisht që t’i përkujtojë momentet e bukura të asaj kohe, kur presionet e shumta të sistemit monist na bënin më të fuqishëm, më të fortë dhe jo rastësisht gjatë debatit theksova se isha më e guximshme, kurse tani kam frikë ndoshta për ardhmërinë e fëmijëve tanë, për të gjithë fëmijët dhe jo vetëm për fëmijët e mi, për arsye se nuk jam egoiste, unë di të ndriçoj rrugën për të tjerët dhe unë di të edukoj gjenerata dhe jam duke edukuar gjenerata”, theksoi Gjylimsere Kasapi, ish gazetare e Radio Tetovës.
Ndërsa, ish redaktori i këtij radiostacioni, Selajdin Qazimi deklaroi: ,,Jam i kënaqur për organizimin e kësaj tryeze të rrumbullakët që t’i shpalosim të gjitha të arriturat e këtij mediumi, por të kujtojmë edhe mundimet dhe vitet që ne i kemi kaluar në Radio Tetovë. Unë do të thosha se koha në të cilën u inkuadrova në Qendrën për informim, në redaksinë e gazetës ,,Pollogu”, isha i vetëm dhe koha ishte mjaftë e vështirë, sepse duhej të angazhohem të shkruaj për të gjitha lëmitë e jetës”.
Profesor Xhelal Zejneli, mes tjerash nënvijëzoi se rivënia në funksion e Radio Tetovës, si një medium i lirë dhe i pavarur, do të kontribuonte në informimin objektiv dhe të paanshëm të publikut në sferën politike, ekonomike, sociale dhe kulturore.
Si pasojë e miratimit të Ligjit për tjetërsimin e statusit të 29 radiove lokale në nivel republikan, pjesa dërmuese u e këtyre mediumeve u mbyllën dhe një numër i vogël prej tyre u privatizuan nga biznesmenë nga sektori privat.
Po ashtu, edhe Radio Tetova i vuajti pasojat e ligjit të lartpërmendur, por edhe për arsye të dhjetëra problemeve e kontesteve të njohura për qytetarët dhe organet kompetente, veprimtaria informative e saj ka rreth 10 vjet që është shuar.
Në këtë aktivitet morën pjesë ish gazetarët e Radio Tetovës, si: Gjylimsere Kasapi, Selajdin Qazimi, Iljas Baftjari, Mursel Murseli, Berat Azizi, Enver Shala, nga redaksia në gjuhën shqipe; nga redaksia në gjuhën maqedonase, gazetarët Gojko Eftov dhe Sveto Toevski; profesori i Katedrës së gazetarisë në USHT, dr.sc. Dashmir Idrizi, Abdulla Mehmeti, lektor në USHT, Xhelal Zejneli, profesor në gjimnazin e Tetovës, studiues dhe publicist, si dhe gazetarë të tjerë të njohur, si: Ismet Krosi, Hamit Hajrullai, Miftar Emini, etj.
Pjesëmarrësit në debat, përpos që e vlerësuan lartë kontributin e radios në informimin objektiv, edukimin dhe kultivimin e kulturës në këtë rajon, shtruan kërkesën për shqyrtimin e mundësive për rifillimin me punë të Radio Tetovës.

https://tradita.org/2015/10/31/shoqata-tradita-organizoi-tryeze-te-rrumbullaket-per-veprimtarine-e-radio-tetoves/

https://www.youtube.com/watch?v=ZX4eF2xZeV4

Address

Tetovë
1200

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when Shoqata "Tradita" posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Shortcuts

Share

Nearby non profit organizations