28/05/2026
"Terapia"
Autor&Regjisor
Sulejman Rush*ti
Luajnë:
Linda Shabani
Abdulla Osmani
Mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit
"Terapia” është tekst i ndërtuar si një kërkim artistik dhe skenik mbi mënyrën se si rrëfehet dhe përjetohet teatri sot. Vepra përfaqëson një eksperiment si në aspektin e dramaturgjisë, ashtu edhe në atë të inskenimit, duke synuar të eksplorojë marrëdhënie të tjera mes fjalës, heshtjes, trupit dhe hapësirës skenike.
Në thelb, “Terapia” është një eksperiment me formën dhe me një qasje më të ndryshme ndaj përmbajtjes. Ajo nuk ndërtohet mbi narracionin klasik linear, por kërkon të krijojë një përvojë emocionale dhe mendore, ku publiku nuk është vetëm vëzhgues, por edhe pjesë e tensionit të brendshëm që zhvillohet në skenë. Forma këtu nuk është thjesht mjet estetik; ajo bëhet pjesë e vetë mendimit të veprës.
Megjithatë, “Terapia” nuk synon të jetë teatër eksperimental në kuptimin tradicional të termit. Më shumë sesa një përpjekje për të thyer teatrin, ajo është një përpjekje për ta kërkuar atë ndryshe, për të provuar mundësi të reja komunikimi mes aktorit, tekstit dhe publikut. Eksperimenti në këtë rast nuk është qëllim në vetvete, por mënyrë për të depërtuar më thellë në përjetimin njerëzor dhe në krizën e komunikimit bashkëkohor. Pra, Terapia nuk është teatër eksperimental por një eksperiment teatror që synon ta ruajë poetikën teatrore, katarzën përmes formave të reja.