07/07/2026
REAGIM PUBLIK
Pamjet e dhunës së ushtruar ndaj një vajze nga bashkëmoshataret e saj në Fier janë thellësisht shqetësuese. Po aq alarmues sa vetë akti i dhunës është filmimi dhe shpërndarja e tij në rrjetet sociale, duke e kthyer vuajtjen dhe poshtërimin e një të reje në spektakël. Kjo nuk është thjesht një “zënkë mes vajzash”, por një shenjë e normalizimit të dhunës, mungesës së empatisë dhe përdorimit të teknologjisë si mjet për të thelluar dëmin ndaj viktimës.
Raste të tilla na detyrojnë të pyesim nëse po i dëgjojmë të rinjtë përpara se konfliktet të përshkallëzohen dhe nëse familja, shkolla dhe institucionet po identifikojnë në kohë sinjalet e bullizmit, kërcënimit dhe presionit të grupit. Viktima duhet të mbrohet, të mbështetet dhe t'i garantohet privatësia, ndërsa ndaj të miturve të përfshirë në dhunë nevojitet jo vetëm reagim institucional dhe ligjor, por edhe ndërhyrje e specializuar psikosociale dhe edukative.
Të mos e shpërndajmë videon !
Të mos e kthejmë dhunën në spektakël !
Parandalimi i dhunës fillon shumë më herët se ndërhyrja e policisë – fillon duke i dëgjuar, edukuar dhe mbështetur të rinjtë në kohë.