05/10/2026
Nga Gjeneva drejt vizioneve të reja për Pozheranin
Sot, në Gjenevë, Kryesia e Shoqatës “Mërgata e Pozheranit” zhvilloi punimet e radhës, në përputhje me planin vjetor të punës, me fokus në projektet që janë aktualisht në zhvillim dhe në angazhimet e planifikuara për vitin.
Gjatë takimit u diskutuan edhe projekte të reja për fshatin. Tri prej tyre kaluan në fazën e fizibilitetit, ndërsa u caktuan grupet punuese dhe koordinatorët përgjegjës për secilin projekt.
Ndërkohë, për dy projekte të rëndësishme – ndërtimin e pritoreve të autobusëve dhe rregullimin e zonës së parkingut prapa Shkollës Fillore – u procedua drejt fazës së planifikimit financiar për realizimin e tyre.
Fryma e bashkëpunimit dhe mbështetja e vazhdueshme e mërgatës sonë po na hapin rrugën drejt vizioneve të reja për Pozheranin. Në ditët në vijim, pas përfundimit të planifikimeve financiare, do t’i bëjmë publike më në detaje projektet dhe hapat konkretë drejt realizimit të tyre.
Shoqata “Mërgata e Pozheranit” mbetet e përkushtuar që çdo euro e dhënë nga bashkatdhetarët, si nga diaspora ashtu edhe nga bashkëfshatarët tanë në vendlindje, të orientohet me përgjegjësi dhe transparencë për krijimin e një ambienti dhe një rrethi më të mirë për Pozheranin.
Andaj, u bëjmë thirrje të gjithë bashkatdhetarëve të cilët, për arsye subjektive, ende nuk e kanë përfunduar mbështetjen e tyre vjetore sipas planit, që ta realizojnë atë. Kjo është shumë e rëndësishme për një planifikim më të saktë financiar dhe një realizim më të sigurt të projekteve tona.
Një falënderim i veçantë për çdo bashkatdhetar që ndau nga koha, mundi dhe buxheti i tij për të mbështetur zhvillimin e fshatit tonë.
Bashkë për Pozheranin – nga mërgata, për vendlindjen!