16/02/2026
Në kuadër të shënimit të Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, komuniteti i shkollës sonë bëri homazhe pranë lapidarit të dëshmorit Mejdi Korrani, duke nderuar me respekt dhe mirënjohje sakrificën e tij për lirinë e atdheut.
Në këtë ceremoni përkujtimore morën pjesë ish-luftëtarë, ish-profesorë, veteranë të luftës, përfaqësues të Policisë së Kosovës, prindër, administratori i fshatit Ilir Zuka, drejtoresha e Arsimit Arta Ajeti, drejtori Naim Pira, stafi i shkollës si dhe drejtori. Me vendosje kurorash lulesh dhe një minutë heshtje u përkujtua sakrifica e dëshmorëve dhe rruga e mundimshme drejt lirisë.
Pas homazheve, aktiviteti vazhdoi me një program artistik dhe përkujtimor në ambientet e shkollës. Fjalën kryesore në këtë aktivitet e mbajtën veteranët e luftës, të cilët ndanë kujtime dhe mesazhe për brezin e ri mbi rëndësinë e sakrificës, unitetit dhe ruajtjes së identitetit kombëtar. Për t’i përshëndetur dhe vlerësuar të gjithë të pranishmit u përkujdes stafi i shkollës në krye me drejtorin.
Në veçanti, programin e pasuroi ish-ushtari i UÇK-së, Nuhi Halabaku, i cili përshëndeti stafin e shkollës dhe përcolli mesazhin kryesor: të ruajmë dhe të kultivojmë vlerat tona historike e kombëtare, ashtu siç ishte lufta për liri dhe përkushtimi për ruajtjen e shkollës si vatër e dijes dhe e identitetit tonë.
Ky organizim dëshmoi edhe një herë se shkolla jonë mbetet e përkushtuar në edukimin e brezave me frymë atdhedashurie, respekti dhe përgjegjësie ndaj historisë sonë kombëtare. Lavdi të përjetshme dëshmorëve dhe urime Dita e Pavarësisë!