12/08/2026
HAP I RËNDËSISHËM PËR PROMOVIMIN E VERËS🍷 DHE TURIZMIT NË KOSOVË 🇽🇰
Shoqata e Prodhuesve të Verërave të Kosovës "ENOLOGJIA" zhvilloi takimin e parë me prodhuesit e verërave, anëtarë dhe jo-anëtarë të shoqatës pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit (MoU), me Swisscontact, në kuadër të projektit GROW.
Në takim morën pjesë përfaqësues të Swisscontact dhe të Zyrës së Turizmit në Rahovec, duke dëshmuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet sektorit privat, institucioneve dhe partnerëve zhvillimorë.
Kryetari i shoqatës Labinot Shulina theksoi se ky takim shënon fillimin e implementimit të projektit, i cili synon krijimin e një Katalogu Kombëtar të Prodhuesve të Verërave dhe zhvillimin e një platforme elektronike gjithëpërfshirëse.
Përmes këtyre dy mekanizmave synohet që verërat e Kosovës, kantinat, prodhuesit dhe destinacionet tona atraktive turistike të promovohen në mënyrë të organizuar dhe profesionale, duke i bërë më të qasshme për turistët rajonalë dhe globalë.
Një katalog. Një platformë. Një vizion i përbashkët për verën dhe turizmin e verërave të Kosovës.
Ky projekt është një hap konkret drejt krijimit të një ekosistemi të integruar të verës dhe turizmit, ku çdo prodhues, kantinë dhe destinacion mund të bëhet pjesë e një promovimi të përbashkët kombëtar.
Nga Rahoveci – drejt tregut rajonal dhe global! 🇽🇰🍷