18/02/2026
Mrekullia e heshtur në zemër të Prizrenit
Nga jashtë të mahnit me madhështi, nga brenda të pushton me pikturat e saj me motive florale. Por madhështia e saj nuk qëndron vetëm në artin e gdhendur mbi gurë. Ajo që e bën këtë xhami të papërsëritshme është historia e saj e mbijetesës, një histori ku qyteti dhe koha u bënë roje të saj, kur pushteti dhe gjykatat kërkonin ta fshijnë nga kujtesa.
Pushteti serbomadh shpiku një legjendë, se gjoja gurët e saj ishin marrë nga manastiri i Car Dushanit.
Një trill i vjetër që u bë armë për ta shkatërruar. Në vitin 1922 nisën ta rrënojnë, duke e copëtuar hajatin. Por atëherë ndodhi ajo që e shpëtoi, populli doli në rrugë, protestoi, ngriti zërin mbi pushtetin. Dhe dora që donte ta shkatërronte u ndal. Jo nga mëshira, por nga frika, sepse qyteti nuk lejonte të prekej shpirti i tij.
Sërish, më 1940, kërkesa për shkatërrim u rikthye. Këtë herë edhe gjyqi i Qarkut e shpalli xhaminë “pronë të Kishës”, duke e vulosur padrejtësinë mbi një legjendë të fabrikuar. Por koha e ndali rrënimin.
Shkatërrimi i Mbretërisë Jugosllave në 1941.
Pastaj erdhën vitet e vështira të heshtjes. Xhamia qëndroi, por e mbyllur, e harruar. U deshën dekada që të merrte frymë përsëri. U konservua më 1952, u hap si muze më 1968, dhe më në fund iu kthye Bashkësisë Islame më 1969. Por vetëm më 2007 ajo u rikthye në zemrën e besimtarëve, ndërsa me ndihmën e TIKA-s më 2013–2015, ajo dhe oborri i saj u rregullua, duke e bërë jo vetëm një vend lutjeje, por edhe një atraksion për turistët nga mbarë bota.
Xhamia e Sinan Pashës nuk është vetëm e myslimanëve, as vetëm e prizrenasve. Është e të gjithëve që dinë të duan historinë, të vlerësojnë trashëgiminë dhe të kuptojnë se bukuria e vërtetë lind kur e vërteta triumfon mbi dhunën.
Ajo është vetë Prizreni, e plagosur por e bukur, e rrezikuar por e gjallë, e sulmuar por krenare.
Blerim Q.Saramati