05/10/2026
𝐀𝐤𝐚𝐝𝐞𝐦𝐢𝐚 𝐞 𝐃𝐫𝐞𝐣𝐭𝐞̈𝐬𝐢𝐬𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐏𝐫𝐨𝐠𝐫𝐚𝐦𝐢 𝐢 𝐒𝐡𝐤𝐞̈𝐦𝐛𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐭𝐞̈ 𝐄𝐉𝐓𝐍-𝐬𝐞̈ 𝟐𝟎𝟐𝟕-𝐓𝐇𝐈𝐑𝐑𝐉𝐄 𝐏𝐄̈𝐑 𝐀𝐏𝐋𝐈𝐊𝐈𝐌📌
Akademia e Drejtësisë, në kuadër të bashkëpunimit me Rrjetin Evropian të Trajnimit Gjyqësor (EJTN), njofton gjyqtarët dhe prokurorët për hapjen e aplikimeve për Programin e Shkëmbimit të EJTN-së për vitin 2027 (2027 EJTN Exchange Programme) dhe i fton të interesuarit të aplikojnë për mundësitë e shkëmbimit dhe përvojës profesionale që ofrohen në kuadër të këtij programi.
Për Programin e Shkëmbimit të EJTN-së
Programi i Shkëmbimit i EJTN-së u ofron gjyqtarëve dhe prokurorëve mundësi për shkëmbim dhe përvojë profesionale në gjykata, prokurori dhe institucione homologe evropiane.
Përmes këtyre shkëmbimeve, pjesëmarrësit kanë mundësi të njihen drejtpërdrejt me punën dhe praktikat e institucioneve pritëse, të shkëmbejnë përvoja me kolegët e tyre, të zhvillojnë njohuritë dhe aftësitë profesionale, si dhe të krijojnë dhe forcojnë bashkëpunimin profesional me kolegë dhe institucione homologe evropiane.
Kosova, si pjesëmarrëse në Programin e Drejtësisë (Justice Programme), përfshihet në Programin e Shkëmbimit të EJTN-së për vitin 2027. Në bazë të vendimit të Grupit Punues të Programit të Shkëmbimit të EJTN-së, gjyqtarëve dhe prokurorëve nga Kosova u mundësohet të aplikojnë për kategoritë e shkëmbimeve të hapura në kuadër të këtij programi.
Në kuadër të Programit të Shkëmbimit 2027, për gjyqtarët dhe prokurorët nga Kosova janë të hapura këto kategori:
• Shkëmbime të përgjithshme (General Exchanges) – mundësojnë përvojë të drejtpërdrejtë profesionale në një gjykatë ose prokurori pritëse dhe njohjen me punën, praktikat dhe mënyrën e funksionimit të saj;
• Shkëmbime të specializuara (Specialized Exchanges) – të fokusuara në fusha apo tema të caktuara të së drejtës dhe në shkëmbimin e përvojës profesionale me kolegët dhe institucionet pritëse;
• Shkëmbime për udhëheqësit gjyqësorë (Exchanges for Judicial Leaders) – me fokus në shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e aftësive në udhëheqje dhe menaxhim;
• Shkëmbime për trajnuesit (Exchanges for Trainers) – për gjyqtarë dhe prokurorë të angazhuar edhe në cilësinë e trajnuesve, me fokus në shkëmbimin e përvojave, praktikave të mira dhe metodologjive të trajnimit.
Për Kosovën, në kuadër të Programit të Shkëmbimit 2027, ndahet një (1) vend në njërën prej kategorive të mësipërme të shkëmbimit.
Kriteret dhe dokumentacioni për aplikim
Kandidatët duhet të plotësojnë kriteret e përcaktuara nga EJTN për kategorinë përkatëse të shkëmbimit dhe për vendin apo institucionin pritës të përzgjedhur. Kriteret konkrete mund të ndryshojnë varësisht nga mundësia e shkëmbimit.
• të ushtrojnë funksionin e gjyqtarit ose prokurorit dhe të kenë profilin profesional që kërkohet për shkëmbimin përkatës;
• për shkëmbimet për udhëheqësit gjyqësorë, të ushtrojnë funksionin përkatës udhëheqës;
• për shkëmbimet për trajnuesit, të jenë të angazhuar në cilësinë e trajnuesit;
• të kenë njohuri të mjaftueshme të gjuhës së përcaktuar për shkëmbimin përkatës, në nivel që mundëson pjesëmarrjen aktive dhe komunikimin profesional;
• të kenë përvojë profesionale relevante, kur kjo kërkohet për shkëmbimin përkatës;
• të plotësojnë kriteret dhe kërkesat e tjera të përcaktuara nga EJTN ose institucioni pritës për mundësinë konkrete të shkëmbimit.
Gjatë aplikimit, kandidati duhet të plotësojë të dhënat e kërkuara në platformën e EJTN-së dhe, sipas kategorisë dhe kërkesave të shkëmbimit për të cilin aplikon, mund t'i kërkohet të paraqesë edhe dokumentacion mbështetës, si CV, dëshmi për njohjen e gjuhës ose dokumente të tjera relevante.
Kandidatët rekomandohen që, para fillimit të aplikimit, të kontrollojnë me kujdes kriteret dhe dokumentacionin e kërkuar për mundësinë konkrete të shkëmbimit dhe t'i kenë të përgatitura paraprakisht dokumentet e nevojshme.
Aplikimi dhe procedura
Gjyqtarët dhe prokurorët e interesuar duhet të aplikojnë individualisht dhe drejtpërdrejt përmes platformës online të EJTN-së. Vetëm aplikimet e paraqitura përmes platformës online do të pranohen. Platforma e aplikimit është përshtatur në mënyrë që kandidatëve nga Kosova t'u shfaqen vetëm mundësitë e shkëmbimit për të cilat kanë të drejtë të aplikojnë, në bazë të profilit dhe të dhënave të plotësuara gjatë aplikimit.
Gjatë aplikimit, kandidati duhet të plotësojë, ndër të tjera, të dhënat lidhur me:
• shtetësinë dhe institucionin ku ushtron funksionin;
• pozitën ose funksionin profesional;
• kategorinë e shkëmbimit për të cilën aplikon;
• preferencën për shtetin pritës;
• gjuhën e shkëmbimit dhe nivelin e njohurive gjuhësore;
• përvojën profesionale relevante;
• kohëzgjatjen e shkëmbimit, sipas kategorisë përkatëse;
• motivimin për pjesëmarrje dhe përfitimet e pritshme profesionale nga shkëmbimi.
Kandidatët mund të paraqesin deri në tri preferenca për shkëmbim dhe mund të deklarojnë nëse pranojnë të caktohen edhe në një shtet tjetër, në rast se preferencat e tyre fillestare nuk mund të realizohen.
Procesi i aplikimit administrohet nga Sekretariati i EJTN-së. Pas përfundimit të afatit për aplikim, Akademisë së Drejtësisë, në cilësinë e pikës kombëtare të kontaktit për Programin e Shkëmbimit të EJTN-së, i vihen në dispozicion aplikimet e kandidatëve nga Kosova.
Akademia e Drejtësisë koordinon më pas procesin e parapërzgjedhjes në nivel kombëtar, përmes platformës së dedikuar për pikat kombëtare të kontaktit (NCP), dhe ia përcjell EJTN-së kandidatin e parapërzgjedhur për procedim të mëtejmë. Procesi i parapërzgjedhjes për Programin 2027 zhvillohet në periudhën 15 tetor – 27 nëntor 2026.
Duke pasur parasysh se për Kosovën ndahet një (1) vend, paraqitja e aplikimit nuk garanton parapërzgjedhjen në nivel kombëtar apo përzgjedhjen përfundimtare për pjesëmarrje në Program.
Afati i fundit për aplikim është 14 tetor 2026, ora 18:00 CEST (sipas kohës së Brukselit). Pas këtij afati, formularët online nuk do të jenë më të qasshëm.
Platforma online për aplikim:
https://exp-platform.ejtn.eu/
Mundësitë/vendet në dispozicion:
https://exp-platform.ejtn.eu/short-term-exchange-available-places
Informacion shtesë për shkëmbimet:
https://catalogue.ejtn.eu/exchanges-and-study-visits/listing?type=exchanges
Browse all available exchanges and study visits in the EJTN training catalogue.