06/10/2026
ÇMIMI NOBEL NË FIZIKË PËR VITIN 2026
Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave ka vendosur t'i ndaj Çmimin Nobel në Fizikë për vitin 2026 Francis Halzen-it “për kontributet vendimtare në zhvillimin e Observatorit IceCube të Neutrinove dhe për zbulimin e neutrinove me energji të lartë me origjinë astrofizike“. Francis Halzen është fizikan me origjinë belge, profesor në Universitetin e Wisconsin–Madison dhe një nga shkencëtarët kryesorë që kontribuuan në zhvillimin e Observatorit IceCube, një prej eksperimenteve më të mëdha të ndërtuara ndonjëherë për studimin e neutrinove.
Neutrinot janë grimca elementare elektroneutrale, me masë jashtëzakonisht të vogël, të cilat bashkëveprojnë shumë dobët me materien. Ato prodhohen në një numër të madh procesesh fizike dhe janë të pranishme kudo në Univers. Një fluks i jashtëzakonshëm neutrinosh që vijnë nga Dielli kalon vazhdimisht përmes Tokës dhe trupit tonë, pa shkaktuar pothuajse asnjë efekt të matshëm. Çdo sekondë, rreth 65 miliardë neutrino që vijnë nga Dielli kalojnë përmes një sipërfaqeje sa thoi i gishtit të vogël. Arsyeja është se probabiliteti që një neutrino të bashkëveprojë me materien është jashtëzakonisht i vogël. Kjo veçori i bën ato shumë të vështira për t'u zbuluar, por njëkohësisht jashtëzakonisht të vlefshme për fizikën dhe astronominë.
Neutrinot nuk prodhohen vetëm në Diell. Disa prej tyre krijohen në ngjarjet dhe mjediset më energjetike të Universit, përfshirë shpërthime kozmike dhe rajone ekstreme të galaktikave. Për shkak të bashkëveprimit të tyre shumë të dobët me materien, ato mund të udhëtojnë nëpër hapësirë dhe nëpër zona shumë të dendura pa u devijuar ose përthithur lehtë. Kjo u jep shkencëtarëve një mundësi të veçantë: në vend që të studiojnë vetëm rrezatimin elektromagnetik të një trupi kozmik, ata mund të marrin informacion edhe nga grimcat që largohen drejtpërdrejt prej proceseve ku ato janë prodhuar.
Shumica e teleskopëve astronomikë e vëzhgojnë Universin përmes rrezatimit elektromagnetik, veçanërisht dritës. IceCube, në Antarktidë, përdor një parim krejt tjetër: ai kërkon gjurmët e neutrinove që mbërrijnë nga hapësira. Detektori shtrihet thellë në shtresën e akullit të Antarktidës me një vëllim prej afërsisht një kilometër kub akulli. Për vendosjen e instrumenteve u hapën kanale të thella në akull, ndërsa në to u instaluan kabllo vertikale të pajisura me sensorë optikë. Kur një neutrino me energji të lartë bashkëvepron, shumë rrallë, me materien në akull, nga ky proces mund të krijohen grimca të tjera të ngarkuara. Ato lëvizin në akull dhe prodhojnë një sinjal shumë të dobët optik. Sensorët e shpërndarë në thellësi e regjistrojnë këtë dritë dhe, nga koha dhe pozitai sinjaleve, studiuesit mund të rindërtojnë drejtimin dhe energjinë e ngjarjes.
Në vitin 2013, ekipi i IceCube raportoi dëshmi për neutrino me energji shumë të lartë që nuk kishin origjinë diellore apo tokësore, por vinin nga burime kozmike. Ky rezultat shënoi një hap të rëndësishëm drejt astronomisë së neutrinove. Me grumbullimin e më shumë të dhënave, studiuesit kanë qenë në gjendje të identifikojnë gjithnjë e më mirë drejtimet dhe burimet e neutrinove astrofizike. Kjo ka krijuar një mënyrë të re për të hulumtuar proceset që zhvillohen në mjediset më ekstreme të Universit.
Çmimi Nobel në Fizikë 2026 vlerëson kështu jo vetëm zbulimin e neutrinove astrofizike me energji të lartë, por edhe një përpjekje të jashtëzakonshme shkencore dhe teknologjike për t'i kapur këto sinjale jashtëzakonisht të rralla. IceCube na ka dhënë një mënyrë të re për ta parë Universin: jo duke kërkuar vetëm dritën që arrin tek ne, por edhe gjurmët e grimcave që udhëtojnë nga thellësitë e kozmosit.