Altruisti - ALTR

Altruisti - ALTR Organizatë joqeveritare që ofron trajtime dhe trajnime psiko-sociale për të gjitha moshat, me fokus të veçantë tek të rinjtë nën 18 vjeç.

05/06/2026

Vetëvlerësimi si forma më e lartë e vetëdijes individuale dhe shoqërore

Vetëvlerësimi paraqet nivelin më të lartë të vetëdijes individuale dhe shoqërore, sepse ai nënkupton aftësinë e individit dhe të grupeve shoqërore për ta parë veten në mënyrë objektive, reale dhe kritike. Nga perspektiva psikologjike, vetëvlerësimi është procesi përmes të cilit individi njeh, analizon dhe vlerëson karakteristikat, sjelljet, potencialet dhe kufizimet e veta. Nga perspektiva edukative, ai është rezultat i një procesi të gjatë socializimi që fillon në familje, vazhdon në shkollë dhe përforcohet në komunitet.

Megjithatë, vetëvlerësimi i drejtë është një nga proceset më të vështira për t’u realizuar, sepse kërkon pjekuri emocionale, integritet moral dhe aftësi për vetëreflektim. Shumë individë e kanë të vështirë të përballen me dobësitë e tyre, ndërsa të tjerë nuk arrijnë t’i njohin dhe t’i vlerësojnë potencialet që posedojnë. Për këtë arsye, shpesh hasim dy ekstreme: mbivlerësimin dhe nënvlerësimin e vetes.

Mbivlerësimi lidhet me tendencën për t’i ekzagjeruar aftësitë dhe meritat personale, duke krijuar një perceptim jorealist për veten. Në anën tjetër, nënvlerësimi shfaqet kur individi nuk arrin të njohë vlerat dhe kapacitetet e veta, duke zhvilluar ndjenja pasigurie dhe inferioriteti. Të dyja këto forma përbëjnë pengesa serioze për zhvillimin e personalitetit dhe për funksionimin e shëndetshëm social.

Vetëvlerësimi autentik kërkon njohjen e ekuilibruar të anëve të forta dhe të dobëta të personalitetit. Një individ i vetëdijshëm nuk e mohon dobësinë, por e pranon atë si pjesë të natyrshme të zhvillimit njerëzor. Po ashtu, ai nuk i mbivlerëson sukseset e veta, por i sheh ato si rezultat të përpjekjes, mësimit dhe përvojës. Vetëm nëpërmjet këtij procesi arrihet vetënjohja e vërtetë.

Në këtë kuptim, thënia e filozofit Sokrati, “Njih vetveten”, mbetet një nga parimet themelore të zhvillimit njerëzor. Vetënjohja nuk është vetëm një proces intelektual, por edhe moral e emocional. Ajo kërkon aftësinë për të reflektuar mbi sjelljet tona, për të pranuar gabimet dhe për të mësuar vazhdimisht prej tyre.

Nga aspekti psikosocial, vetëvlerësimi ndikon drejtpërdrejt në marrëdhëniet ndërpersonale. Individët që kanë një vetëvlerësim realist zhvillojnë më shumë empati, tolerancë dhe respekt ndaj të tjerëve. Ata janë më pak të prirur drejt egoizmit dhe egocentrizmit, sepse e kuptojnë se zhvillimi personal nuk arrihet duke nënçmuar të tjerët, por duke përmirësuar vazhdimisht veten.

Prandaj, edukimi për vetëvlerësim duhet të jetë një objektiv i rëndësishëm i familjes, shkollës dhe shoqërisë. Një shoqëri që promovon vetëreflektimin, përgjegjësinë personale dhe pranimin e dallimeve krijon qytetarë më të vetëdijshëm, më të balancuar emocionalisht dhe më produktivë. Vetëm përmes një vetëvlerësimi të shëndetshëm mund të ndërtojmë individë me identitet të qartë dhe një shoqëri që zhvillohet mbi bazën e njohjes reale të vetes dhe të potencialeve të saj.

T.H -04.06.2026-Prishtinë.

22/05/2026

Tema: Bullizmi – një problem serioz psiko-sociale

Bullizmi është një nga dukuritë më shqetësuese në shoqërinë tonë dhe paraqet një problem serioz psiko-social që ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien emocionale, sociale dhe akademike të fëmijëve dhe të rinjve. Kur përmendet bullizmi, menjëherë mendja shkon te ngacmimi psikologjik, fizik apo social. Megjithatë, bullizmi është një fenomen shumë më kompleks, i cili mund të shfaqet në forma të ndryshme dhe të lërë pasoja afatgjata në zhvillimin e personalitetit.

Bullizmi nuk zgjedh moshë, por grupmoshat më të prekura janë nga 11 deri në 21 vjeç. Kjo periudhë është shumë e rëndësishme për zhvillimin emocional, social dhe psikologjik, pasi lidhet ngushtë me formimin e identitetit dhe kalimin në fazën e pubertetit. Në këtë moshë të rinjtë kanë nevojë të madhe për mbështetje psiko-sociale nga familja dhe shkolla, sepse çdo përvojë negative mund të ndikojë në vetëbesimin dhe zhvillimin e tyre të shëndetshëm.

Pasojat e bullizmit janë të shumta. Ai ndikon në uljen e motivimit për mësim, rritjen e mungesave në shkollë, shfaqjen e ankthit, depresionit, izolimit social dhe në raste të caktuara edhe në ndërprerjen e shkollimit. Viktimat e bullizmit shpesh humbin besimin në vetvete dhe ndihen të pambrojtur përballë mjedisit shoqëror.k

Për këtë arsye, organizimi i ligjëratave dhe programeve vetëdijësuese është shumë i rëndësishëm. Ne, si OJQ Altruisti, kemi pasur mundësinë të realizojmë një projekt kundër bullizmit me nxënësit e klasave të 10-ta dhe të 11-ta në shkollat e mesme të Komunës së Prishtina. Programi është mirëpritur jashtëzakonisht mirë nga nxënësit(është mbështetur nga komuna e Prishtinës )dhe ka treguar rezultate shumë pozitive në rritjen e vetëdijesimit.

Gjatë realizimit të projektit kemi zhvilluar edhe një hulumtim lidhur me perceptimin e nxënësve mbi nevojën e këtij programi. Në pyetjen: “A ka qenë i nevojshëm ky program për ju?”, 100% e respondentëve janë përgjigjur pozitivisht, duke e konsideruar programin shumë të nevojshëm.

Po ashtu, në pyetjen nëse ky program duhet të vazhdojë edhe në shkollat fillore dhe me grupmosha të tjera, po ashtu 100% e nxënësve janë përgjigjur se programi duhet të zhvillohet në çdo shkollë, duke filluar nga klasat e 6-ta deri në klasat e 12-ta.

Ky rezultat dëshmon qartë nevojën urgjente për zgjerimin e programeve vetëdijësuese dhe edukative në të gjitha institucionet arsimore. Bullizmi është një dukuri që kërkon ndërhyrje të hershme dhe angazhim institucional për të parandaluar pasojat negative afatgjata.

Rekomandime

1. Programet kundër bullizmit të zbatohen në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme.

2. Të organizohen trajnime profesionale për mësimdhënësit dhe psikologët shkollorë.

3. Të përfshihen prindërit në procesin e vetëdijësimit dhe edukimit kundër bullizmit.

4. Të krijohen mekanizma të sigurt raportimi për nxënësit që përjetojnë bullizëm.

5. Të ofrohet mbështetje e vazhdueshme psiko-sociale për viktimat e bullizmit.

6. Të zhvillohen aktivitete vetëdijësuese gjatë gjithë vitit shkollor.

7. Të forcohet bashkëpunimi mes shkollave, komunave dhe organizatave joqeveritare.

8. Të realizohen hulumtime periodike për monitorimin e dukurisë së bullizmit.

9. Të promovohet kultura e respektit, empatisë dhe tolerancës në shkolla.

10. Të hartohen politika të qarta parandaluese dhe rehabilituese për rastet e bullizmit.

Vetëm përmes angazhimit të përbashkët institucional dhe shoqëror mund të ndërtojmë një mjedis shkollor të sigurt, gjithëpërfshirës dhe të shëndetshëm për të gjithë nxënësit.Kryeqyteti Prishtina

27/03/2026

Tabula rasa dhe paradoksi i edukimit

Sipas filozofit Thomas Hobbes, njeriu lind si një “fletë e bardhë” – një tabula rasa. Edukimi është ai që ia jep formën karakterit dhe sjelljes së tij. Por këtu shfaqet paradoksi: ajo që duhet ta ndërtojë njeriun shpesh edhe e deformon atë. Familja është themeli – aty ku hidhen hapat e parë – por, siç thotë populli: “ku ka mjaltë, ka edhe miza”, sepse fatkeqësisht, aty ku fillon edukimi, nis edhe keqedukimi në mënyrë të pa vetëdijshme .

Shumë prindër lidhen emocionalisht tepër me fëmijën dhe, shpesh pa e kuptuar, krijojnë shprehi që nuk i shërbejnë zhvillimit të tij. Fëmijës i jepet gjithçka e gatshme: ushqimi, veshja, kujdesi i përditshëm, pa iu dhënë mundësinë të provojë vetë. Kjo e pengon të bëhet i pavarur dhe të ndërtojë vetëbesim. Siç thotë populli: “i zoti bëhet duke punua , jo duke prit ose duke i premtua.” Paradoksi duket qartë: ndërkohë që duam ta mbrojmë fëmijën, shpesh e bëjmë të dobët dhe i ulim vetëbesimin duke mos ju dhënë undin të pavarësohet .

Kur fëmija hyn në shkollë, përballet me një realitet tjetër. Mungesa e pavarësisë e bën të pasigurt dhe më të tërhequr, duke i munguar vetëbesimi. Shpesh gjykohet ose paragjykohet nga mësuesit dhe bashkëmoshatarët, çka ndikon në uljen e vetëvlerësimit dhe rritjen e ndjenjës së inferioritetit. Siç thotë fjala e urtë: “fjala e rëndë peshon gjatë dhe nuk harrohet, kurr .” Paradoksi këtu është i dukshëm: shkolla, vendi ku duhet të ndihmojë zhvillimin, mund ta dobësojë individin që vjen si një tabula rasa. Edhe veset e krijuara nga familja ( që ka krijuar në mënyrë jo të vetëdijshme )mund të zbuten(minimizohen , me rraste të eliminohen ) gradualisht me mbështetje të duhur nga mësimdhënësit

Gjatë shkollimit të mesëm, shpesh vështirësitë thellohen. Mësimdhënësit luajnë rolin e gjykatësit ne disa raste dhe jo të edukatorit, prindërit mbrojnë fëmijën pa arsye( duke mos qenë koheshin për veset ), ndërsa sistemi arsimor nuk ofron gjithmonë mbështetjen e nevojshme për shkak të mungesës së stafit të specializuar apo edhe jo pedagog jo të mirë. Kjo mund të krijojë individë me vështirësi në përshtatje sociale. Siç thotë populli: “kur nuk mëson me u përballë, lehtë dorëzohesh.” Ky është një tjetër paradoks: keqedukimi i tepërt dobëson atë që duhet ta fuqizojë .

Në adoleshencë, mungesa e orientimit( mbështetjes emocionale) dhe kontrollit nga prindërit, shkolla dhe shteti bën që të rinjtë të kërkojnë mbështetje për problemet psiko-sociale diku tjetër. Nëse nuk e gjejnë në familje apo shkollë ku kërkohet kjo mbështetje , e kërkojnë në shoqëri jo gjithmonë të përshtatshme. Në Kosovë, jeta e natës është e zhvilluar, por shpesh nuk shoqërohet me kontroll të mjaftueshëm. Ky trekëndësh nuk funksionon si duhet dhe shpesh fajëson njëri-tjetrin, duke rritur rrezikun për sjellje devijuese. Siç thuhet: “me kë rrin, ashtu bëhesh.”

Një tjetër paradoks shoqëror është se shpesh vlerësohen më shumë lidhjet sesa dija. Punësimi dhe avancimi nuk varen gjithmonë nga merita, por nga njohjet. Kjo krijon ndjenjë padrejtësie dhe demotivimi te të rinjtë. Siç thotë populli: “drejtësia vonon, por nuk duhet me mungue.” Po harrojmë që këta fëmijë janë e ardhmja e shtetit. Nëse nuk marrin edukim të mirëfilltë dhe nuk kanë modele të shëndetshme ( model për ndjekur në karrierë) për sjellje, nëse nuk zhvillohet autokritika dhe mendimi kritik, rritet servilizmi në vend të meritokracisë. Kështu ndërtojmë një shoqëri me vlera të ulëta sociale dhe potencial për sjellje asociale
.
Në fund, përgjegjësia shpërndahet: familja fajëson shkollën, shkolla fajëson familjen, institucionet fajësojnë njëra-tjetrën. Kjo krijon një rreth vicioz që vështirë thyhet dhe prodhon individë me vështirësi sociale, e në raste ekstreme edhe me sjellje të dhunshme – Vrasje .

Ky është paradoksi i edukimit: duam të rrisim fëmijë të pavarur dhe me vlera, por shpesh, në përpjekjen për t’i ndihmuar, i mbajmë të varur dhe të paorientuar. Tabula rasa e lindur prej natyrës përballet me realitetin kompleks të shoqërisë, duke krijuar sfidën e përjetshme të edukimit: si ta formojmë njeriun pa e deformuar ..

Tefik Halili -27.03.2026

Call now to connect with business.

Bullizmi – një fenomen në rritje në shkollaNga këndvështrimi psikologjik, bullizimi përfaqëson një formë të sjelljes agr...
21/01/2026

Bullizmi – një fenomen në rritje në shkolla

Nga këndvështrimi psikologjik, bullizimi përfaqëson një formë të sjelljes agresive të përsëritur, e karakterizuar nga pabarazi fuqie mes nxënësve. Ai ndikon drejtpërdrejt në shëndetin mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve, duke shkaktuar ankth, ulje të vetëvlerësimit, depresion, izolim social dhe vështirësi në përqendrim.

Në rastet kur bullizimi nuk trajtohet në mënyrë profesionale dhe sistematike, pasojat psikologjike mund të jenë afatgjata dhe të ndikojnë negativisht në zhvillimin emocional, social dhe akademik të nxënësve. Për këtë arsye, ndërhyrjet psikologjike të strukturuara, bashkëpunimi i shkollave me organizatat joqeveritare (OJQ) dhe përfshirja e profesionistëve të shëndetit mendor janë thelbësore për parandalimin, trajtimin dhe reduktimin e bullizimit në mjedisin shkollor.

03/01/2026

Dhuna në familje si fenomen social dhe psikologjik në shoqërinë kosovare

Dhuna në familje përbën një fenomen kompleks social, psikologjik dhe kulturor, i cili gjatë vitit 2025 është shfaqur në mënyrë të theksuar në Kosovë, por njëkohësisht mbetet problem i pranishëm edhe në shumë shoqëri të tjera. Pavarësisht perceptimeve të ndryshme kulturore, në traditën shqiptare dhuna në asnjë formë – fizike, psikologjike, seksuale apo ekonomike – nuk ka qenë e pranueshme, përkundrazi është konsideruar si e dënueshme moralisht dhe shoqërisht.

Shtrohet çështja thelbësore: cilët janë faktorët që ndikojnë në shfaqjen e dhunës në familje dhe pse ky fenomen është i theksuar në kontekstin kosovar? Nga një perspektivë e përgjithshme analitike, dhuna në familje mund të kuptohet si rezultat i ndërveprimit të disa faktorëve kryesorë: gjendjes së dobët ekonomike, gjendjes së rënduar psikologjike të individëve dhe trashëgimisë së strukturave patriarkale, veçanërisht në kushtet e tranzicionit të shpejtë nga familja tradicionale patriarkale drejt familjes bërthamore -bashkohore ,pa përgatitje adekuate në aspektin shoqëror, intelektual dhe psikologjik.

Nga përvoja ime shumëvjeçare profesionale në punën direkte me individë dhe familje, këta faktorë shfaqen vazhdimisht si determinues të konfliktit dhe dhunës intrafamiljare. Në këtë kuptim, përvoja praktike përforcon gjetjet teorike mbi lidhjen ndërmjet stresit socio-ekonomik dhe sjelljeve agresive brenda familjes.

Për shembull, pasiguria ekonomike shpesh shoqërohet me presion psikologjik ndaj kryefamiljarit, i cili përballet me pritshmëri sociale për të përmbushur standarde jetese që tejkalojnë kapacitetin real financiar të familjes. Kjo situatë çon në marrje borxhesh dhe tensione të vazhdueshme, të cilat, në kushtet e mungesës së të ardhurave të mjaftueshme, manifestohen përmes fajësimeve reciproke, etiketimit negativ dhe përshkallëzimit të konflikteve.

Një faktor tjetër me rëndësi të veçantë është gjendja psikologjike e individëve, e cila shpesh mbetet e paidentifikuar dhe e patrajtuar. Periudhat zhvillimore si adoleshenca, periudha pas lindjes te gratë, si dhe përjetimi i ngjarjeve traumatike, mund të shoqërohen me çrregullime emocionale, përfshirë depresionin dhe ankthin. Në shumë raste, këto gjendje nuk njihen nga familjarët dhe rrallëherë adresohen përmes shërbimeve profesionale të shëndetit mendor. Trajtimi i problemit përmes heshtjes ose durimit rezulton i pasuksesshëm dhe shpesh kontribuon në përkeqësimin e situatës dhe shfaqjen e dhunës.

Po ashtu, tranzicioni social, veçanërisht migrimi nga fshati në qytet dhe ndryshimi i mënyrës së jetesës, ka krijuar sfida të reja për funksionimin e familjes. Familjet që kanë funksionuar për dekada në kuadër të një sistemi patriarkal shpesh presin që transformimi drejt roleve më egalitare të ndodhë brenda një periudhe të shkurtër kohore. Megjithatë, ndryshimi i strukturave familjare dhe roleve gjinore është proces gradual, i cili kërkon kohë, reflektim dhe mbështetje shoqërore.

Në përfundim, adresimi i dhunës në familje kërkon një qasje gjithëpërfshirëse, e cila përfshin zhvillimin e programeve parandaluese dhe vetëdijesuese, edukimin mbi funksionimin e shëndetshëm të familjes, si dhe ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e shëndetit mendor dhe terapisë familjare. Vetëm përmes ndërhyrjeve të strukturuara profesionale dhe përfshirjes së institucioneve përkatëse, ky fenomen mund të reduktohet dhe trajtohet në mënyrë të qëndrueshme në shoqërinë shqiptare. .

T.H-Sociolog-Psikolog-social

Address

Rr. Milan Budimir
Pristina
10000

Telephone

+38344987058

Website

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when Altruisti - ALTR posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Contact The Organization

Send a message to Altruisti - ALTR:

Shortcuts

Share