19/09/2026
Federata Sindikale e RTK-së uron 27 vjetorin e themelimit të Radiotelevizionit të Kosovës
Prishtinë, 19 shtator 2026
Me rastin e 27 vjetorit të themelimit të Radiotelevizionit të Kosovës, Federata Sindikale e RTK-së u shpreh urimet më të përzemërta të gjithë punëtorëve të RTK-së, si dhe të gjithë atyre që gjatë këtyre 27 viteve kanë dhënë kontributin e tyre në ndërtimin, zhvillimin dhe forcimin e transmetuesit publik të Kosovës.
27 vjet histori të RTK-së janë 27 vjet punë, përkushtim, sakrificë dhe profesionalizëm të qindra punëtorëve që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë pjesë e këtij institucioni.
RTK u themelua në rrethana të veçanta dhe gjatë gjithë këtyre viteve ka kaluar nëpër etapa të rëndësishme, sfida dhe vështirësi të shumta. Edhe sot, transmetuesi publik përballet me sfida financiare, por përballë tyre qëndron forca më e madhe e RTK-së: punëtorët e saj.
Gazetarët, kameramanët, redaktorët, producentët, regjisorët, teknikët, inxhinierët, punonjësit administrativë dhe të gjithë profesionistët e tjerë të RTK-së kanë dëshmuar ndër vite se ky institucion ka njerëz me përvojë, profesionalizëm dhe përkushtim të jashtëzakonshëm.
Kjo është dëshmuar edhe kur punëtorët e RTK-së, pavarësisht vështirësive, kanë qenë në krye të detyrës dhe i janë përgjigjur me profesionalizëm nevojës së publikut për informim të saktë dhe në kohë.
RTK nuk janë vetëm ndërtesat, pajisjet, studiot apo buxheti. RTK janë njerëzit që çdo ditë punojnë për të.
Prandaj, në këtë përvjetor, Federata Sindikale e RTK-së shpreh mirënjohjen dhe respektin e veçantë për të gjithë punëtorët e RTK-së, për punën dhe sakrificën e tyre ndër vite.
Një institucion i fortë ndërtohet mbi njerëz të vlerësuar, të respektuar dhe me dinjitet në punë. Mbrojtja e të drejtave të punëtorëve dhe krijimi i kushteve të dinjitetshme për punë janë të domosdoshme për të ardhmen e RTK-së dhe për përmbushjen e misionit të saj publik.
Federata Sindikale e RTK-së do të vazhdojë të jetë pranë punëtorëve dhe të angazhohet për mbrojtjen e të drejtave të tyre, për përmirësimin e kushteve të punës dhe për një RTK të fortë, profesionale, të pavarur dhe në shërbim të qytetarëve.
Pas 27 vitesh, mesazhi ynë është i qartë:
RTK ka histori.
RTK ka profesionistë.
RTK ka njerëz që besojnë në misionin e saj.
Dhe RTK ka të ardhme.