18/11/2025
L E T Ë R E H A P U R
Të nderuar deputetë,
Nesër, Kuvendi i Kosovës ka në rend dite çështjen e buxhetit të Radio Televizionit të Kosovës, një temë që tejkalon çdo debat të përditshëm politik dhe prek drejtpërdrejt funksionimin e transmetuesit publik.
Prej tre javësh, mbi 700 punëtorë të RTK-së nuk e kanë marrë pagën e muajit tetor. Kjo gjendje e rëndë po cenon jo vetëm mirëqenien e punëtorëve, por edhe vetë stabilitetin e funksionimit të RTK-së.
Prandaj, Shoqata Sindikale e Radio Kosovës ju bën thirrje që nesër të reflektoni me maturi, seriozitet dhe përgjegjësi, në mënyrë që mbi 700 punëtorë të RTK-së t’i marrin pagat dhe të sigurohet buxheti i nevojshëm për funksionimin normal të mediumit publik.
RTK është institucion i pavarur, i krijuar nga Kuvendi i Kosovës, për t’i shërbyer publikut, për të siguruar informim të drejtë, profesional dhe të balancuar. Pa një zgjidhje të qëndrueshme buxhetore, rrezikohet misioni i tij themelor dhe pavarësia editoriale, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për të ardhmen.
Pavarësisht bindjeve dhe vijave partiake, çështja e transmetuesit publik është përgjegjësi e përbashkët institucionale.
Me respekt dhe besim në përgjegjshmërinë tuaj,
Shoqata Sindikale e Radio Kosovës
Prishtinë
18.11.2025.