02/06/2026
Reagim publik ndaj komunikatës dhe publikimit të Kryeprokurorit të Prokurorisë së Prishtinës, Zejnullah Gashi
Me anë të kësaj letre, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) dhe Internews Kosova njoftojnë opinionin publik se kanë kërkuar nga organet kompetente të sistemit prokurorial largimin e përmbajtjeve të pavërteta për punën tonë, të publikuara më 1 qershor 2026 në emër të një reagimi të Kryeprokurorit të Prishtinës, z. Zejnullah Gashi.
Në publikimin e datës 1 qershor 2026, Zejnullah Gashi ka përdorur platformën e Prokurorisë së Shtetit për të lansuar akuza të pabazuara ndaj cilësisë së punës së ekipit tonë lidhur me raportimin për vizitën e tij në zyrën e ish-ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut.
Z. Zejnullah Gashi, i cili që nga data 7 maj 2026 është kontaktuar përmes telefonit, në takim të drejtpërdrejtë dhe përmes emailit disa herë nga ekipi ynë për të sqaruar këtë takim dhe arsyet e vizitës së tij, nuk ka dhënë përgjigje dhe nuk ka pranuar të intervistohet.
Megjithatë, në një reagim të njëanshëm dhe pa asnjë bazë, ai ka akuzuar ekipin tonë për mungesë profesionalizmi.
Publiku duhet ta dijë se në reagimin e tij, Kryeprokurori Zejnullah Gashi nuk ka sqaruar:
Pse ka shkuar me lëndë në zyrën e ish-ministres?
Nëse në të njëjtën ditë ka kërkuar heqjen e paraburgimit për të akuzuarin Lavdim Krasniqi?
Arsyet pse kishte tentuar të arsyetohej në zyrën e ish-ministres lidhur me lëndën e korrupsionit që po hetonte?
Për më tepër, z. Gashi synon të theksojë në reagimin e tij se rasti ndaj tij është i mbyllur, ndërsa hulumtimi i KALLXO.com për këtë çështje pasqyron përgjigjen e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, i cili ka bërë të ditur se për këtë rast nuk kishte një hetim disiplinor të hapur në Prokurorinë e Shtetit.
Në pretendimet e tij, z. Gashi synon të delegjitimojë hulumtimin e publikuar më 26 maj 2026, duke pretenduar se ai nuk ka bazë faktike dhe nuk mbështetet në burime informacioni.
Ky publikim është bazuar në dokumente zyrtare të Prokurorisë së Shtetit, deklaratat e ish-ministres Albulena Haxhiu, si dhe në përgjigjet e pranuara nga Prokuroria Speciale dhe Prokuroria e Shtetit.
Për më tepër, z. Zejnullah Gashi pretendon se hulumtimi është publikuar në kohën e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit.
Ne i sqarojmë publikut se hulumtimi ka nisur në prill të vitit 2026 dhe se z. Zejnullah Gashi ka pranuar pyetjet si në adresën e tij elektronike, ashtu edhe në recepsionin e Prokurorisë më 7 maj 2025.
Që nga ajo kohë, ai nuk ka dhënë asnjë sqarim për arsyet e vizitës së tij në zyrën e ish-ministres Haxhiu.
Në deklaratën e tij, z. Zejnullah Gashi synon të krijojë përshtypjen se organizatat tona kanë një qasje të privilegjuar në Prokurorinë e Shtetit, pretendim ky plotësisht i pasaktë dhe lehtësisht i verifikueshëm. Çdo publikim apo aktivitet është zhvilluar në kuadër të programeve kundër korrupsionit dhe programeve për zhvillimin e kapaciteteve profesionale.
Duke konstatuar se deklarata e z. Zejnullah Gashi përmban elemente shpifëse dhe përbën presion të qartë ndaj gazetarisë së pavarur, ne sot i jemi drejtuar me letër zyrtare Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë, me kërkesë që deklarata me përmbajtje të pavërtetë të largohet nga faqja zyrtare në Facebook e Sistemit Prokurorial.
Ky paralajmërim është dërguar në përputhje me standardet e Ligjit Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes dhe, në rast të mosveprimit të menjëhershëm, ne do të dorëzojmë padi në gjykatë sipas procedurave ligjore në fuqi.