02/10/2026
Si mund të krijojmë më shumë mundësi për të rinjtë në rrugëtimin nga shkolla drejt punës? 💡
Zgjerimi i qasjes në praktika dhe përgatitja e të rinjve për tregun e punës kërkojnë angazhim të përbashkët dhe hapa konkretë. Për këtë qëllim, punëtoria dyditore e Kosovo Generation Unlimited (K-GenU), e organizuar në bashkëpunim me UNICEF Programme in Kosovo, po mbledh përfaqësues të institucioneve, shoqërisë civile, sektorit privat dhe organizatave që punojnë me të rinjtë për të vlerësuar progresin e programit dhe për të përcaktuar prioritetet për të ardhmen.
Me mbështetjen e Agjencisë Austriake për Zhvillim, punëtoria po i kushton vëmendje të veçantë shtrirjes së programit në shkolla, qendra rinore dhe komunitete rurale, si dhe përfshirjes së të rinjve nga grupet e margjinalizuara. Synimi është që vendbanimi apo rrethanat sociale të mos bëhen pengesë për qasje në përvojën e parë profesionale.
Përmes diskutimeve dhe punës në grupe, pjesëmarrësit po kontribuojnë në hartimin e një plani të përbashkët veprimi, me Agjencinë e Punësimit në rol qendror dhe me bashkëpunim ndërmjet partnerëve. Ky plan synon t’i kthejë përvojat dhe rekomandimet në veprime konkrete për zgjerimin e mundësive të praktikës në nivel lokal dhe kombëtar.
Investimi në të rinjtë është investim në zhvillimin e Kosovës. Bashkëpunimi i sotëm hap rrugën për më shumë mundësi nesër. 🤝
Photo by UNICEF/2026/F.Limani