ADMOVERE

ADMOVERE ADMOVERE (Transitional Justice | Education | Peacebuilding) angazhohet për drejtësi transicionale, edukim dhe ndërtim të paqes.

QYSHK – PAVLAN - ZAHAQ14 MAJ 1999Ndërsa forcat policore e ushtarake sërbe-jugosllave po depërtonin në fshatin Qyshk të P...
13/05/2026

QYSHK – PAVLAN - ZAHAQ
14 MAJ 1999

Ndërsa forcat policore e ushtarake sërbe-jugosllave po depërtonin në fshatin Qyshk të Pejës në orët e hershme të 14 majit 1999, shumica e burrave të fshatit ia dolën të iknin në kodrat e afërme. Gjatë depërtimit, këto forca nëpër pjesë të ndryshme të fshatit i vranë 12 burra. Mes të vrarëve ishte Qaush Lushi, 50 vjeçar, i cili u ofroi para pjesëtarëve të forcave sërbe-jugosllave për ta shpëtuar të birin 20 vjeçar, A***n Lushin. Megjithatë, pasi ia morën paratë, ata ia ekzekutuan të birin, kurse Qaushin edhe e prenë në fyt.
Pjesën e mbetur të popullatës e grumbulluan në qendër të fshatit dhe i ndanë gratë, fëmijët dhe pleqtë prej burrave që nuk kishin arritë të iknin. Fshatarëve të tubuar ua morën paratë, arin dhe sendet e tjera me vlerë, si dhe ua shkatërruan dokumentet e identifikimit. Sipas dëshmitarëve, burrat e kapur i ndanë në tri grupe dhe i futën në tri shtëpi të ndryshme, ku i ekzekutuan, për t’ua vënë më pas zjarrin shtëpive.
Sidoqoftë, në secilën nga tri shtëpitë shpëtoi gjallë nga një person.
Në grupin e parë prej 12 burrave, që i futën në shtëpinë e Azem Gash*t, shpëtoi Isa Gashi, i cili në dëshminë e dhënë pas luftës thotë: «Njani na tha që duhet me pyetë komandantin e vet çka me ba me ne. Kur foli me radio-lidhje, ai i tha: ‘Vrajini krejt përnjiherë’. Nji ushtar që ish te dera, nisi me na gjujtë me automatik M-48, e mue më plagosi në kambë të majtë. Atëherë unë u rrëzova, e përsipër më ranë të dekun Ibër Kelmendi me vëllaun tem Halim Gashin. Qai ushtari, para se me na gjujtë, bërtiti: ‘Në emën të Sërbisë!’ Atëherë, krejt ushtarët nisën me gjujtë nëpër dhomë. Mbasandej, ia vunë flakën shpisë edhe u nisën m’u tërhjekë. Unë u zhagita përfundi trupave edhe kuptova që kurrkush tjetër prej grupit tem nuk ish ma gjallë».
Grupin e dytë prej nëntë burrave, pjesëtarët e forcave sërbe-jugosllave e futën në shtëpinë e Demë Gash*t, ku shpëtoi vetëm Rexhë Kelmendi. Kjo sepse një pjesëtar i forcave ia hodhi shkrepsën para këmbëve dhe e urdhëroi ta merrte për t’ua vënë flakën perdeve, e kur Kelmendi u përkul, ai zbrazi një breshëri mbi burrat e tubuar në dhomë. Kelmendi arriti më vonë të ikte në dhomën tjetër dhe të dilte nga dritarja.
Grupin e tretë prej 10 burrave e tubuan në shtëpinë e Sahit Gash*t. Mbasi i urdhëruan të uleshin në dysheme, nisën të shtinin mbi ta, e në fund i dogjën trupat e të vrarëve. Hazir Berisha, i mbijetuari i këtij grupi, për hulumtuesit e Fondit për të Drejtën Humanitare deklaroi: «Gjujshin hiç pa ndalë. Ai që na gjujke ish i gjatë e me ftyrë të lyeme. Mbasi më rroku, e pashë që mori nji plaf edhe e kalli. Mbasandej, e mori nji syngjer të madh, na e qiti përsipër edhe ia futi flakën».
Gazetarët amerikanë Michael Montgomery dhe Stephen Smith, për hulumtimin e titulluar ‘Masakra e Qyshkut’, intervistuan 11 pjesëtarë të forcave sërbe-jugosllave, disa prej të cilëve kishin qenë të përfshirë në masakrën e Qyshkut. Njëri prej të intervistuarve, 20 e pak vjeçar, me pseudonimin Miodrag, thotë:
«Në Qyshk, u nisa drejt një shtëpie me një shok, V-në. Aty u bëmë bashkë edhe me një tjetër, K-në. Hymë në shtëpi. Brenda ishte një plak shqiptar. Ishte krejt vetëm, duke thithë llullë. Filluam ta kontrollonim shtëpinë, por V. iu kthye plakut. Plaku u bë sikur nuk po kuptonte sërbisht. Kuptohet, V. nisi të tallej me plakun e ta kërcënonte, dhe tipi u shtang krejt. V. vazhdoi ta provokonte, derisa plaku i tha, në sërbisht: ‘Lehtë e ke ti, se je i armatosur, e unë nuk jam.’ Prandaj, V. nxori një thikë dhe e gjujti plakun. E rroku në shpatull. V. i tha: ‘Tash je i barabartë, tash je i armatosur’. Mandej mbaroi punë me plakun. E qëlloi në kokë».
Një tjetër i intervistuar, 30 e pak vjeçar, me pseudonimin Vaso, që kishte shërby në njësinë speciale taktike të Ushtrisë së Jugosllavisë dhe kishte marrë pjesë në masakrën e Qyshkut, mes të tjerash thotë:
«Tash e pyes veten: A duhej të isha atje? A kisha qenë i çmendur? Po të dija çka di sot, ndoshta nuk do të kisha shkuar. Përsëri, kur përjeton trauma të rënda, është e vështirë t’i kuptosh gjërat. Unë eci rrugëve, vetëm. Eci gjithë ditën veç duke menduar. Ndonjëherë më duket se kisha të drejtë që shkova për të luftuar, e herë të tjera ndjej se kam gabuar. Pamjet e të gjitha atyre gjërave ende i kam në mend. Ende i shoh ata njerëz të pafajshëm duke vdekë. Shoh një luftëtar duke e vra një grua në sy të burrit dhe të fëmijës së vet. Është diçka që nuk do ta harroj kurrë… Ata njerëz duhet të ndëshkohen».
Pas largimit të forcave sërbe-jugosllave nga Qyshku, fshatarët hynë në shtëpitë ku ishin ekzekutuar tri grupet e burrave, i mblodhën trupat që ende ishin duke u djegë dhe i fshehën. Tri ditë më vonë i varrosën në një varr masiv në qendër të fshatit, bashkë me trupat e të vrarëve të tjerë nëpër fshat.
Ajshe Kelmendi nga Qyshku, e cila në masakër kishte humbë bashkëshortin dhe djalin, në dëshminë e dhënë në Gjykatën Speciale të Beogradit në shkurt 2012 kundër pjesëtarëve të Skuadrës së Ndërhyrjes 177 të Ushtrisë së Jugosllavisë, thotë:
«Na shtinë m’i gjujtë në tokë krejt çka kishim – dokumentet, paret, arin – e m’i qitë duert mbrapa kresë. Na ndanë në dy rreshta, njanin me gra e fëmijë, tjetrin me burra... Neve grave na çuen n’oborrin e njanës prej shpive, e burrat i futën nëpër dhoma. Krejt i pushkatuen prej mbrapa shpine, mbasandej i kallën shpitë me gjithë xhenaze».
Të njëjtën ditë, sapo u larguan prej Qyshkut, forcat policore e ushtarake sërbe-jugosllave vazhduan për në fshatrat fqinje Pavlan e Zahaq.
Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare, më 14 maj 1999, në në fshatrat e Pejës: Qyshk, Pavlan e Zahaq, forcat sërbe-jugosllave kanë vra gjithsej 75 persona: 72 meshkuj e 3 femra; 74 shqiptarë e 1 rom; 0 nën 18-vjeçarë, ndërsa 2 mbi 65-vjeçarë. Prej 72 të vrarëve, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, 3 figurojnë të regjistruar si pjesëtarë të formacioneve të armatosura përkatësisht ushtarë.
Sqarim: Lista e të dhënave për personat e vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës në Kosovë 1998–1999, e përpiluar nga Fondi për të Drejtën Humanitare, nën udhëheqjen e zonjës Nataša Kandić, është një burim i etabluar referencial. Megjithatë, për disa masakra, kjo listë përmban pasaktësi ose kategorizime të kontestueshme. Kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse, sipas dokumentit metodologjik të hartuar nga ekspertë të angazhuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare, statusi i viktimës në listë – civil apo anëtar i një formacioni të armatosur përkatësisht ushtar – i referohet statusit në momentin e vdekjes ose zhdukjes, e jo ndonjë statusi të mëparshëm. Prandaj, në rastet kur persona të masakruar figurojnë si pjesëtarë të formacioneve të armatosura, përkatësisht si ushtarë, ndonëse në momentin e vrasjes ishin civilë të paarmatosur, të pauniformuar dhe nuk kishin bërë rezistencë, një kategorizim i tillë duhet marrë me rezervë.
Më 2014, Gjykata Speciale në Beograd dënoi nëntë pjesëtarë të Skuadrës së Ndërhyrjes 177 të Ushtrisë së Jugosllavisë për vrasjen e më se 100 shqiptarëve të Kosovës në pranverë të vitit 1999 në katër fshatra të Pejës: Lubeniq, Qyshk, Pavlan e Zahaq.
Ish-komandanti i Ushtrisë së Jugosllavisë, Toplica Miladinović, u dënua me 20 vjet burg për urdhërimin e komandantit të Skuadrës, Nebojša Minić, që t’i sulmonte fshatrat Lubeniq, Pavlan, Zahaq dhe Qyshk të Pejës. Të dënuarit e tjerë janë: Dejan Bulatović dhe Milojko Nikolić me nga 20 vjet, Ranko Momić me 15 vjet, Abdulah Sokić me 12 vjet, Srećko Popović me 10 vjet, Siniša Mišić me 5 vjet, si dhe Slaviša Kastratović dhe Boban Bogićević me nga 2 vjet. Ndërsa, Radoslav Brnović dhe Veljko Korićanin u liruan.
Megjithatë, vetëm pas një viti, Gjykata e Apelit në Beograd e anuloi vendimin e mësipërm, duke e cilësuar ‘të paqartë dhe kontradiktor’ dhe duke e dërguar rastin në rigjykim. Rigjykimi po shoqërohet me vonesa e shtyrje të shpeshta të seancave dhe po vazhdon ende (2023).

© Fred Abrahams
Varrimi i të masakruarve në Qyshk.

GJAKOVË7-10 MAJ 1999Në mëngjesin e 7 majit 1999, në lagjen Kodra e Çabratit në Gjakovë filluan luftime që u zhvilluan sh...
07/05/2026

GJAKOVË
7-10 MAJ 1999

Në mëngjesin e 7 majit 1999, në lagjen Kodra e Çabratit në Gjakovë filluan luftime që u zhvilluan shtëpi më shtëpi deri më 11 maj 1999 dhe u pasuan nga një dhunë intensive shtetërore kundër civilëve.
Dëshmitarët okularë e përshkruajnë ofensivën e palës sërbe si aksion të kombinuar nga forcat speciale policore dhe paramilitare, që karakterizohej me ekzekutime masive e djegie të shtëpive. Veç këtyre, këto forca në këtë zonë grumbulluan afërsisht 2,000 gra, fëmijë e pleq dhe rreth 500 burra. Gratë dhe fëmijët i liruan brenda 24 orëve, kurse shumicën e burrave i arrestuan.
Në mbrëmjen e 7 majit 1999 një grumbull civilësh u larguan nga zona e luftimeve për t’u nisë drejt qendrës së qytetit. Kur mbërritën te ‘Ura e Taliçit’, forcat sërbe i ndalën dhe i ndanë gratë e fëmijët prej burrave, të cilët i dërguan në lagjen ‘Mulla Jusufi’, ku i grupuan në dy grupe dhe i ekzekutuan. Këtu janë ekzekutuar gjithsej 26 persona.
Behar Efendija, i mbijetuar prej kësaj masakre, në dëshminë e dhënë fill pas luftës për HRW-në, thotë:
«Unë edhe nji tjetër ishim të fundit. Kur hyna unë n’oborr, i pashë krejt të vdekun. Na gjuejshin. Na thanë ‘Kthehuni me shpinë’. Plumbat ma së pari më rrokën në kambë, mandej në gjoks, në gishta, e prap do tjerë në kambë. Dymbëdhetë herë më kanë rrokë. Na kontrolluen të tanëve me pa kush ish hala gjallë. Mue më shkelën në shpinë – të fundit mue më kontrolluen. Në qat moment as nuk mora frymë, as nuk livrita. Mandej i ndieva tue thanë se po dojnë m’i ekzekutue do tjerë, edhe dolën».
Agron Binaku, i mbijetuar tjetër i kësaj masakre, që i kishte ndie krismat e pushkëve dhe piskamat nga grupi tjetër i të ekzekutuarve, në dëshminë e dhënë fill pas luftës për HLC-në, thotë:
«Isha i sigurt që ata i vranë e që edhe neve kishin me na e ba njisoj. Policët na urdhnuen me ecë 200 metra. Na rreshtuen para nji muri. Mandej na i lypën letërnjoftimet edhe na i morën krejt paret. Nji shpi afër neve ish kah kallet. Halil Axhemi nuk e gjejke letërnjoftimin, kështu që krejt policët u mblodhën rreth tij. Unë e shfrytëzova qatë rast edhe ngava e hina në atë shpinë që u kallke. Policët më gjuejtën e më rrokën në kambë. Unë s’u ndala, po vazhdova me nga derisa erdha te njifarë oborri. Aty u shtriva në do hitha. Mbas pak minutash i ndieva rafalet e automatikëve edhe njerëzit tue piskatë. Babën e kisha midis tyne. Fill masandej, policia erdhi tue më thirrë me dalë, e më premtuen se gjoja kurrgja nuk kanë me më ba e se veç dojnë me më vetë diçka. Unë nuk luejta vendit. Ata pritën do kohë, e mandej i ndieva tuj u largu. Kah mesnata, u çova e shkova te shpia e Nadir Shllakut. Nadiri ma mjekoi varrën».
Më 10 maj 1999, në qytetin e Gjakovës, në shtëpinë e familjes Dana hynë dhunshëm katër policë sërbë dhe i urdhëruan të gjithë të dilnin në oborr. Aty i ndanë mënjanë gratë me fëmijët, kurse burrat e familjes i nxorën në rrugë duke i grushtuar e shuplakuar. Mandej burrat i rrëmbyen dhe u larguan në drejtim të panjohur. Trupat e tyre u gjetën më 2005 në varrezën sekrete masive në Qendrën e Trajnimit Policor në Batajnicë të Sërbisë.
Ilirian Dana, atëherë 18-vjeçar, kish qenë ndërmjet burrave që forcat policore sërbe i kishin nxjerrë në rrugë, por kishte shpëtuar falë një ushtari jugosllav:
«E ndieva nji polic kah thotë se duhen m’e bastisë shpinë. Qatëherë ma ndalën dajakun e u futën n’oborr. Nji ushtar, që ish me nji grup të do ushtarëve që kqyrshin çka po ndodh, m’u afrue e më veti a muj m’u çue në kambë. U çova me ndihmën e tij. Mandej ma kallxoi me gisht nji rrugicë mbrapa e më tha me nga tandej. Unë u shtanga, s’mujsha as me livritë. Po, fill mbrapa ai ushtari më bërtiti e më tha m’u zhdukë kah qajo rrugë. Nuk e di qysh kam nga, po nëpër qat rrugicë ika vrap drejt qendrës».
Të njëjtën ditë, pjesëtarë të forcave sërbe-jugosllave hynë në shtëpinë e familjes Sharani, ku rrëmbyen 11 persona. Trupat e tyre u gjetën më 2005 në Batajnicë. Luljeta Sharani, të cilës ia rrëmbyen burrin, Skyfterin, me dy bijtë, Valonin e Visarin, si dhe dy kunetërit, Mentorin e Tahirin, në një rrëfim fill pas luftës për Newsweek, tha:
«Herën e mbramë që i kam pa, ishin në oborr me duer për muri... Dojmë veç me ditë a janë hala gjallë... I kqyri fotografitë e djemve e më doket që po më thojnë, ‘Mam, pse nuk na mbrojshe?’».
Në Çabrat, ku shumica e shtëpive ishin bërë shkrumb e hi, Afrim Domi tregoi për New York Times fill pas luftës se si forcat sërbe ia kishin vra të bijën 17 vjeçe, Yllka Domin:
«Bërtiti, ‘Ma mirë me më vra se me më përdhunu!’ tuj nga drejt malit për me iu ikë ushtarëve sërbë që na e patën rrethu shpinë me 7 maj... Çikën ma plagosën në kambë kur ish tue nga me iu ikë, e s’kam mujtë m’e gjetë ma kurrë prej atëherë. Iku se do ditë ma përpara patën provu m’e përdhunu do ushtarë sërbë. Qatë ditë iku, mbasi e pati pa qysh po e përdhunojnë nji tjetër adoleshente në Gjakovë – edhe familja e saj e pati pa».
Faton Polloshka nga ndërmarrja pastruese ‘Çabrati’ në Gjakovë, në një intervistë dhënë fill pas luftës për New York Times, thotë se nga 7 e deri më 10 maj 1999 punëtorët e tij i kanë mbledhë trupat e rreth 100 të vrarëve dhe i kanë varrosë në një varr masiv në varrezat komunale më 14 maj 1999. Sipas tij, më 22 maj 1999, forcat sërbe i kanë zhvarrosë dhe i kanë marrë kufomat:
«Tanë natën gropuen, prej orës 7 në mbramje deri në 5 të mjezit... Përdorën ekskavator, bile tetë prej punëtorëve tonë i morën për me iu ndihmu... Krejt trupat e të vdekunve i morën sërbët... Nuk e dimë as kah i kanë çu».
Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare, më 7-10 maj 1999, në qytetin e Gjakovës forcat policore sërbe kanë vra gjithsej 109 persona: 107 meshkuj e 2 femra; 106 shqiptarë e 3 ashkalinj; 10 nën 18-vjeçarë, me më të voglin 14-vjeçarin Florent Sylejmani, ndërsa 7 mbi 65-vjeçarë, me më të vjetrin, 87-vjeçarin Ramadan Dana. Prej 109 të vrarëve, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, 17 figurojnë të regjistruar si pjesëtarë të formacioneve të armatosura përkatësisht ushtarë.
Sqarim: Lista e të dhënave për personat e vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës në Kosovë 1998–1999, e përpiluar nga Fondi për të Drejtën Humanitare, nën udhëheqjen e zonjës Nataša Kandić, është një burim i etabluar referencial. Megjithatë, për disa masakra, kjo listë përmban pasaktësi ose kategorizime të kontestueshme. Kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse, sipas dokumentit metodologjik të hartuar nga ekspertë të angazhuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare, statusi i viktimës në listë – civil apo anëtar i një formacioni të armatosur përkatësisht ushtar – i referohet statusit në momentin e vdekjes ose zhdukjes, e jo ndonjë statusi të mëparshëm. Prandaj, në rastet kur persona të masakruar figurojnë si pjesëtarë të formacioneve të armatosura, përkatësisht si ushtarë, ndonëse në momentin e vrasjes ishin civilë të paarmatosur, të pauniformuar dhe nuk kishin bërë rezistencë, një kategorizim i tillë duhet marrë me rezervë.
Për këtë masakër deri më sot nuk është dënuar, e madje as gjykuar, askush.

© Massimo Sciacca
Çarshia e Vjetër në Gjakovë, e shkatërruar nga forcat sërbe-jugosllave.

STUDIMENë fund të marsit dhe fillim të prillit 1999 forcat sërbe urdhëruan shqiptarët e qytezës së Vushtrrisë dhe të fsh...
02/05/2026

STUDIME

Në fund të marsit dhe fillim të prillit 1999 forcat sërbe urdhëruan shqiptarët e qytezës së Vushtrrisë dhe të fshatrave përreth që t’i braktisnin shtëpitë, pastaj një pjesë të tyre e nisën drejt Shqipërisë, ndërsa të tjerët i lejuan të qëndronin në zonën rreth Vushtrisë deri më 2 maj 1999. Shumë nga të zhvendosurit përfunduan në fshatrat Bajgorë, Vesekoc, Kurillovë e Sllakovc në verilindje të Vushtrrisë.
Në fund të prillit 1999 forcat sërbe-jugosllave i detyruan të strehuarit në këto zona të largoheshin. Një numër të madh të banorëve që po largoheshin drejt Vushtrrisë, forcat sërbe i grumbulluan në Studime të Ulët dhe Studime të Epërme, bashkë me banorët e këtyre dy fshatrave. Një burrë, që ishte gati në ballë të kolonës, në dëshminë dhënë OSBE-së tregon se asaj i prinin udhëheqësit politikë shqiptarë të zonës duke mbajtë një flamur të bardhë.
Megjithëkëtë, ushtarë jugosllavë, të mbështetur nga policë e paramilitarë, me uniforma të gjelbërta e të kaltërta, disa me mjekra e disa me maska, e ndaluan kolonën prej qindra automjetesh e mija të zhvendosurish, i nxorën burrat nga traktorët, i detyruan t’i vinin duart mbrapa kokës e të uleshin në rrugë, i fyen, i rrahën, ua morën paratë dhe arin. Sipas dëshmitarëve të intervistuar nga HRW, ata që nuk kishin pará i vrisnin, e ata që kishin e ua jepnin, i lironin, ndonëse kishte plot raste që edhe ua merrnin paratë edhe i vrisnin.
Një pjesëtar i forcave sërbe e ekzekutoi një 37-vjeçar pasi ia shtyu tutje me pushkë djalin katërvjeçar. Një i plagosur në krah rrëfeu se pas dy ditëve një mjek në mal u detyrua t’ia amputonte krahun me sharrë. Një tjetër dëshmitar tregoi se forcat sërbe ia vranë djalin që ishte martuar atë mëngjes. I njëjti rrëfeu edhe se i ka ndier pjesëtarët e forcave sërbe duke komunikuar në radio-lidhje që t’i vazhdonin vrasjet derisa të mbërrihej numri 100. Shumica e trupave të vrarë ishin të gjymtuar: pa krahë, pa këmbë, pa kokë.
Dëshmitarët e intervistuar më vonë nga Amnesty International, pohuan se atë mbrëmje, forcat sërbe vranë dhjetra burra duke kaluar nëpër kolonën e traktorëve. Një i mbijetuar i kësaj masakre i tha HRW-së:
«Mbasi më rrehën, i pashë tre ushtarë a policë, tue i ngrehë zhag dy çika, dikund midis 17 e 20 vjeçe. I ngrehën qashtu nja njizet a tridhetë metra, e nuk pashë ma çka u ba me to. Po kur u kthyen mbas nja pesëmbëdhetë a njizet minutash, e pashë që këmishat i kishin të shkyeme për midisi».
Fadil Beqiri, aktivist i të drejtave të njeriut gjatë viteve ‘90 në Vushtrri, dëshmitar i masakrës në Studime, në intervistën e dhënë për autorin norvegjez, Josef Martinsen, thotë se forcat policore, ushtarake e paraushtarake sërbe e jugosllave i kishin rrethuar të dëbuarit në formën e patkoit dhe u kishin lënë vetëm një dalje për në Vushtrri:
«Forcat sërbe arritën në Studime të Epërme në grupe. Grupi i parë plaçkiti gjithçka që gjeti, grupi i dytë hodhi granata mbi njerëzit nga largësia, grupi i tretë vrau dhe ekzekutoi njerëz. Ata dogjën tërë fshatrat e Shalës së Bajgorës. Ata e ndoqën karvanin e njerëzve, pritën deri sa të bëhej terr e pastaj filluan ekzekutimin e njerëzve... Viktimat mbetën aty, në mes të Studimes së Epërme dhe të Poshtme».
Besim Gërxhaliu, të cilit forcat sërbe ia kishin vra 11 anëtarë të familjes, ia doli të ikte sapo pushuan të shtënat e të fshihej në male. Në një prononcim fill pas luftës për Chicago Tribune, ai thotë:
«Nisën me gjuejtë hala sa ishin njerëzit në traktora... Nji vëllaut tem, që i grahke traktorit, i thanë me zhdrypë edhe mandej e vranë. Krejt m’i kanë vra 11 anëtarë të familjes. Do njerëzve iu merrshin pare për mos me i vra. Krejt bashkë, më duket i kanë plaçkitë rreth 18,000 marka ($10,000). Nisën me i marrë thminë prej traktorave, e kah i ulshin, unë u lëshova teposhtë edhe iu ika. U nisa tue nga kah kodrat, e prej aty e shihsha katundin qysh po kallet. Gjysën e shpijave, në të paktën dhetë katunde, i kanë kallë».
Shumë prej të mbijetuarve të Masakrës së Studimes, forcat sërbe-jugosllave i dërguan në hangarët e kooperativës bujqësore të Vushtrrisë. Të nesërmen në mëngjes, gratë dhe fëmijët i nisën për në Shqipëri, kurse nja 4,500 burra i futën në burgun e Smrekonicës, nëpër dhoma të mbingarkuara e të papastra, ku i torturonin derisa e humbnin vetëdijen. Sipas një të burgosuri të intervistuar nga Amnesty International, «Të burgosunit i detyrojshin me knu kangë popullore sërbisht. I shtishin m’u rrokë vlla me vlla edhe baballarët me i rrehë djemtë e vet, veç sa m’u argëtu ata për veti».
Në aktakuzën e TPNJ-së kundër Presidentit të RFJ-së, Slobodan Milošević dhe të tjerëve thuhet se rreth datës 2 maj 1999 ose në atë datë, forcat sërbe-jugosllave sulmuan disa fshatra të Vushtrrisë, duke dëbuar fshatarët nga shtëpitë dhe duke ua djegë ato. Më pas fshatarët i detyruan të udhëtonin në konvoj për në fshatin Studime në drejtim të Vushtrrisë, ku forcat sërbe-jugosllave ndaluan, ngacmuan, rrahën, si dhe vranë afërsisht 104 shqiptarë.
Të nesërmen, të mbijetuarit, së bashku me pjesëtarë të UÇK-së që fshiheshin maleve duke mbijetuar nga racione të varfëra me bukë e patate, i varrosën trupat e të vrarëve në një varrezë masive në Studime. Fill pas luftës, ekspertët e TPNJ-së i zhvarrosën dhe i ekzaminuan.
Romeu Ventura, hetues i TPNJ-së, lidhur me vrasjet e civilëve më 2 maj 1999 në Studime, për gazetën ‘Independent’ deklaroi:
«Vrasjet filluan dikur mes orës 8 e 9 të natës, sapo u errësua… Shumica nga të vrarët janë meshkuj. Të gjithë ishin të qëlluar nga afërsia… Shumë të mbijetuar të masakrës dhanë hollësi prej dëshmitarësh okularë të kasaphanës… I kanë njohur shumicën e vrasësve sepse këta njerëz kanë jetuar bashkë me vite të tëra. Ky ishte nga ato rastet kur fqinji i sulet fqinjit… I kemi emrat e ushtarëve dhe të shefave të policisë sepse shumë prej të mbijetuarve i njihnin».
Sipas të dhënave të Fondit për t ë Drejt ën Humanitare, më 2 maj 1999 në Studime të Vushtrrisë forcat sërbe-jugosllave kanë vra 108 persona: 98 meshkuj e 10 femra, të gjithë shqiptarë. Prej tyre, 5 ishin të mitur, me më të voglën Antigona Idrizin, dyvjeçare, e 12 ishin të moshës mbi 65-vjeçare, me më të vjetrën, Kada Hasanin, 92-vjeçare.
Prej 108 të vrarëve, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, 8 figurojnë të regjistruar si pjesëtarë të formacioneve të armatosura përkatësisht ushtarë.
Sqarim: Lista e të dhënave për personat e vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës në Kosovë 1998–1999, e përpiluar nga Fondi për të Drejtën Humanitare, nën udhëheqjen e zonjës Nataša Kandić, është një burim i etabluar referencial. Megjithatë, për disa masakra, kjo listë përmban pasaktësi ose kategorizime të kontestueshme. Kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse, sipas dokumentit metodologjik të hartuar nga ekspertë të angazhuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare, statusi i viktimës në listë – civil apo anëtar i një formacioni të armatosur përkatësisht ushtar – i referohet statusit në momentin e vdekjes ose zhdukjes, e jo ndonjë statusi të mëparshëm. Prandaj, në rastet kur persona të masakruar figurojnë si pjesëtarë të formacioneve të armatosura, përkatësisht si ushtarë, ndonëse në momentin e vrasjes ishin civilë të paarmatosur, të pauniformuar dhe nuk kishin bërë rezistencë, një kategorizim i tillë duhet marrë me rezervë.
Në shkurt 2009 dhe në janar 2014, Tribunali i Hagës, për vrasjet mes të tjerash edhe në Studime, si krim kundër njerëzimit dhe si shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës, i dënoi këta persona: Nikola Šainović, zëvendës-kryeministër i RFJ-së (1996-2000) me 22 vjet burg; Nebojša Pavković, komandant i Batalionit të Tretë të Ushtrisë së Jugosllavisë (1998-1999) me 22 vjet burg; si dhe Sreten Lukić, komandant i policisë sërbe në Kosovë (1998-1999) me 20 vjet burg.
Më 23 shkurt 2011, TPNJ gjeti se Vlastimir Đorđević, shef i Departamentit të Sigurisë Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Sërbisë, ishte fajtor për pesë pika, e katërta prej të cilave e ngarkonte për kryerjen e krimit të vrasjes, si krim kundër njerëzimit, nëpërmjet pjesëmarrjes në ndërmarrjen e përbashkët kriminale, si dhe për ndihmesën dhe nxitjen në vrasjen e shqiptarëve të Kosovës, mes të tjerash edhe në Studime, (por vetëm për këto katër viktima: Haki Gërxhaliu, Miran Xhafa, Veli Xhafa dhe Hysni Bunjaku), prandaj e dënoi me 27 vjet burg. Më 27 janar 2014 Dhoma e Apelit e TPNJ-së ia uli dënimin në 18 vjet.
Më 20 prill 2017, prokurori i EULEX-it Paul Flynn ngriti aktakuzë kundër të pandehurit Zoran Vukotić, me arsyetimin se më 2 dhe 3 maj 1999 ka marrë pjesë në sulmin mbi popullatën civile shqiptare në Studime, me ç’rast janë privuar nga jeta shumë persona. Por, më 25 maj 2018, i pandehuri është liruar nga kjo pikë e akuzës, në mungesë të provave të mjaftueshme që do ta vërtetonin pjesëmarrjen e tij në sulm.

© Reuters
Shqiptarët e liruar nga kampi në Smrekonicë të Vushtrrisë e kalojnë kufirin me Shqipërinë.

MEJË-KORENICË     Më 27 prill 1999, forcat policore e ushtarake sërbe-jugosllave sulmuan Mejën dhe fshatrat përreth, duk...
27/04/2026

MEJË-KORENICË

Më 27 prill 1999, forcat policore e ushtarake sërbe-jugosllave sulmuan Mejën dhe fshatrat përreth, duke i granatuar e djegë shtëpitë e shqiptarëve. Banorëve shqiptarë ua konfiskuan dokumentet e identifikimit dhe i detyruan të niseshin në konvoje në drejtim të Shqipërisë, duke u thënë: ‘Shqipëria është vendi juaj. Kosova është e jona!’. Për dëbimet nga këto fshatra dhe djegiet e shtëpive, përveç dëshmitarëve shqiptarë, në TPNJ dëshmuan edhe dy ushtarë të UJ-së, të identifikuar nga kjo gjykatë si K73 dhe K90.
Po më 27 prill 1999, pjesëtarë të forcave sërbe-jugosllave rrëmbyen afër shkollës në Mejë rreth 300 burra, shumicën të moshës ushtarake, i ndanë në grupe me nga afro 20 veta, pastaj i keqtrajtuan fizikisht, i kërcënuan se do t’i vrisnin nëse nuk do t’i dorëzonin paratë dhe sendet me vlerë, dhe i detyruan të thërrisnin ‘Rroftë Sërbia!’ dhe ‘Rroftë Slobodan Milošević-i!’. Hulumtuesit e HRW mësuan për këtë në mëngjesin e 28 prillit 1999, kur refugjatë shqiptarë nga Meja dhe fshatrat përreth, kryesisht gra, fëmijë e të moshuar, hynë në Shqipëri. Një grua 36-vjeçare nga mesi i refugjatëve, në deklaratën për HRW, tha:
«Ku erdhëm në Mejë, na ndalën sërbët; na lypshin pare e stoli ari. Më kërcënuen me fëmijë, bile edhe me bebën. Kishin mjekra edhe mbajshin maska. Na i morën me qafore, unaza, vothë, letërnjoftime, bile edhe torbat me tesha. Krejt na i morën. Teshat na i gjuejshin nëpër kaçuba. Na bërtitshin me të egër, njanës bile ia mëshuen shuplakë».
Disa prej refugjatëve që kaluan nëpër Mejë e pastaj dolën në Shqipëri, thanë se rrugës kishin pa trupa të grumbulluar të burrave të vrarë. Një prej tyre, po për HRW tha:
«Kah ishim tue kalue nëpër Mejë, i pamë përmbi 300 të vdekun në nji livadh, qysh i kishin grumbullue krejt njanin sipër tjetrit. Ish grumbull shumë i madh, e trupat nuk i kishin renditë, veç i kishin gjuejtë qashtu. Sërbët nuk na lejshin me kqyrë; na bajshin ‘shpejt, shpejt, shpejt’!... Ai grumbulli i tyne ish ba sa nji shator i madh. Nja nji metër e gjysë i naltë, krejt njani sipër tjetrit. Prej atyne burrave çka ishin gjallë, dy veta i njohta. Se nja pesëmbëdhetë burra ishin me shpinë kah trupat, të kthyem këndej kah sërbët».
Fill pas luftës në Kosovë, hulumtues nga HRW shkuan në Mejë dhe gjetën mbetje të dekompozuara të disa trupave, që të gjithë pa koka, si dhe eshtra të thyera prej disa trupave.
Po në ditën e 27 prillit 1999, në fshatin fqinj Korenicë, forcat sërbe-jugosllave, përveçse i dëbuan banorët e ua dogjën shtëpitë, rrëmbyen e ekzektuan dhjetëra persona, e disa madje i dogjën. Në shtëpinë e Daniel Berishës, i nxorën jashtë të gjithë të pranishmit, i ndanë gratë dhe fëmijët prej burrave, kurse gjashtë nga burrat i kthyen brenda, ku në një dhomë i vranë me automatikë. Daniel Berisha mori dy plumba në këmbë dhe ra përtokë; përsipër i ranë dy të vrarë dhe ai u shtir si i vdekur. Policët sollën batanije, i ndezën dhe ua hodhën sipër trupave. Sapo u larguan ata, Berisha, me këmbë të plagosur dhe i djegur në krahë, doli nga shtëpia dhe u strehua në mal, ku e kaloi natën me disa bashkëfshatarë.
Të nesërmen forcat sërbe i zunë të strehuarit në mal, por i liruan të gjithë përveç Berishës, trupin e të cilit bashkëfshatarët e gjetën të nesërmen me pesë plagë të reja plumbash - dy në ballë e tri në krah. Gjatë qëndrimit në mal, Berisha ia kishte rrëfyer ndodhitë në shtëpinë e vet Tom Dedajt, i cili fill pas luftës ia përcolli rrëfimin HRW-së:
«Sërbët i kanë rreshtue ata në katin e tretë. Axha i Danielit i ka lutë mos me i vra. Iu ka thanë sërbëve, ‘A s’jeni edhe ju njerëz krejt si na? A nuk jeni njerëz? Pse po doni me na vra?’ E ka ba nji lutje e asht kryque. Bajo ia ka ba, ‘Vonë asht tash për atë punë’. I ka urdhnue burrat me ia kthye shpinat edhe ka nisë me i gjuejtë me automatikë. Iu ka thanë, “Nanën jau qifsha; vonë asht tash për ju’».
Trupat e të vrarëve gjatë operacionit ‘Reka’ janë varrosë në varrezën publike në fshatin Brekoc të Gjakovës nga MPB dhe UJ. Sipas dëshmitarit K72 të TPNJ-së, pjesëtar i UJ-së, këta trupa më vonë janë zhvarrosë nga ai lokacion për ta fshehë krimin. Ata janë gjetë në vitin 2001 në një varrezë masive sekrete në Batajnicë të Sërbisë.
Ndër trupat e gjetur në Batajnicë ishin edhe Gjovalin e Milan Markaj. Pak ditë pasi u rivarrosën në Mejë më 27 maj 2003, nëna e tyre, Pashke Markaj, ia vuri flakën vetes, duke i dhënë fund jetës.
TPNJ në vendimin e marrë më 26 shkurt 2009 për rastin «Prokurori kundër Milan Milutinović, Nikola Šainović, Dragoljub Ojdanić, Nebojša Pavković, Vladimir Lazarević, Sreten Lukić», konstatoi se pjesëtarë të MPB dhe të UJ, bashkë me paramilitarë, gjatë operacionit të tyre të përbashkët që u quajt ‘Reka’, vranë në fshatrat Mejë e Korenicë një numër civilësh shqiptarë që nuk ishin të përfshirë në luftime. TPNJ arriti në këtë konstatim duke u bazuar në raportet e forenzikës, në dëshmitë e banorëve nga zona, Merita Deda, Lizane Malaj dhe Martin Pnishi, si dhe në dëshmitë e pjesëtarëve të UJ-së, Nikë Peraj dhe K90.
Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare, më 27 prill 1999 forcat sërbe-jugosllave kanë vra gjithsej 368 veta, nga të cilët 282 në Mejë, 68 në Korenicë, 4 në Sheremet, 3 në Dobrosh, nga 2 në Racaj, Ramoc e Skivjan, dhe nga 1 në Gjakovë, Bishtazhin, Jahoc e Pacaj. Prej tyre, 4 ishin femra dhe 364 meshkuj; 33 ishin nën 18-vjeçarë, me më të renë Klaudie Malajn, 15-vjeçare, kurse 18 ishin të moshës mbi 65-vjeçare, me më të vjetrën, Ajne Binakun, 86-vjeçare.
Prej 368 të vrarëve, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, 19 figurojnë të regjistruar si pjesëtarë të formacioneve të armatosura përkatësisht ushtarë. Sqarim: Lista e të dhënave për personat e vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës në Kosovë 1998–1999, e përpiluar nga Fondi për të Drejtën Humanitare, nën udhëheqjen e zonjës Nataša Kandić, është një burim i etabluar referencial. Megjithatë, për disa masakra, kjo listë përmban pasaktësi ose kategorizime të kontestueshme. Kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse, sipas dokumentit metodologjik të hartuar nga ekspertë të angazhuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare, statusi i viktimës në listë – civil apo anëtar i një formacioni të armatosur përkatësisht ushtar – i referohet statusit në momentin e vdekjes ose zhdukjes, e jo ndonjë statusi të mëparshëm. Prandaj, në rastet kur persona të masakruar figurojnë si pjesëtarë të formacioneve të armatosura, përkatësisht si ushtarë, ndonëse në momentin e vrasjes ishin civilë të paarmatosur, të pauniformuar dhe nuk kishin bërë rezistencë, një kategorizim i tillë duhet marrë me rezervë.
Në shkurt 2009 dhe në janar 2014, Tribunali i Hagës, mes të tjerash edhe për vrasjet në Mejë, si krim kundër njerëzimit dhe shkelje e ligjeve ose e zakoneve të luftës, i dënoi këta persona: Nikola Šainović, zëvendës-kryeministër i RFJ-së (1996-2000) me 22 vjet burg; Nebojša Pavković, komandant i Batalionit të Tretë të Ushtrisë së Jugosllavisë (1998-1999) me 22 vjet burg; Sreten Lukić, komandant i policisë sërbe në Kosovë (1998-1999) me 20 vjet burg.
Më 23 shkurt 2011, TPNJ gjeti se Vlastimir Đorđević, shef i Departamentit të Sigurisë Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Sërbisë, ishte fajtor për pesë pika, e katërta prej të cilave e ngarkonte për kryerjen e krimit të vrasjes, si krim kundër njerëzimit, nëpërmjet pjesëmarrjes në ndërmarrjen e përbashkët kriminale, si dhe për ndihmesën dhe nxitjen e vrasjes së shqiptarëve të Kosovës, mes të tjerash edhe në Mejë, prandaj e dënoi me 27 vjet burg. Megjithatë, më 27 janar 2014 Dhoma e Apelit e TPNJ-së ia uli dënimin në 18 vjet.
Në prill 2013 prokurorët e EULEX-it filluan hetimin ndaj afro 20 personave për Masakrën e Mejës,28 e në dhjetor 2014 u arrestua Sahit Halitaj, ndihmës i policisë sërbe në Gjakovë.29 Në korrik 2015, prokurori ndërkombëtar Charles Hardaway ngriti aktakuzë kundër Sahit Halitajt, me arsyetimin se u ka ndihmuar policëve sërbë për krimet kundër civilëve shqiptarë në Mejë, por në dhjetor 2015, ‘pas paraqitjes së rrethanave të reja’, prokurori që ngriti aktakuzën, parashtroi propozimin për tërheqje prej saj.
Për masakrën në Mejë, në shkurt 2015, me kërkesë të UNMIK-ut, INTERPOL-i lëshoi urdhërarrest ndaj 17 pjesëtarëve të forcave sërbe të sigurisë, përfshirë këtu deputetin e Partisë Progresive Sërbe (në pushtet në Sërbi) dhe njëkohësisht kreun e Komisionit për Siguri në Parlamentin e Sërbisë, Momir Stojanović, si dhe pjesëtarin e forcave sërbe me kombësi shqiptare, Muharrem Ibrajn.
Zyra e Prokurorit për Krime Lufte në Sërbi nisi një hetim kundër katër personave për vrasjet në Mejë, Korenicë dhe pesë fshatra të tjera të Gjakovës, i cili u ndërpre më 2019, me arsyetimin se nuk ekzistonin ‘prova të mjaftueshme për aktakuza’.
Për këtë masakër deri më sot nuk është dënuar, e madje as gjykuar, askush prej ekzektuesve.

© Gary Knight
Fëmijë kosovarë që sapo kishin kaluar kufirin për në Shqipëri, pasi kishin qenë dëshmitarë të vrasjes së babait të tyre disa orë më parë në fshatin Mejë.

Address

Ulpiana, C15, Hyrja 10, Nr. 6
Pristina
10000

Opening Hours

Monday 09:00 - 17:00
Tuesday 09:00 - 17:00
Wednesday 09:00 - 17:00
Thursday 09:00 - 17:00
Friday 09:00 - 17:00

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when ADMOVERE posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Share