Octopus Institute

Octopus Institute Contact information, map and directions, contact form, opening hours, services, ratings, photos, videos and announcements from Octopus Institute, Nonprofit Organization, Perandori Justinian, Ndërtesa 3, kati3, nr 8, Pristina.

VENDIMI I HAGËS NË PROPAGANDËN SERBEAutor: Gjon Culaj, bashkëpunëtor në Institutin "Octopus"Vendimi i Dhomave të Special...
06/10/2026

VENDIMI I HAGËS NË PROPAGANDËN SERBE

Autor: Gjon Culaj, bashkëpunëtor në Institutin "Octopus"

Vendimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, me 16 shtator 2026, i shpalli katër të akuzuarit fajtorë për krime të luftës (ndalimit ose arrestimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes), duke i dënuar me nga 25 vjet burgim Thaçin e Krasniqin, 18 vjet Veselin dhe 13 vjet Selimin.

Trupi Gjykues i rrëzoi akuzat për krime kundër njerëzimit ndaj katër të akuzuarve. (Koha.net, 16/09/2026). Por, menjëherë pas shpalljes së vendimit, Serbia filloi shfrytëzimin e tij propagandistik, duke e zhvendosur brenda një diskursi më të gjerë politik. Autoritetet serbe dhe mediat pro-qeveritare e paraqitën atë ekskluzivisht si “konfirmim të interpretimit të tyre mbi UÇK-në dhe luftën e Kosovës”.

Vendimi si “provë” kundër Kosovës

Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq e cilësoi “konfirmim” të asaj që Serbia kishte deklaruar për më shumë se dy dekada, duke pretenduar se vendimi e kishte rrëzuar narrativën për UÇK-në si forcë çlirimtare dhe për luftën e saj si “luftë çlirimtare të drejtë” (RTS, 16/09/2026). Kjo qasje nuk lidhet drejtpërdrejt me vendimin, por është pjesë e një strategjie të strukturuar të komunikimit në Serbi, ku viktimizimi zë vend qendror në interpretimin e luftës së Kosovës dhe ndërhyrjes së NATO-s.

Përmes kësaj strategjie, “vuajtjet” e serbëve mbahen në qendër të kujtesës dhe diskursit publik, ndërsa rrethanat që çuan në luftën e armatosur për liri nuk permenden fare: represioni sistematik ndaj shqiptarëve të Kosovës, vrasjet dhe masakrat e kryera ndaj popullsisë civile, si dhe dëbimi masiv i shqiptarëve gjatë luftës (HRW, 2001). Kësisoj, vendimi i Hagës ka ardhur në një terren politik dhe mediatik që tashmë është i përgatitur për ta përvetësuar atë si “provë” të një narrative të ndërtuar dekada më parë.

Pra, kemi të bëjmë me zhvendosje nga “drejtësia” në propagandë: një aktgjykim që sipas trupit gjykues lidhet me “përgjegjësi penale individuale”, në diskursin politik serb interpretohet si “provë” për karakterin e UÇK-së dhe luftës së saj për liri. Në të njëjtën linjë ishte edhe raportimi i mediave të afërta me pushtetin në Serbi.

Agjencia SRNA e titulloi raportimin e saj “81 vjet burg për udhëheqësit e UÇK-së terroriste”, duke e cilësuar UÇK-në si “terroriste” që në titull, ndërsa RTRS publikoi reagimin e ministrit të Drejtësisë të Republikës Srpska, Goran Selak, me titullin “Lirimi nga akuzat për krime kundër njerëzimit është fyerje për viktimat”. Në një tjetër raportim të SRNA-s, qëndrimi i Selakut u përmbledh në titullin “Aktgjykimi ndaj udhëheqësve të UÇK-së terroriste - poshtërim i viktimave serbe” (SRNA, 16/09/2026; RTRS, 16/09/2026).

Ky është as më shumë e as më pak se sa vazhdim i një manipulimi tashmë të njohur të kujtesës historike dhe narrativës politike në Serbi: “Serbia si viktimë, serbët si viktima, shqiptarët si agresorë dhe Perëndimi si aktor që i dha legjitimitet agresorit”. Vendimi i Hagës futet në këtë skemë si një element i ri autoriteti.

Pra, nuk është e re narrativa e viktimizimit, por përpjekja për t'i dhënë asaj një vulë të re juridike ndërkombëtare. Aktgjykimin dënues ndaj liderëve të UÇK-së, Serbia po e përdor si “certifikim ndërkombëtar” për narrativat e saj strategjike. Pikërisht për këtë arsye, deklarata e Daçiqit ka një dimension politik përtej përmbajtjes së saj të drejtpërdrejt, sepse, sipas tij, aktgjykimi kishte rrëzuar vetë idenë e “luftës çlirimtare”.

Një lëvizje e tillë retorike synon ta instrumentalizojë vendimin, duke e shtrirë narrativën jo vetëm ndaj luftës çlirimtare, por edhe ndaj shtetit të Kosovës, i cili ishte rezultat i asaj lufte dhe ndërhyrjes ushtarake të NATO-s për ta ndaluar spastrimin etnik në Kosovë (NATO, Kosovo: The Real Story, 06/04/2000).

Edhe hulumtimet mbi politikën e kujtesës në Serbi ofrojnë argumente për një interpretim të tillë. Në artikullin e saj “Why and how victimhood matters? Between strategic ontological narratives and intersectional injustice in contemporary Serbia”, Jessie Barton Hronešová, argumenton se elitat politike serbe kanë përdorur në mënyrë strategjike narrativat e “viktimizimit” dhe të “padrejtësisë historike” për të mbështetur diskurset mbi të kaluarën dhe për të justifikuar orientimet politike të së tashmes.

Sipas autores, nën pushtetin e zgjatur të Aleksandar Vuçiq, viktimizimi është shndërruar në një kornizë të centralizuar të komunikimit politik, e artikuluar përmes paraqitjeve të tij personale dhe mediave pro-regjimit (Hronešová, 2025:533-538). Në rastin e Kosovës, kjo narrativë tenton t`i paraqesë serbët e Kosovës si komunitet i “kërcënuar” dhe Serbinë si subjekt i “padrejtësive” të vazhdueshme ndërkombëtare. Prandaj, instrumentalizimi i vendimit duhet analizuar si vazhdimësi e komunikimit strategjik të Serbisë në shërbim të prodhimit, konsolidimit dhe promovimit politik të narrativave mbi të kaluarën dhe kujtesën kolektive (Fetoshi, 2026).

Hulumtimet mbi diskursin nacionalist serb kanë treguar prej kohësh se mediat luajnë rol të rëndësishëm në riprodhimin e figurës së serbëve si “viktima” të shqiptarëve të Kosovës. Erjavec dhe Volčič (2007), në analizën e tyre të mediave serbe, kanë konstatuar se diskursi dominant nacionalist i paraqiste serbët si viktima të shqiptarëve. Sipas autorëve, kjo kornizë mbështetej në përvetësimin dhe përshtatjen e diskurseve ndërkombëtare mbi “krimin” dhe “luftën kundër terrorizmit”, të cilat, të përshtatura në kontekstin politik serb shërbenin për t`i paraqitur shqiptarët si burim “kërcënimi” dhe për të legjitimuar interpretimin nacionalist të konfliktit (Erjavec & Volčič, 2007:67-68; Erjavec & Volčič, 2007:123-124).

Kësisoj, vendimi i Hagës i ofron Serbisë hapësirë për ta instrumentalizuar atë në funksion të një narrative politike tashmë të konsoliduar ndaj Kosovës, duke e “mveshur” me autoritet juridik. Për propagandën serbe kjo është shumë e dobishme: një narrativë e prodhuar fillimisht nga politika dhe media po paraqitet tani si e mbështetur nga një gjykatë ndërkombëtare. S`do mend se pushteti dhe mediat e kontrolluara serbe po e rikontekstualizojnë dhe integrojnë atë brenda strategjisë së komunikimit, duke i dhënë interpretimit të tyre peshën e natyrës ndërkombëtare të procesit gjyqësor.

Sipas kësaj strategjie, vendimi i Hagës mund të projektohet si pjesë e re e të njëjtës skemë. Bombardimet e vitit 1999, “viktimat serbe”, “dëbimi i serbëve pas luftës”, “krimet e UÇK-së” dhe vendimi i Hagës vendosen brenda një kornize të vetme narrative. Përfundimi që synohet është i qartë: Serbia ishte “viktima”, shqiptarët ishin “agresori” dhe ndërhyrja ndërkombëtare ishte “e padrejtë” ndaj Serbisë. Kësisoj, një vendim gjykate i vitit 2026 integrohet në një diskurs politik dhe mediatik që nuk merret me çeshtjen penale, por synon ta tjetërsojë të vërtetën për luftën e Kosovës, me qëllim që ta ashpërsojë politikën destabilizuese ndaj Republikës së Kosovës.

Kornizimi mediatik në shërbim të qëllimit politik

Instrumentalizimi i vendimit të Hagës bëhet më i kuptueshëm në kontekstin aktual të sistemit mediatik serb. Problemi është se hapësira mediatike serbe është e pabarabartë dhe se mediat pro-regjimit kanë një avantazh të madh në qasje, shtrirje dhe ndikim. Sipas Freedom House, partitë në pushtet në Serbi kanë zgjeruar ndikimin mbi mediat përmes kontrollit të ndërmarrjeve shtetërore dhe mediave private që varen nga financimi qeveritar. Raporti nënvizon gjithashtu se mjedisi mediatik karakterizohet nga propaganda dhe manipulimi i fakteve në tema të caktuara, përfshirë politikën e Serbisë ndaj Kosovës (Freedom House, 2024). Reporterët pa Kufij (RSF) po ashtu e përshkruajnë hapësiren mediatike si një mjedis ku propaganda dhe lajmet e rreme bashkëjetojnë me gazetarinë profesionale dhe ku mediat kritike ndaj pushtetit përballen me presion politik dhe ekonomik (Reporters Without Borders, 2026).

Në një sistem të tillë mediatik të kontrolluar në masë të madhe nga qeveria, mënyra se si raportohet një vendim gjyqësor kontribuon qëllimshëm për instrumentalizimin e tij në funksion të diskursit politik. Titulli, përzgjedhja e deklaratave, përdorimi i fotografive, përsëritja e termave “terroristë”, “kriminelë”, “viktima serbe” dhe “padrejtësi ndërkombëtare” krijojnë përceptim dhe interpretim të ngjarjes përpara se publiku të ketë mundësi ta analizojë përmbajtjen juridike të aktgjykimit. Ky është një mekanizëm klasik dhe i njohur i propagandës serbe, nuk është gjithmonë e nevojshme të fabrikohet një fakt, mjafton të kornizohen në një hierarki selektive. Dënimi i katër lidereve të UÇK-së bëhet titulli kryesor, rrëzimi i krimeve kundër njerëzimit bëhet dytësor, shmanget fare ose kornizohet si “padrejtësi”, ndërsa konteksti i gjerë i luftës dhe krimet e dokumentuara të forcave serbe ndaj shqiptarëve mbeten jashtë kornizës së lajmit.

Kjo mënyrë e ndërtimit të narrativës është në përputhje me atë që shumë studiues e kanë identifikuar si politikë të viktimizimit në Serbi. Sipas Jessie Barton Hronešová, elitat politike serbe e kanë përdorur viktimizimin për ta paraqitur Serbinë si objekt të vazhdueshëm të padrejtësive dhe armiqësisë së jashtme. Sipas saj, kjo narrativë është përhapur përmes një komunikimi politik të centralizuar dhe mediave pro-regjimit (Hronešová, 2025:538–539). Këtu qëndron edhe karakteri më problematik i instrumentalizimit. Beogradi nuk e përdor vendimin për të kërkuar drejtësi, por për ta rikthyer në diskursin publik çështjen e legjitimitetit të Republikës së Kosovës. Në deklaratën zyrtare të Qeverisë së Serbisë, Ivica Daçiq e lidhi drejtpërdrejt vendimin me pretendimin se Kosova nuk mund të ndërtohet mbi “varre masive” të serbëve (Government of Serbia, 2026).

Kjo strategji komunikimi, ka një histori të gjatë në mediat serbe. Në analizën e saj të titulluar “Kosovo 1989: The (Ab)use of the Kosovo Myth in Media and Popular Culture”, Radina Vuçetiq (2021), argumenton qartë se përdorimi politik i “mitit të Kosovës” dhe i figurës së shqiptarëve si kërcënim ka një histori shumë më të gjatë dhe se mediat kanë qenë instrument qendror në këtë proces (Vučetić, 2021:227-228, 239-240). Prandaj, vendimi i Hages i vitit 2026 nuk e krijon narrativën e viktimizimit serb, ai i jep asaj një burim të ri simbolik. Ndonëse narrativa ekzistonte më parë, tani mund të thuhet “edhe Haga e konfirmoi”. Kjo formulë ka potencial të madh propagandistik sepse e paraqet një interpretim politik si pasojë të një vendimi juridik.

Problemi i propagandës serbe nuk qëndron në faktin se ajo flet për viktimat. Problemi qëndron në monopolizimin e figurës së viktimës dhe në përdorimin e saj për të ndërtuar një histori ku Serbia është vazhdimisht viktimë, ndërsa përgjegjësia e saj historike zhvendoset në plan të dytë. Prandaj, vendimi i Hagës në këtë mekanizëm përbën një hallkë te re që përdoret për ta rishkruar historinë, e cila nuk fillon në vitin 2026 dhe nuk përfundon me këtë aktgjykim. Pikërisht në përpjekjen për ta kornizuar aktgjykimin si “provë” në interpretimin e historisë, luftës dhe shtetësisë së Kosovës qëndron thelbi i instrumentalizimit të vendimit të Hagës nga politika dhe komunikimi strategjik i Serbisë.

INSTITUTI “OCTOPUS” DHE BIIS NËNSHKRUAJNË MEMORANDUM BASHKËPUNIMIPrishtinë, 23.09.2026Instituti për Studime të Luftës Hi...
23/09/2026

INSTITUTI “OCTOPUS” DHE BIIS NËNSHKRUAJNË MEMORANDUM BASHKËPUNIMI

Prishtinë, 23.09.2026

Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus” dhe Instituti Bullgar për Politikat Ndërkombëtare (BIIP), nënshkruan sot në Prishtinë një Memorandum Bashkëpunimi në fushat e interesit të përbashkët, si aktivitete të ndryshme, shkëmbim përvojash, projekte hulumtuese dhe analiza gjeopolitike.

Duke falënderuar z. Dimitar Keranov për vizitën dhe gatishmërinë e bashkëpunimit, drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi shprehu bindjen se partneriteti do të ofrojë një kornizë të rëndësishme bashkëpunimi në adresimin e sfidave që lidhen me sigurinë dhe kërcënimet hibride.

Marrëveshja parasheh nisma të përbashkëta hulumtuese, raporte analitike, si dhe shkëmbim të kapaciteteve, publikimeve e materialeve të tjera profesionale ndërmjet dy institucioneve.

Bashkëpunimi do të përfshijë edhe organizimin e pjesëmarrjen në konferenca, tryeza diskutimi, panele ekspertësh dhe aktivitete publike që trajtojnë kërcënimet hibride dhe sigurinë rajonale.

Në memorandum parashihen po ashtu shkëmbimet akademike dhe mundësitë e vizitave në nivel ekspertësh, me qëllim të forcimit të lidhjeve profesionale e kërkimore ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë.

Sipas memorandumit, të dy institucionet ruajnë pavarësinë e plotë institucionale, lirinë editoriale dhe autonominë kërkimore, ndërsa marrëveshja nuk i obligon palët që të mbështesin apo miratojnë qëndrimet dhe gjetjet e njëra-tjetrës.

Memorandumi ndërmjet Institutit “Octopus”, me seli në Prishtinë dhe Institutit Bullgar për Politika Ndërkombëtare (BIIP) me seli në Varna, është nënshkruar më 23 shtator 2026 dhe do të jetë në fuqi për një periudhë pesëvjeçare, me mundësi vazhdimi në bazë të pëlqimit të ndërsjellë.

SPIUNAZHI DHE KUNDËRSPIUNAZHI NË KOSOVË(Kapacitetet Institucionale, Mbikëqyrja Demokratike dhe Besimi Publik)Autor: Gjon...
21/09/2026

SPIUNAZHI DHE KUNDËRSPIUNAZHI NË KOSOVË
(Kapacitetet Institucionale, Mbikëqyrja Demokratike dhe Besimi Publik)

Autor: Gjon Culaj, bashkëpunëtor në Institutin "Octopus"

Arrestimet dhe procedurat e fundit penale për dyshime dhe dënime të lidhura me spiunazhin në Kosovë kanë hapur një debat të rëndësishëm mbi kapacitetet e institucioneve të sigurisë, natyrën e kërcënimeve të inteligjencës, rolin e publikut dhe të mediave, si dhe kufirin ndërmjet transparencës demokratike e sekretit operacional.

Në gusht 2026, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës bëri publike se po trajtonte disa raste të dyshuara spiunazhi të lidhura me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA). Prokurori Bekim Kodraliu deklaroi se deri atëherë ishin trajtuar shtatë raste të tilla dhe se kishte pasur katër aktgjykime dënuese, duke vënë theksin në bashkëpunimin mes Prokurorisë Speciale, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Policisë së Kosovës (Koha.net, 19/08/2026).

Në të njëjtën periudhë, arrestimi i Fehim Salit në pikën kufitare të Merdarës dhe ngritja e aktakuzës ndaj Fatmir Shehollit për spiunazh dhe shantazh, rikthyen temën e spuinazhit dhe kundërspiunazhit në qendër të vëmendjes publike (REL, 27/08/2026).

Këto zhvillime nuk duhet të interpretohen vetëm përmes pyetjes nëse individët e arrestuar ose të akuzuar janë fajtorë. Përcaktimi i fajësisë është kompetencë e gjykatës. Mirëpo, për një analizë të sigurisë, pyetja më e rëndësishme është: çka tregojnë këto raste për aftësinë e institucioneve shtetërore të sigurisë e në veçanti AKI-së, për të identifikuar, parandaluar dhe neutralizuar kërcënimet e inteligjencës së huaj, në këto raste asaj të Serbisë.

Kjo pyetje bëhet e rëndësishme edhe për faktin se inteligjenca është një fushë ku kriteret tradicionale të transparencës publike, të zbatueshme në një shoqëri të lirë, nuk mund të aplikohen në mënyrë mekanike. Pra, është i nevojshëm një ekuilibër ndërmjet llogaridhënies publike dhe mbrojtjes së interesave të sigurisë kombëtare.

Shërbimet e inteligjencës mbështeten në fshehtësinë e burimeve, metodave, rrjeteve të kontaktit dhe kapaciteteve operative. Sipas Seumas Miller (2022), inteligjenca është një proces i lidhur ngushtë me mbledhjen, analizimin dhe shpërndarjen e informacionit që duhet të mbetet pjesërisht sekret për të ruajtur vlerën e tij operacionale dhe strategjike (Miller, 2022:791-792). Për pasojë, situata të tilla, nxjerrin në pah një sfidë themelore të demokracisë moderne: institucionet e inteligjencës duhet të jenë mjaftueshëm sekrete për të qenë efektive, por edhe mjaftueshëm të kontrolluara për të qenë demokratike.

Shih për këtë, rastet e fundit të spiunazhit në Kosovë duhet të analizohen dhe vlerësohen në tri dimensione të ndërlidhura: së pari, në dimensionin e kapaciteteve dhe performancës së institucioneve të sigurisë; së dyti, në atë të debatit publik dhe rolit të mediave për formësimin e tij, dhe së treti, në dimensionin e raportit mes sekretit, llogaridhënies dhe nevojës që jo çdo aktor institucional apo shoqëror të ketë qasje në informacionet operative.

Thënë ndryshe, suksesi i një shërbimi inteligjent nuk duhet të matet me nivelin e ekspozimit publik të tij, por me aftësinë për të prodhuar inteligjencë të saktë, për të zbuluar kërcënime dhe për t'i parandaluar ato, gjithmonë konform ligjit dhe kontrollit demokratik.

Inteligjenca, kundërspiunazhi dhe shteti demokratik

Studimet e inteligjencës e trajtojnë inteligjencën jo thjesht si grumbullim të fshehtë informacioni, por si një proces institucional përmes të cilit informacioni shndërrohet në njohuri të dobishme për vendimmarrjen institucionale (Dokman, 2019:194). Kjo veçori e pozicionon intelegjencën si kapacitet të domosdoshëm për shtetet që përballen me kërcënime të vazhdueshme dhe me konflikte të pazgjidhura.

Strategjia e Sigurisë së Kosovës (2022 – 2027) e konsideron Serbinë një prej kërcënimeve kryesore për sigurinë e vendit dhe i lidh këto kërcënime me pretendimet territoriale, strukturat ilegale dhe aktivitetet që synojnë destabilizimin e vendit dhe dobësimin e institucioneve të Republikës (Kosovo Security Strategy 2022-2027, 2022:7).

Për këtë arsye, spiunazhin duhet parë si pjesë të një spektri më të gjerë të konkurrencës së sigurisë, ku informacioni është instrument i pushtetit, po aq sa edhe forca ushtarake apo presioni diplomatik. Për Serbinë, mbledhja e informacionit mbi institucionet dhe kapacitetet e sigurisë së Kosovës konsiderohet pjesë e një strategjie më të gjerë për ruajtjen e ndikimit dhe mbështetjen e objektivave të saj destabilizuese në raport me Kosovën.

Një qasje e tillë kërcënuese e Serbisë, tashmë e njohur, shtrihet edhe përtej dimensionit të sigurisë, duke synuar cenimin e funksionimit të institucioneve, ndikimin në proceset politike, dobësimin ekonomik dhe dëmtimin e kohezionit shoqëror në Kosovë (Fetoshi, 28/05/2026).

Si kundërpërgjigje ndaj një qasjeje të tillë, Kosova më të drejtë po e trajton mbrojtjen e sigurisë kombëtare si një përpjekje gjithëpërfshirëse, e cila nuk kufizohet vetëm në mbrojtjen e territorit, por shtrihet edhe në ruajtjen e integritetit dhe funksionimit të institucioneve shtetërore.

Reagimi i institucioneve të Kosovës ndaj spiunazhit dhe ndërhyrjes serbe po shfaqet gjithnjë e më shumë si qasje e konsoliduar dhe parandaluese e sigurisë, e mbështetur në bashkëpunimin institucional të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale. Kjo qasje pasqyron një proces institucional, në të cilin inteligjenca, hetimi penal dhe drejtësia plotësojnë njëra-tjetrën.

Zhvillimet e fundit tregojnë për një angazhim institucional konkret në identifikimin më të hershëm të aktiviteteve të dyshimta, dokumentimin e tyre dhe shndërrimin e informacionit të inteligjencës në procese konkrete hetimore dhe gjyqësore. Kjo përbën një zhvillim të rëndësishëm sa i përket kapaciteteve të Kosovës për t’u mbrojtur nga ndërhyrjet e jashtme, veçanërisht në një mjedis sigurie ku aktivitetet e inteligjencës serbe përbëjnë një kërcënim të vazhdueshëm.

Rastet e fundit të hetuara nga Prokuroria Speciale, bashkëpunimi me AKI-në dhe Policinë e Kosovës dhe aktgjykimet e dhëna në disa raste tregojnë se institucionet kosovare kanë ndërtuar kapacitete solide për shndërrimin e të dhënave të inteligjencës në procedura konkrete hetimore dhe juridike (Zëri, 19/08/2026).

Në raport me Serbinë, kjo çështje merr një dimension tjetër, duke pasur parasysh qasjen e saj destabilizuese dhe armiqësore ndaj sovranitetit, sigurisë dhe integritetit institucional të Kosovës. Për shembull, në aktakuzën ndaj Fatmir Shehollit, Prokuroria Speciale thotë se informacionet e mbledhura kishin të bënin me aktivitetet politike, situatën e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës (REL, 25/08/2026).

Ky rast ilustron qartë se aktivitetet e inteligjencës serbe kanë karakter shumëdimensional dhe se informacioni mbi institucionet politike e të sigurisë mund të përbëjë një burim të rëndësishëm për mbështetjen e objektivave strategjike të Serbisë kundër interesave nacionale të Kosovës.

Në këtë kontekst, roli i kundërzbulimit të Kosovës bëhet veçanërisht i rëndësishëm, pasi veprimtaria e shërbimeve serbe të intelegjencës, nuk duhet të trajtohet si zhvillim i papritur, por si vazhdimësi e kërcënimeve që kërkojnë vëmendje dhe gatishmëri të lartë institucionale.

Rastet e identifikuara dhe të proceduara së fundmi tregojnë se mekanizmat e kundërzbulimit në Kosovë kanë qenë në gjendje të zbulojnë dhe t’i adresojnë veprimtaritë e jashtëligjshme të inteligjencës serbe, duke mundësuar që ato të kalojnë nga niveli i identifikimit dhe vlerësimit të kërcënimit, në atë të hetimit dhe përgjegjësisë ligjore. Kjo dëshmon se kundërzbulimi nuk duhet të shihet vetëm si strukturë reaguese ndaj kërcënimeve, por si një shtyllë institucionale që vepron në mënyrë ligjore për mbrojtjen e interesave kombëtare.

Pra, me fjalë tjera, kundërzbulimi nuk shërben vetëm si mekanizëm mbrojtës ndaj aktiviteteve të huaja të inteligjencës, por edhe si pjesë e një sistemi institucional që mbron sovranitetin, sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues konform parimeve të sundimit të ligjit.

Inteligjenca, media dhe opinioni publik

Në fushën e inteligjencës dhe sigurisë kombëtare, një prej dilemave më të ndërlikuara për demokracitë është përcaktimi i kufirit në mes sekretit të nevojshëm dhe të drejtës së publikut për informim. Sekreti mbetet pjesë e pandashme e veprimtarisë së inteligjencës, por kjo nuk do të thotë se çdo informacion që lidhet me sigurinë kombëtare duhet të mbetet i fshehtë.

Siç argumentojnë Heide dhe Villeneuve (2021), sekreti shtetëror nuk duhet parë thjesht si e kundërta e transparencës, por si një instrument që mund të justifikohet vetëm në funksion të objektivave konkrete të sigurisë dhe efektivitetit të qeverisjes (Heide & Villeneuve, 2021:246).

Në demokraci, çështja nuk është nëse duhet të ekzistojë sekreti, por ku duhet të vendoset kufiri i tij dhe kush duhet të kontrollojë respektimin e atij kufiri. Shih për këtë, mbrojtja e të vërtetës dhe interesit publik nuk duhet të ngatërrohet me publikimin e sekreteve.

Një media profesionale mund të kontribuojë në sigurinë kombëtare edhe duke u përmbajtur nga publikimi i informacioneve të caktuara, kur publikimi i tyre do të rrezikonte operacione aktive ose burime njerëzore. Por, kjo vetëpërmbajtje duhet të bazohet në një vlerësim konkret dhe të arsyeshëm të rrezikut apo dëmit të mundshëm, e jo në një pranim automatik të çdo pretendimi institucional për konfidencialitet.

Studimet mbi sekretin e sigurisë kombëtare e trajtojnë pikërisht këtë si një problem të balancimit në mes nevojës për mbrojtjen e informacionit dhe nevojës për transparencë e llogaridhënie demokratike (Heide & Villeneuve, 2021:253). Rrjedhimisht, do të ishte gabim nëse sekreti dhe transparenca trajtohen si dy koncepte krejtësisht të papajtueshme. Një shtet funksional ka nevojë për të dyjat: për sekret, kur ai është objektivisht i domosdoshëm për mbrojtjen e sigurisë dhe për transparencë, kur informacioni mund të bëhet publik pa cenuar interesat e sigurisë.

Marredhënien ndërmjet sekretit dhe transparencës, Heide & Villeneuve e trajtojnë si çështje ekuilibri, ku sekreti duhet të lidhet me një qëllim të përcaktuar dhe jo të trajtohet si normë e përgjithshme e qeverisjes (Heide & Villeneuve, 2021:240).

Reagimi publik ndaj aktiviteteve të inteligjencës duhet të synojë forcimin e demokracisë dhe jo dobësimin e sigurisë. Institucionet duhet të jenë transparente aq sa është e nevojshme për të ruajtur besimin dhe llogaridhënien publike, ndërsa mediat duhet të ushtrojnë rolin e tyre kritik pa cenuar interesat legjitime të sigurisë.

Në këtë mes qëndron edhe beteja për të vërtetën: jo në publikimin e çdo informacioni sekret, por në aftësinë e shoqërisë për të dalluar faktin nga propaganda, informimin nga dezinformimi dhe sekretin e justifikuar nga fshehtësia e përdorur si mjet për ta shmangur përgjegjësinë.

Për Kosovën, një qasje e tillë është veçanërisht e rëndësishme, sepse qëndrueshmëria e shtetit nuk varet vetëm nga aftësia për të zbuluar dhe parandaluar kërcënimet, por edhe nga aftësia e institucioneve për t'ia komunikuar ato qytetarëve në mënyrë të besueshme dhe konform parimeve ligjore.

Rrjedhimisht, marrëdhënia në mes institucioneve të sigurisë dhe medias nuk duhet të perceptohet e as të ndërtohet mbi konfrontimin e vazhdueshëm, por të mbeshtetet mbi një ekuilibër të kujdesshëm dhe harmonizim të transparencës, përgjegjësisë e mbrojtjes së interesit kombëtar, ku secila palë përmbush rolin e saj në forcimin e sigurisë dhe të demokracisë.

𝐏𝐀𝐃𝐑𝐄𝐉𝐓Ë𝐒𝐈𝐀 𝐄 𝐇𝐀𝐆Ë𝐒 𝐃𝐇𝐄 𝐑𝐑𝐄𝐙𝐈𝐊𝐔 𝐏Ë𝐑 𝐍𝐉Ë “𝐌𝐀𝐑𝐒 𝟐”𝘛𝘳𝘢𝘻𝘪𝘳𝘢𝘵 𝘦 17–18 𝘮𝘢𝘳𝘴𝘪𝘵 2004 𝘶 𝘪𝘯𝘪𝘤𝘪𝘶𝘢𝘯 𝘯𝘨𝘢 𝘚𝘦𝘳𝘣𝘪𝘢 𝘥𝘩𝘦 𝘮𝘢𝘯𝘪𝘱𝘶𝘭𝘶𝘢𝘯 𝘻𝘦𝘮ë𝘳𝘪...
17/09/2026

𝐏𝐀𝐃𝐑𝐄𝐉𝐓Ë𝐒𝐈𝐀 𝐄 𝐇𝐀𝐆Ë𝐒 𝐃𝐇𝐄 𝐑𝐑𝐄𝐙𝐈𝐊𝐔 𝐏Ë𝐑 𝐍𝐉Ë “𝐌𝐀𝐑𝐒 𝟐”

𝘛𝘳𝘢𝘻𝘪𝘳𝘢𝘵 𝘦 17–18 𝘮𝘢𝘳𝘴𝘪𝘵 2004 𝘶 𝘪𝘯𝘪𝘤𝘪𝘶𝘢𝘯 𝘯𝘨𝘢 𝘚𝘦𝘳𝘣𝘪𝘢 𝘥𝘩𝘦 𝘮𝘢𝘯𝘪𝘱𝘶𝘭𝘶𝘢𝘯 𝘻𝘦𝘮ë𝘳𝘪𝘮𝘪𝘯 𝘦 𝘮𝘢𝘴ë𝘴 𝘱ë𝘳 𝘵ë 𝘬𝘳𝘪𝘫𝘶𝘢𝘳 𝘯𝘫ë 𝘨𝘫𝘦𝘯𝘥𝘫𝘦 𝘵ë 𝘳𝘦 𝘯ë 𝘒𝘰𝘴𝘰𝘷ë, 𝘲ë 𝘬𝘪𝘴𝘩𝘵𝘦 𝘵ë 𝘣ë𝘯𝘵𝘦 𝘮𝘦 𝘬𝘢𝘯𝘵𝘰𝘯𝘪𝘻𝘪𝘮𝘪𝘯 𝘦 𝘴𝘢𝘫. 16 𝘴𝘩𝘵𝘢𝘵𝘰𝘳𝘪 2026 𝘮𝘶𝘯𝘥 𝘵ë 𝘬𝘦𝘵ë 𝘲𝘦𝘯ë 𝘳𝘢𝘴𝘵𝘪 𝘪 𝘥𝘺𝘵ë 𝘱ë𝘳 𝘬𝘳𝘪𝘫𝘪𝘮𝘪𝘯 𝘦 𝘯𝘫ë “𝘔𝘢𝘳𝘴𝘪 2”, 𝘮𝘦 𝘴𝘺𝘯𝘪𝘮 𝘥𝘰𝘣ë𝘴𝘪𝘮𝘪𝘯, 𝘯𝘥𝘢𝘳𝘫𝘦𝘯 𝘥𝘩𝘦 𝘴𝘩𝘧𝘶𝘲𝘪𝘻𝘪𝘮𝘪𝘯 𝘦 𝘴𝘩𝘵𝘦𝘵𝘪𝘵 𝘵ë 𝘒𝘰𝘴𝘰𝘷ë𝘴, 𝘥𝘶𝘬𝘦 𝘯𝘫𝘰𝘭𝘭𝘰𝘴𝘶𝘳 𝘭𝘶𝘧𝘵ë𝘯 𝘦 𝘜Ç𝘒-𝘴ë, 𝘴𝘩𝘵𝘦𝘵𝘪𝘯 𝘦 𝘒𝘰𝘴𝘰𝘷ë𝘴 𝘥𝘩𝘦 𝘴𝘩𝘲𝘪𝘱𝘵𝘢𝘳ë𝘵, 𝘴𝘪 𝘢𝘬𝘵𝘰𝘳ë 𝘮𝘦 𝘲ë𝘭𝘭𝘪𝘮𝘦 𝘬𝘶𝘯𝘥ë𝘳 𝘬𝘰𝘮𝘶𝘯𝘪𝘵𝘦𝘵𝘪𝘵 𝘴𝘦𝘳𝘣.

Shkruan: Dr. Gurakuç Kuçi – profesor dhe hulumtues

Planet për ndarjen dhe zhbërjen e shtetit të Kosovës duket se janë kalkuluar edhe me revoltën e pritshme të qytetarëve pas shpalljes së dënimeve për krerët të UÇK-së në Hagë. Një reagim në afekt, nxitje e orkestruar dhe manipulim emocional sipas modelit të trazirave të marsit 2004, do të ishte skenari më fatal kundër Kosovës.
Se cilat ishin synimet e Serbisë me trazirat e marsit 2004 mund të lexoni më shumë këtu.
Dobësimin e sovranitetit të Kosovës dhe paraqitjen e serbëve në Kosovë si pre e “spastrimit etnik”, Serbia ka kohë që është duke e bërë me një dinamikë të shtuar.
Kur kemi parasysh se në Kosovë janë kapur spiunë të BIA-s, të cilët kishin plane të nxisnin trazira ndëretnike duke provokuar situatën dhe pastaj pala tjetër do t’i “hidhte benzinë”, atëherë 16 shtatori, në ditën kur vendimi për ish-krerët e UÇK-së do të ishte dënues, mund të ketë qenë ajo ditë për realizimin e një “Marsi 2”.
Rreziku ishte që zemërimi i krijuar në Kosovë të shfrytëzohej për të provokuar një incident ndëretnik: protesta të devijuara drejt zonave me shumicë serbe ose objekteve të Kishës Ortodokse, përplasje, viktima dhe më pas ndërkombëtarizim të menjëhershëm të krizës. Një skenar i tillë do ta zhvendoste brenda pak orësh debatin nga padrejtësia e Hagës te pyetja nëse Kosova është e aftë t’i mbrojë serbët dhe trashëgiminë ortodokse. Pikërisht ky është lloji i pasojës politike që, pas marsit 2004, ushqeu planet për decentralizim etnik, autonomi, ndarje dhe më pas zhbërje të shtetit të Kosovës.

𝙑𝙪ç𝙞𝙦 𝙙𝙝𝙚 𝙞𝙣𝙛𝙤𝙧𝙢𝙖𝙘𝙞𝙤𝙣𝙚𝙩 𝙥𝙖𝙧𝙖 𝙖𝙠𝙩𝙜𝙟𝙮𝙠𝙞𝙢𝙞𝙩
Qysh më 3 shtator, trembëdhjetë ditë para aktgjykimit, Aleksandar Vuçiq deklaronte se ishte i shqetësuar për protestat në Kosovë dhe pretendonte se po paralajmërohej dhunë nëse Hashim Thaqi nuk lirohej.
Nëntë ditë më vonë ndodhi diçka edhe më e pazakontë. Më 12 shtator, Vuçiq tregoi se shërbimet serbe i kishin dhënë fillimisht informacion se Thaçi do të merrte një dënim që afërsisht do t'i mbulonte vetëm kohën e paraburgimit. Por më pas, duke iu referuar kontakteve në Paris me liderë evropianë dhe botërorë, tha se kishte marrë “indikacione të tjera” se mund të jepej një dënim i rëndë. Vizita e Vuçiqit në Paris dhe takimi i tij me Emmanuel Macron më 9 shtator janë gjithashtu të dokumentuara nga Presidenca e Serbisë.
Katër ditë më vonë, Thaçi dhe Jakup Krasniqi morën nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli 18 dhe Rexhep Selimi 13 vjetë burgim.
Kjo ngre një pyetje që nuk duhet anashkaluar: çfarë informacioni për një vendim ende të pashpallur po qarkullonte në nivelet politike dhe diplomatike?

𝙉𝙜𝙖 𝙧𝙖𝙥𝙤𝙧𝙩𝙞 𝙈𝙖𝙧𝙩𝙮 𝙩𝙚 𝙝𝙞𝙨𝙩𝙤𝙧𝙞𝙖 𝙚 𝙀𝙐𝙇𝙀𝙓-𝙞𝙩
Edhe origjina e procesit kërkon rikujtim. Mocioni i 15 prillit 2008, që dërgoi më pas te raporti i Dick Martyt, u iniciua nga Konstantin Kosachev i Rusisë; ndër nënshkruesit ishin Milosh Aligrudiq nga Serbia dhe Mikhail Margelov nga Rusia, krahas parlamentarëve nga vende të tjera.
Serbia dhe Rusia më pas vazhduan ta shtynin ndërkombëtarisht çështjen. Në prill 2011 Serbia kërkoi krijimin e një mekanizmi hetues nën autoritetin e Këshillit të Sigurimit, ndërsa më 23 qershor Rusia qarkulloi në emër të Serbisë një projekt-rezolutë për krijimin e këtij mekanizmi. Rusia vazhdoi ta mbështeste kërkesën serbe edhe në diskutimet e mëvonshme në Këshillin e Sigurimit.
Ndërkohë, gjyqtari kryesues Charles Smith kishte qenë më parë pjesë e strukturës së lartë gjyqësore të EULEX-it. Sipas biografisë zyrtare të Dhomave të Specializuara, ai ishte gjyqtar i EULEX-it nga viti 2010 deri më 2013, anëtar i Gjykatës Supreme të Kosovës dhe më pas nënkryetar e kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it.
Në vitin 2021, mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së, në një çështje tjetër para Speciales kërkoi përjashtimin e tij, duke iu referuar pretendimeve të ish-gjyqtarit të EULEX-it, Malcolm Simmons dhe korrespondencës elektronike lidhur me sjelljen e Smith gjatë kohës në EULEX. Vendimi zyrtar mbi kërkesën për përjashtimin e Smithit u refuzua, por konfirmon se materialet dhe pretendimet ishin paraqitur në procedurë.
Këto elemente krijojnë një konvergjencë që meriton hetim: origjina politike e çështjes, interesi afatgjatë i Serbisë dhe Rusisë, informacionet paraprake të presidentit serb, historia institucionale e gjyqtarit kryesues dhe një kontekst ku Perëndimi njëkohësisht kërkon ta mbajë Serbinë sa më larg orbitës ruse. Në vitin 2026, Serbia ka “vazhduar” rrugën drejt BE-së dhe njëkohësisht ka nisur hapa për “reduktimin” e varësisë energjetike nga Rusia dhe sigurimin e furnizimeve përmes mekanizmave evropianë.

𝙉𝙟ë “𝙢𝙖𝙧𝙨 2004” 𝙞 𝙧𝙞 𝙙𝙝𝙚 𝙞𝙣𝙩𝙚𝙧𝙚𝙨𝙞 𝙥𝙖𝙨 𝙫𝙚𝙣𝙙𝙞𝙢𝙞𝙩
Pyetja më e rëndë, megjithatë, është ajo që vjen pas aktgjykimit të shkallës së parë.
Nëse zemërimi në Kosovë mbetet protestë politike, kemi krizë të drejtësisë dhe besimit. Por, nëse zemërimi tranformohet në dhunë kundër serbëve ose kishave ortodokse, atëherë kemi diçka tjetër: një krizë sigurie që mund të përdoret për të rikthyer argumentin se Kosova nuk mund të funksionojë si shoqëri multietnike dhe se duhet një zgjidhje tjetër.
Këtë model Kosova e ka parë njëherë, në marsin e vitit 2004. Prandaj, pyetja sot nuk është vetëm se çfarë vendosi Haga.
Pyetja është se çfarë skenarësh mund të ishin kalkuluar me vendimin e Dhomave të Specializuara. Nëse planet tashmë kanë dështuar – dhe me sa duket po – atëherë me vendimin e apelit mund të kemi një vendim lirues për ish-krerët e UÇK-së. Mirëpo, mbetet në detyrën tonë si shtet dhe shoqëri që këto plane t’i mbajmë të dështuara. Në këtë drejtim, do të duhej shikuar mundësitë që Oda e Avokatëve të Kosovës ta mbështesë mbrojtjen në Hagë përmes një ekipi të specializuar për analizën e aktgjykimit, identifikimin e gabimeve juridike e faktike, kërkimin e jurisprudencës, shqyrtimin e provave të reja dhe simulimin e seancave të apelit. Ajo mund të kërkojë edhe status amicus curiae, pasi Rregulla 67 e Rregullores së Procedurës dhe Provave lejon që një organizatë ose person të kërkojë leje ose të ftohet nga paneli për të paraqitur vërejtje si amicus curiae, ndërsa drejtimin procedural e mban ekipi mbrojtës në Hagë.

Address

Perandori Justinian, Ndërtesa 3, Kati3, Nr 8
Pristina
10000

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when Octopus Institute posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Shortcuts

Share