29/09/2026
Një rrugëtim historik që vazhdon – tre vite nga pranimi i Kosovës me të drejta të plota në Komitetin Ndërkombëtar Paralimpik (IPC)
Pranimi i Kosovës në IPC përbën një nga momentet më të rëndësishme në historinë e sportit paralimpik të vendit tonë dhe shënoi fillimin e një kapitulli të ri për përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës.
Ky moment historik, i arritur nën udhëheqjen e Presidentes së Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini, dhe me angazhimin e vazhdueshëm të institucioneve, drejtuesve, sportistëve, trajnerëve, vullnetarëve, bashkëpunëtorëve dhe partnerëve vendorë e ndërkombëtarë, ishte rezultat i një pune të gjatë për anëtarësimin dhe përfaqësimin e plotë të Kosovës në lëvizjen paralimpike ndërkombëtare.
Një rol të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve të Kosovës me familjen paralimpike ndërkombëtare ka pasur edhe bashkëpunimi me Presidentin e Komitetit Ndërkombëtar Paralimpik, Andrew Parsons, përfshirë edhe vizitën e tij në Kosovë, e cila shënoi një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet KPK-së dhe IPC-së.
Anëtarësimi në IPC fuqizoi lidhjet e Kosovës me familjen paralimpike ndërkombëtare, zgjeroi bashkëpunimin me organizatat partnere dhe krijoi mundësi të reja për zhvillimin e sportistëve dhe të lëvizjes paralimpike në vend.
Gjatë këtyre viteve, Kosova ka rritur praninë e saj në aktivitete dhe ngjarje ndërkombëtare dhe ka ndërtuar partneritete që kontribuojnë në zhvillimin dhe afirmimin e mëtejmë të sportit paralimpik. Ky rrugëtim u shënua edhe me pjesëmarrjen historike të Kosovës në Lojërat Paralimpike Paris 2024, ku vendi ynë u përfaqësua për herë të parë nga paraatleti Grevist Bytyqi-Djali i Historisë, i cili mbajti flamurin e Kosovës në skenën më të madhe të sportit paralimpik botëror.
Në këtë përvjetor, shprehim mirënjohjen tonë për institucionet e Republikës së Kosovës, organizatat partnere, federatat sportive, trajnerët, sportistët, bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në zhvillimin dhe fuqizimin e sportit paralimpik në vendin tonë.
Tre vite më pas, ky rrugëtim vazhdon me përkushtim për fuqizimin e sportistëve, zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe afirmimin e Kosovës në lëvizjen paralimpike botërore. 🇽🇰