05/06/2026
Çdo verë, Rame Lahaj International Opera Festival ka sjellë në Prishtinë artistë që përfaqësojnë skenat më të rëndësishme operistike të botës. Nën frymën e motos së këtij viti, “Play Music, Not War”, misioni jonë vazhdon të dëshmojë fuqinë e muzikës për të bashkuar njerëz dhe kultura të ndryshme përmes artit.
Jemi të lumtur t’ju njoftojmë se dirigjenti italian Giuseppe Finzi do t'i bashkohet edicionit të gjashtë të festivalit, duke marrë drejtimin muzikor të artistëve dhe orkestrës në mbrëmjen më të shumëpritur të festivalit, Gala Night Rame Lahaj & Friends.
I vlerësuar ndërkombëtarisht për punën e tij në repertorin operistik dhe simfonik, Maestro Finzi ka bashkëpunuar me teatro dhe orkestra të rëndësishme në mbarë Europën, duke dirigjuar vepra si Ernani, Il trovatore, Simon Boccanegra, Turandot, Tosca dhe Madama Butterfly.
Me përvojën e pasur artistike dhe intepretimin e tij të formuar në traditën më të mirë të dirigjimit italian, Giuseppe Finzi do të jetë një nga figurat kyçe të mbrëmjes kulmore të festivalit, më 29 korrik në sheshin “Skënderbeu”.
Mezi presim t’ju prezantojmë me artistët e tjerë të gala mbrëmjes në ditët në vazhdim!