19/04/2023
Fillon procesi gjyqësor për lejet e hidrocentraleve të Deçanit
Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Administrativ është mbajtur seanca përgatitore në rastin e Padisë për Konflikt Administrativ lidhur me lëshimin e lejeve dhe licencave për hidrocentralet “Lumbardhi”, “Deçani” dhe “Belaja” në Grykën e Deçanit.
👇👇👇
Fillon procesi gjyqësor për lejet e hidrocentraleve të Deçanit
Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Administrativ është mbajtur seanca përgatitore në rastin e Padisë për Konflikt Administrativ lidhur me lëshimin e lejeve dhe licencave për hidrocentralet “Lumbardhi”, “Deçani” dhe “Belaja” në Grykën e Deçanit.
Padia e ushtruar me 4 dhjetor 2020 dhe e plotësuar më 8 shkurt 2021, pretendon se Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit (MEA) dhe Zyra e Rregullatorit për Energjinë (ZRRE) në kundërshtim me ligjin kanë lëshuar lejet mjedisore dhe licencat për hidrocentralet në Deçan.
Në emër të paditësve Faton Selmanaj, Muharrem Lulaj dhe Xhavit Kuçi si dhe të ndërhyrësve OJQ “Pishtarët” dhe “Grupi për Studime Juridike dhe Politike”, në këtë seancë prezantoi avokatja Valtida Shukriu, përfaqësuesit e të paditurës Zyra e Rregullatorit të Energjisë, Afrim Ajvazi dhe Ymridin Misini, ndërsa nga kompania Kelkos prezent ishin avokati Granit Vokshi dhe drejtori Valon Berisha.
Kurse, në këtë seancë të udhëhequr nga gjyqtari i çështjes Kreshnik Kaçiu nuk prezantoi askush nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit që po ashtu në këtë rast është palë e paditur.
Fillimisht, përfaqësuesja e paditësve dhe palëve ndërhyrëse, avokatja Shukriu deklaroi se mbeten në tërësi pranë kërkesëpadisë dhe padisë, duke argumentuar me të gjitha provat se vendimet dhe lejet e dhëna për kompaninë Kelkos nga MEA dhe ZRRE, janë në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe me Kushtetutën e vendit. Sipas saj, licencat dhe lejet janë dhënë duke anashkaluar obligimin ligjor të konsultimit publik me qytetarët e Deçanit dhe që ky proces ka filluar me leje ujore e jo përmes ndarjes së koncesioneve.
Pretendimet e paraqitura nga ana e paditëses u kundërshtuan nga përfaqësuesi i të paditurës së dytë ZRRE, Afrim Ajvazi i cili i mohoi të gjitha pretendimet e cekura në padi dhe të palës ndërhyrëse për sa i përket ZRRE-së.
Ajvazi tha se ZRRE ka zbatuar drejtë parimin e ligjshmërisë kur ka vendosur me vendime përkatëse për lëshimin e licencave të operimit për subjektin juridik, ndërsa sa i përket afatit të lëshimit të licencave, sipas tij, ZRRE të njëjtat i ka lëshuar në pajtim me kushtet ligjore dhe obligimet e legjislacionit në fuqi.
Në këtë seancë i pranishëm ishte edhe përfaqësuesi i palës së interesit, KelKos Energy, avokati Granit Vokshi, i cili dorëzoi përgjigjen në padi sa i përket kësaj çështje.
Përgjigjen në fjalë i njëjti e elaboroi duke e kontestuar legjitimitetin aktiv procedural të paditësve bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, me të cilin janë anuluar vendimet e Gjykatës Supreme dhe instancave të tjera rreth shtyrjes së ekzekutimit të vendimeve të sfiduara në padi.
Ndërsa, për pretendimet e palës paditëse se hidrocentralet rrezikojnë ujin për pije dhe ujitje, avokati Vokshi tha se pala paditëse nuk kanë ofruar prova për të mbështetur të njëjtat. Sa i përket ligjshmërisë së vendimeve të ZRRE-së, të njëjtat Vokshi i konsideroj si të pa mbështetshme me arsyetimin se pala paditëse nuk ka dhënë argumente e as prova për t’i vërtetuar.
Më pas, gjyqtari i çështjes, Kreshnik Kaçiu i obligoi palët ndërgjyqëse që brenda afatit prej 5 ditëve të dorëzojnë provat e tyre në gjykatë, ndërsa seancën e radhës e caktoi më 11.05.2023, në ora 09:00.
Sipas Padisë, gjatë procesit të lëshimit të këtyre lejeve, qytetarëve të Deçanit u është shkelur e drejta e tyre themelore e garantuar me Kushtetutë, u është mohuar e drejta për të marrë pjesë në vendimet që kanë të bëjnë me mjedisin ku jetojnë. Pra, zhvillimi i një projekti kaq të madh si ndërtimi i Kaskadës së Hidrocentraleve në Deçan, me pasoja shumë të rënda në jetën e qytetarëve që jetojnë aty, është mbajtur pa zhvilluar debat publik siç kërkohet nga ligji.
Gjithashtu, paditësit pretendojnë se procesi i lëshimit të këtyre lejeve ka qenë jo-transparent dhe se është vërtetuar gjendja e gabuar faktike. Përkatësisht, nga provat e siguruara, kompania Kelkos Energy Sh.p.k. nuk e ka bërë rehabilitimin e ambientit ashtu siç kërkohet nga ligji dhe ka degraduar mjedisin. Prandaj, mbi këtë bazë, ata kanë kërkuar nga gjykata anulimin e të gjitha këtyre vendimeve, si dhe shtyrjen e ekzekutimit të tyre derisa gjykata të marrë një vendim përfundimtar në lidhje me ligjshmërinë e tërë procesit.
Aktualisht, me aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, rikonfirmuar në dhjetor 2022, vendimet e kontestuara janë nën masën e përkohshme./Drejtësia Sot