08/10/2026
Nga 11 deri më 18 tetor 2026, vëmendja e pingpongut evropian zhvendoset në Arena Stožice, Ljubljana, Slloveni, ku Kosova do të jetë pjesë e garës më prestigjioze individuale të kontinentit, Kampionatit Evropian Individual 2026, të organizuar nga ETTU.
Në këtë ngjarje të rëndësishme të kalendarit evropian, Kosova do të përfaqësohet nga sportistët Kreshnik Mahmuti dhe Shega Hashani, të shoqëruar nga trajneri Ridvan Hashani.
Delegacionit të Kosovës do t’i bashkohet edhe Kryetari i FPPK-së, Nehat Çitaku.
Kampionati Evropian Individual mbledh në Ljubljana ndër lojtarët më të mirë të kontinentit, ndërsa programi i garave përfshin single për meshkuj dhe femra, dyshe për meshkuj dhe femra, si dhe dyshe të përziera (Mixed Doubles). Sipas ETTU-së, faza preliminare nis më 11 tetor, ndërsa shorti kryesor nis më 13 tetor. Kampionët evropianë në kategoritë individuale do të shpallen më 18 tetor.
Kjo garë paraqet një mundësi të rëndësishme për sportistët tanë që të konkurrojnë në skenën më të lartë evropiane dhe të përballen me disa prej emrave më të mirë të pingpongut kontinental. Për më tepër, rezultatet e këtij Kampionati do të kontribuojnë drejtpërdrejt në European Mixed Team Ranking, i cili lidhet me kualifikimin për garën Mixed Team në European Games 2027 dhe rrugën evropiane të kualifikimit olimpik.
Për ta ndjekur pjesëmarrjen dhe rezultatet e përfaqësuesve të Kosovës gjatë Kampionatit, klikoni në linkun zyrtar: https://www.ettu.org/european-individual-championships/