Haradin Bajrami, djali i Asllan Bajramit dhe Sadije Bajramit, u lind në fshatin Rreze (ish-Leletiq) të komunës së Lypjanit. Ai ishte pjesëtar i një familjeje të varfër fshatare, por të njohur për trimëri dhe qëndresë kundër regjimit okupator serb. Shkollën fillore e kreu në Magurë dhe, pavarësisht vështirësive të mëdha ekonomike, arriti ta përfundojë shkollën e mesme në Lypjan. Në vitin 1984, ai s
hpërndante pamflete dhe shkruante parulla me kërkesën “Kosova Republikë”. Aktiviteti i tij nuk mbeti i pazbuluar nga milicia krahinore, për të cilin u dënua me dy muaj burg, dënim të cilin e vuajti në burgun e Gjurakocit. Haradini kishte talent për gdhendje gurësh dhe filloi herët të punonte duke rregulluar pllaka varrezash, nga e cila dhe nga punë të tjera fizike siguronte jetesën për familjen e tij të madhe. Me zgjerimin e pikave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në zonën e Blinajës (ish-Lypovicë) në maj dhe qershor të vitit 1998, Haradin Bajrami, së bashku me vëllezërit e tij, kontribuoi në ndërtimin e rrugëve dhe hapjen e istikameve. Shtëpia e tij në fshatin Leletiq, afër pyjeve të dendura të Blinajës, u bë një bazë e sigurt për luftëtarët e lirisë që po vëzhgonin terrenin dhe përgatiteshin për të zgjeruar luftën. Në qershor të vitit 1998, Haradin Bajrami u rreshtua në radhët e UÇK-së, ku në zonën e Blinajës komandonte Shukri Buja. Haradini mori pjesë në luftimet kundër forcave ushtarake dhe policore serbe në Vërshec, Leletiq dhe Blinajë në korrik të vitit 1998. Pas përparimit të forcave serbe në zonën e Blinajës, luftëtarët shqiptarë u tërhoqën në fshatrat Krojmir dhe Shalë, ku u organizuan në dy batalionet e Brigadës 121: Batalioni i Parë "Imer Alushani" dhe Batalioni i Dytë "Ruzhdi Salihu". Në shtator të vitit 1998, Haradin Bajrami, së bashku me Ali Mejzinollin, Fadil Kastratin dhe luftëtarë të tjerë, sulmoi një patrullë policore serbe te Hoteli i Blinajës, ku dyshohet se u vranë dy oficerë serbë. Më vonë, Haradini u caktua komandant toge në zonën Blinajë-Mirenë. Pas masakrës së Reçakut më 15 janar 1999, ku u masakruan mizorisht 42 civilë dhe ranë 11 luftëtarë të UÇK-së, Haradin Bajrami dhe luftëtarët e tij sulmuan forcat serbe në Blinajë për hakmarrje. Ai vazhdoi të kryente aksione kundër forcave serbe, përfshirë sulmet në “Kodrën e Barutit” në Blinajë. Duke njohur mirë terrenin, Haradini dhe togja e tij lëviznin vazhdimisht për të monitoruar lëvizjet e forcave serbe, të cilat ishin të rrethuara nga UÇK-ja. Gjatë dimrit të vitit 1999, sidomos pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, forcat serbe përforcuan praninë e tyre në Blinajë, duke dislokuar mijëra ushtarë. Të dyja palët minuan terrenin, dhe më 2 prill 1999, Haradin Bajrami u plagos rëndë pasi ra në një fushë të minuar në vendin e quajtur "Ligata e Madhe". Edhe ushtari Driton Grantolli u plagos në këtë aksion. Bashkëluftëtarët e tij e tërhoqën Haradinin nga fusha dhe e dërguan në ambulancën e fshatit Shalë, por përpjekjet për t’i shpëtuar jetën ishin të kota, pasi plagët ishin fatale. Haradin Bajrami ishte i martuar me Rukije Sahitin dhe la pas katër djem: Sabedinin, Liridonin, Dardanin, dhe Përparimin, si dhe një vajzë, Fatlindën. Ai la gjithashtu tre vëllezër: Rexhepin, Shabanin dhe Abedinin, dhe nëntë motra: Habiben, Fazilen, Linditën, Halimen, Teutën, Afërditën dhe Arditën. Në shenjë nderimi, familja dhe bashkëluftëtarët i vendosën një pllakë përkujtimore në hyrje të fshatit Rreze. Familja e tij ka marrë mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Ministria e Mbrojtjes së QPK-së, shoqatat e luftës dhe Kuvendi Komunal i Lypjanit. Në nderim të veprës së tij, rruga nga udhëkryqi i Lypjanit deri te Stacioni Policor është emërtuar me emrin e tij.