08/09/2026
DISA FJALË PËR FESTIVALIN
Festivali i Këngës për Fëmijë “Lyra Fest” – një traditë 20-vjeçare e Gjakovës
LYRA FEST 2026 ka hapur konkursin për pranimin e këngëve të reja për fëmijë, duke ftuar të gjithë kompozitorët, tekstshkruesit dhe krijuesit që të konkurrojnë me krijimet e tyre në edicionin e 20-të të festivalit.
Festivali i Këngës për Fëmijë “Lyra Fest”, i themeluar në vitin 2007 nga OJQ “Neo Musica” në Gjakovë, sivjet shënon një edicion të veçantë – 20-vjetorin e themelimit.
Edicioni jubilar planifikohet të mbahet më 5 dhjetor 2026, në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë, duke vazhduar kështu një traditë të rëndësishme të qytetit dhe të kulturës muzikore për fëmijë.
Në skenën e këtij edicioni do të prezantohen mbi 20 fëmijë të talentuar, të moshave 5 deri në 12 vjeç, me këngë të reja dhe të papublikuara më parë, të krijuara nga autorë të njohur të skenës muzikore mbarëshqiptare.
Do të jetë një mbrëmje e veçantë festive, e pasuruar me mysafirë të ftuar, grupe të valleve popullore, performanca të vallëzimit modern dhe pika të tjera artistike, duke krijuar një atmosferë të veçantë dhe të paharrueshme për fëmijët, prindërit dhe publikun.
Numri i këngëve të prezantuara ndër vite në “Lyra Fest” kalon mbi 400, me krijime nga autorë të ndryshëm nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora shqiptare.
Që nga themelimi, “Lyra Fest” ka pasur për qëllim krijimin e një hapësire të veçantë për fëmijët e talentuar në këndim, por edhe për kompozitorët, tekstshkruesit dhe orkestruesit, duke u ofruar mundësi të reja për të shfaqur talentin, kreativitetin dhe punën e tyre artistike.
Për shumë artistë të rinj, “Lyra Fest” ka qenë një nga hapat e parë drejt jetës artistike dhe muzikore. Pikërisht kjo e bën festivalin një nga platformat e rëndësishme për promovimin dhe zhvillimin e talenteve të reja.
“Lyra Fest” është vazhdimësi e traditës së gjatë të Festivalit të Këngës për Fëmijë në Gjakovë, ndërsa karakteri i tij garues ka ndikuar që festivali të jetë në rritje të vazhdueshme dhe të mbledhë krijime nga të gjitha trevat shqiptare.
Edicioni i parë i “Lyra Fest” u mbajt më 27 shtator 2007 dhe zgjati tri net. Nata e parë iu kushtua këngës për fëmijë, nata e dytë muzikës popullore, ndërsa nata e tretë muzikës argëtuese për të rritur. Nga edicioni i dytë, festivali vazhdoi me fokus të plotë në këngën për fëmijë.
Korin e fëmijëve për edicionin jubilar do ta përgatisë mësuesja e muzikës, Edenja Haxhikadrija.
Festivali “Lyra Fest” mbështetet nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Gjakovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
20 VITE – MBI 400 KËNGË – QINDRA FËMIJË – NJË TRADITË QË VAZHDON!
OJQ “Neo Musica”
Drejtor i Festivalit
Kujtim Nushi