Këshilli i Bashkësisë Islame - Kaçanik

Directions Contact the organization

Këshilli i Bashkësisë Islame - Kaçanik Këshilli i Bashkësisë Islame i Kaçanikut Organizatë e komunitetit

KRYETARI I KBI-SË NË KAÇANIK, FIDAIM EF. FAZLIU, VIZITOI XHAMINË E FSHATIT STAGOVËKryetari i Këshillit të Bashkësisë Isl...
21/10/2026

KRYETARI I KBI-SË NË KAÇANIK, FIDAIM EF. FAZLIU, VIZITOI XHAMINË E FSHATIT STAGOVË

Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Kaçanik, Fidaim ef. Fazliu, së bashku me stafin e tij, sot vizitoi xhaminë e fshatit Stagovë, ku u prit nga imami i kësaj xhamie, Behar ef. Bajrami.

Gjatë kësaj vizite, ata u njoftuan nga afër me punët e realizuara në xhami dhe në hapësirat përreth saj, e në veçanti me përfundimin e abdes'hanes, e cila ishte tejet e nevojshme dhe e domosdoshme për besimtarët e këtij fshati.

Realizimi i këtij projekti u bë i mundur falë kontributit të çmuar të familjes së Nejaz S. Bajramit.

Pa dyshim, ky është një kontribut me vlerë të veçantë, një vepër e mirë që sjell dobi për xhematin dhe shpërblim të madh për të gjithë familjarët, si për ata që janë gjallë, ashtu edhe për ata që kanë ndërruar jetë.

Me këtë rast, kryetari Fidaim ef. Fazliu falënderoi imamin, xhematin dhe, në veçanti, familjen e Nejaz S. Bajramit për këtë kontribut të çmuar dhe për përkushtimin e treguar ndaj mirëmbajtjes dhe përmirësimit të kushteve në objektet tona fetare.

Falë ndihmës së Zotit dhe bujarisë së njerëzve me zemër të madhe, objektet tona fetare po kompletohen, po mirëmbahen dhe po përmirësohen vazhdimisht, në mënyrë që besimtarët të kenë kushte sa më të mira për kryerjen e obligimeve të tyre fetare.

Allahu i shpërbleftë të gjithë ata që kontribuojnë në vepra të mira! I shtoftë të mirat në këtë botë dhe në botën tjetër – Ahiret!

Këshilli i Bashkësisë Islame – Kaçanik!

DHURIMI VULLNETAR I GJAKUT – AKT I HUMANIZMIT DHE SOLIDARITETIT! Sot, më 16.10.2026, menjëherë pas namazit të xhumasë, K...
16/10/2026

DHURIMI VULLNETAR I GJAKUT – AKT I HUMANIZMIT DHE SOLIDARITETIT!

Sot, më 16.10.2026, menjëherë pas namazit të xhumasë, Këshilli i Bashkësisë Islame në Kaçanik, në bashkëpunim me ekipin e Transfuzionit të Gjakut, organizoi aksionin e dhurimit vullnetar të gjakut.

Bashkësia Islame në Kaçanik, tashmë në vazhdimësi dhe çdo vit, organizon këtë aktivitet humanitar, duke u përpjekur që t’u dalë në ndihmë të gjithë atyre që kanë nevojë për gjak. Duke parë nevojën e madhe që kanë pacientët për këtë dhuratë jetike, ne e konsiderojmë dhurimin e gjakut një vepër të lartë humane, një shprehje të dashurisë për njeriun dhe një dëshmi të solidaritetit tonë shoqëror.

Një dhurim i vogël për ne mund të jetë një shpresë e madhe për dikë tjetër!

Falënderojmë përzemërsisht ekipin e Transfuzionit të Gjakut për bashkëpunimin e vazhdueshëm, përkushtimin në punën e tyre, afërsinë me njerëzit dhe sjelljen e ngrohtë e njerëzore që tregojnë ndaj secilit.

Një falënderim i veçantë shkon edhe për xhematin tonë, i cili çdo herë i përgjigjet pozitivisht kësaj nisme humanitare, duke dëshmuar edhe një herë se solidariteti, bamirësia dhe kujdesi për tjetrin janë vlera që na bashkojnë.

Allahu i shpërbleftë të gjithë ata që kontribuojnë në këtë vepër të mirë, ua dhëntë shëndetin dhuruesve dhe shërim të shpejtë të gjithë pacientëve që kanë nevojë për gjak!

Bashkësia Islame në Kaçanik – gjithmonë pranë njerëzve, në shërbim të humanizmit dhe të mirës së përbashkët!

KBI- Kaçanik

Hytbeja e Xhumasë dt.16.10.2026 NJERIU, KRENAR OSE NËNÇMUES I VETVETESSecili prej nesh kërkon, dëshiron të ndihet dhe të...
16/10/2026

Hytbeja e Xhumasë dt.16.10.2026 NJERIU, KRENAR OSE NËNÇMUES I VETVETES

Secili prej nesh kërkon, dëshiron të ndihet dhe të jetë krenar me veten e vet, dëshiron të respektohet dhe të mos ndihet i fyer apo i nënçmuar nga të tjerët apo rrethi ku jeton. Kur Allahu xh.sh. e ka krijuar njeriun e ka pajisur me tre instikte: 1. Dëshira për ushqim dhe pije; 2. Të shtohet, krijon familje dhe 3. Dëshira për t’u ndjerë krenar e jo të ofendohet.
Por, njeriu mund të zgjedh, të mbetet krenar apo të bëhet objekt i nënçmimit nga të tjerët. Këtë përzgjedhje e bënë nga veprat të cilat i punon. Nëse bazohemi në krijimin e njeriut, formën e tij të veçantë, e cila e dallon nga të gjitha krijesat tjera, e kuptojmë se njeriu duhet të jetë krenar. Por, nëse njeriu nuk e vlerëson veten dhe kalon në veprimtari të dëmshme dhe në mëkate atëherë do të bëhet object tallje nga të tjerët. Po fillojmë me anën positive:
1. Njeriu Është krijuar të ndihet krenar:- Allahu xh.sh. e ka krijuar njeriun në formën më të bukur. Siç thotë në Kuran: لَقَدْ خَلَقْنَا الْإِنْسَانَ فِي أَحْسَنِ تَقْوِيمٍ - “Vërtet, Ne e krijuam njerin në formën më të bukur”. (et-Tiin: 4) Allahu xh.sh. poi thotë njeriut, o njeri, je i shenjtë dhe i pastër. Prandaj kujdes, o njeri, mos e poshtro dhe mos e nënçmo veten tënde që të mos bëhesh nga grupi tjetër: “Pastaj e zbritëm atë në më të ultin e të ultëve. Përveç atyre që besuan dhe bënë vepra të mira ...”. (et-Tiin: 5-6) Por, jo vetëm kaq! Njeriu është i krijuar nga vetë Allahu xh.sh., siç thotë në Kuran: “...çka të pengoi ty t'i përulesh atij që Unë vetë e krijova?”. (Sad: 75) Duke vazhduar nderimi i njeriut me momentin kur ia dha shpirtin që t’i bëhet sexhde nderimi: “E kur ta përsos në formën e duhur dhe t’i j*p shpirtin, i bini atij në sexhde”. (el-Hixhër: 29) Si dhe kulminacioni i nderimit të njeriut nga ana e Allahut xh.sh. për të cilin duhet të ndihet krenar, është krijimi i Xhennetit për të!
2. Njeriu nga gjynahet bëhet i nënçmuar:- Po të shohim, gjynahet ndahen në: gjynahe të vogla dhe gjynahe të mëdha. Quhen gjynahe të mëdha, pasi janë vepra, të cilat e poshtërojnë më shumë personalitetin e atij njeriu që i vepron. Si p.sh.: Alkooli, imoraliteti, hajnija, kumori, rrena etj. të gjitha këto vepra janë e zeza e vetvetës, familjes dhe shoqërisë. Deri sot nuk kemi dëgjuar se dikush e ka thirrur dikend kështu: z. alkoolisti, z. hajni, z. dilinxhia, z. kumorgjia apo z. rrenci etj.. Pra, nuk ka thirrje të tilla sepse janë vepra të cilat e ulin krenarin e vepruesit dhe e zbresin në nëvelin e të nënçmuarit në shoqëri.
Psikologët, duke analizuar gjendjen e një njeriu që kryen gjynahe të tilla, thonë se gjëja e parë që ndodh me të, është se i duket vetja e pavlerë.
3.Përfundimi:- Praktimi i fesë e kthen njeriun në origjinalitetin e krijimit të tijë. Pra, në gradat e larta në të cilat është nderuar nga Allahu xh.sh.. Ka ardhur feja që ta ndalon njeriun nga të vepruarit e punëve të dëmshme, të cilat e ulin njeriun të pozitat më të ulëta. Prandaj, le të pendohemi për gjithçka të ulët që kemi vepruar më parë dhe le të fillojmë një jetë të re.

Hoxhë Adnan ef. Vishi
Xhamia e Mirësisë, Kaçanik
16.10.2026

NJOFTIMDHURO GJAK, SHPËTO JETË!Të nderuar qytetarë të Komunës së Kaçanikut,Këshilli i Bashkësisë Islame në Kaçanik, në b...
14/10/2026

NJOFTIM

DHURO GJAK, SHPËTO JETË!

Të nderuar qytetarë të Komunës së Kaçanikut,

Këshilli i Bashkësisë Islame në Kaçanik, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut, organizon një aksion vullnetar për dhurimin e gjakut.

Ju ftojmë me zemër që të bëheni pjesë e këtij veprimi human dhe fisnik, duke kontribuar në shpëtimin e jetëve njerëzore. Një dhurim i vogël nga ana juaj mund të jetë shpresë e madhe për dikë që ka nevojë.

Vendi: Qendra Islame – Kaçanik

Data: 16.10.2026 (e premte)

Ora: 13:30 – pas namazit të Xhumasë

“Dhe, nëse dikush shpëton një jetë, është sikur të ketë shpëtuar jetën e të gjithë njerëzve.”

Bashkë për humanizëm, solidaritet dhe jetë!

Këshilli i Bashkësisë Islame në Kaçanik

ARLINDA LUMA – TRI VITE PËR TA MEMORIZUAR KURANIN NË MENDJE DHE  ZEMËRSot, në zyrën e Kryetarit të Bashkësisë Islame të ...
07/10/2026

ARLINDA LUMA – TRI VITE PËR TA MEMORIZUAR KURANIN NË MENDJE DHE ZEMËR

Sot, në zyrën e Kryetarit të Bashkësisë Islame të Kaçanikut, Fidaim ef. Fazliut, u zhvillua një pritje e veçantë dhe e mbushur me emocion, respekt e krenari.

Kryetari Fazliu priti Hafizen e parë të Komunës së Kaçanikut, Arlinda Luma, një vajzë që me punë, sakrificë, disiplinë dhe përkushtim të jashtëzakonshëm arriti që brenda vetëm tri vitesh ta përfundojë hifzin dhe ta memorizojë tërë Kuranin e Madhërishëm.

Kjo nuk është thjesht një arritje personale.
Është një dëshmi se kur vullneti bashkohet me disiplinën, besimi me dijen dhe sakrifica me këmbënguljen, atëherë edhe rrugët më të vështira bëhen të arritshme.

Arlinda Luma është shembull i bukur i ndërthurjes së dijes fetare me atë universitare. Krahas përfundimit të Hifzit të Kuranit, ajo ka përfunduar edhe Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tetovës, duke u renditur ndër studentët e dalluar.

Dy rrugë të mëdha të dijes – Kurani dhe mjekësia – të ndërthurura në një personalitet të vetëm, që dëshmon se besimi dhe arsimi nuk përjashtojnë njëri-tjetrin, por mund të ecin bukur krah për krah.

Pas kësaj arritjeje qëndrojnë vite pune, orë të panumërta mësimi, sakrificë, përkushtim dhe mbi të gjitha një vullnet i palëkundur për ta bërë Kuranin pjesë të zemrës dhe jetës.

Një mirënjohje e veçantë i takon edhe mësuesit dhe hoxhës së nderuar, Hafiz Zulqifli ef. Asllanit, për përkushtimin, durimin, dashurinë dhe kontributin e tij të çmuar në mësimin dhe përhapjen e Kuranit tek brezat e rinj. Përkushtimi i mësuesve të tillë është një pasuri e madhe për komunitetin dhe një investim që lë gjurmë përtej një brezi.

Në shenjë respekti dhe vlerësimi për këtë sukses të jashtëzakonshëm, Kryetari i Bashkësisë Islame të Kaçanikut, Fidaim ef. Fazliu, i ndau Arlindës një mirënjohje dhe një shpërblim, duke vlerësuar punën, angazhimin dhe arritjen e saj të veçantë.

Arlinda sot nuk është vetëm Hafize.
Ajo është një shembull për të rinjtë, një dëshmi e fuqisë së disiplinës dhe një inspirim për çdo vajzë e djalë që synon të ecë në rrugën e dijes.

Kaçaniku sot mund të krenohet me një bijë të tijën që Kuranin e ka vendosur në zemër dhe dijen në mendje.

Urojmë që kjo arritje të jetë vetëm fillimi i një rrugëtimi edhe më të gjatë në shërbim të dijes, shoqërisë dhe njerëzimit.

Urime, Hafize Arlinda Luma!
Qoftë Kurani dritë në zemrën tënde, udhëzim në jetën tënde dhe bereqet në çdo hap të rrugëtimit tënd.

Zoti e shpërbleftë Arlinden për mundin e saj, e begatoftë mësuesin e saj, familjen dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë rrugëtim të bekuar.

Me rrespekt,
Këshilli i Bashkësisë Islame- Kaçanik

Departamenti i të Rinjve pranë KBI Kaçanik, nën patronatin e Këshillit të Bashkësisë Islame, organizon ciklin e ligjërat...
05/10/2026

Departamenti i të Rinjve pranë KBI Kaçanik, nën patronatin e Këshillit të Bashkësisë Islame, organizon ciklin e ligjëratave:

📚 ME IBN HALDUNIN – NË GJURMËT E MUKADDIMES

Ky cikël i kushtohet veprës së njohur të Ibn Haldunit, “Mukaddime”, një prej veprave më të rëndësishme në mendimin islam mbi njeriun, shoqërinë dhe qytetërimin.

Përmes këtyre ligjëratave do të ndalemi te disa prej çështjeve themelore që trajton Ibn Halduni: njeriu dhe shoqëria, solidariteti shoqëror, ngritja dhe rënia e qytetërimeve, dija dhe edukimi, ekonomia, pushteti dhe ndryshimet shoqërore, duke i lidhur këto tema edhe me realitetin e rinisë dhe shoqërisë sonë.

🎙️ Ligjërues: Nehat Shehu

💻 Ligjëratat do të zhvillohen online përmes platformës Zoom.

👥 Të hapura për të dyja gjinitë.

📅 Çdo të mërkurë
🕗 Ora 20:00

Një udhëtim në mendimin e Ibn Haldunit, për ta lexuar shoqërinë me një vështrim më të thellë dhe për të nxitur te rinia reflektimin, dijen dhe vetëdijen shoqërore.

Arlinda Luma – Hafizja e parë e Kuranit në Komunën e Kaçanikut!Në fshatin Glloboçicë u mbajt Duaja e Hivzit, një ditë e ...
04/10/2026

Arlinda Luma – Hafizja e parë e Kuranit në Komunën e Kaçanikut!

Në fshatin Glloboçicë u mbajt Duaja e Hivzit, një ditë e veçantë dhe e paharrueshme, ku e reja Arlinda Nexhat Luma përfundoi me sukses memorizimin e Kuranit Famëlartë dhe u kurorëzua me titullin e Hafizes.

Ishte një ditë e mbushur me emocion, gëzim dhe krenari për të gjithë të pranishmit. Një ditë në të cilën u vlerësua sakrifica, mundi, disiplina, durimi dhe vullneti i palëkundur i Arlindës, e cila me përkushtim të madh arriti të ruajë në zemrën dhe kujtesën e saj Fjalën e Allahut të Madhëruar.

Memorizimi i Kuranit nuk është vetëm një arritje personale apo një sukses akademik. Është një amanet i madh, një nder i veçantë dhe një përgjegjësi e jashtëzakonshme. Hafizi dhe hafizja e Kuranit bartin në zemër Fjalën e Allahut dhe kanë përgjegjësinë që ta ruajnë, ta mësojnë, ta praktikojnë dhe ta përcjellin atë me urtësi e devotshmëri.

Në traditën islame, ruajtja dhe mësimi përmendësh i Kuranit ka një pozitë të veçantë. Çdo ajet i memorizuar është një pasuri e çmuar, ndërsa rruga drejt përfundimit të Hivzit kërkon durim, sakrificë, disiplinë dhe përkushtim të vazhdueshëm. Prandaj, suksesi i Arlindës është një shembull i bukur për të rinjtë tanë dhe një dëshmi se me vullnet, punë dhe përkrahje mund të arrihen qëllime të mëdha.

Në këtë ditë u vlerësua edhe përkrahja dhe mbështetja e pakursyer e prindërve dhe familjarëve të Arlindës, të cilët ishin pranë saj gjatë gjithë këtij rrugëtimi.

Një mirënjohje e veçantë i takon edhe Muhafizit Zulqifli Asllani, për angazhimin, durimin dhe përkushtimin e tij në edukimin dhe përgatitjen e Arlindës përgjatë rrugëtimit të saj drejt Hivzit.

Në emër të Këshillit të Bashkësisë Islame në Kaçanik dhe në emër të Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, të pranishmit i përshëndeti Kryetari Fidaim ef. Fazliu, i cili uroi Arlindën, familjen e saj dhe Muhafizin për këtë arritje të jashtëzakonshme.

Me respekt të veçantë u përshëndet dhe iu urua mirëseardhje Reisit të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Shaqir ef. Fetahut, si dhe Myftiut të Tetovës, Selver ef. Xhemailit, bashkë me të gjithë të pranishmit.

Në fjalën e tij, kryetari Fazliu foli për rëndësinë dhe sakrificën e madhe që kërkon memorizimi i Kuranit, duke e vlerësuar lart këtë arritje të Arlindës dhe duke u lutur për shëndetin, mbarësinë dhe sukseset e saj të mëtejshme.

Arlinda sot nuk mban vetëm një titull, ajo mban një amanet në zemër.

Urojmë që Allahu i Madhëruar ta bëjë Kuranin dritë të zemrës së saj, udhërrëfyes në jetën e saj dhe dëshmi për të në Ditën e Gjykimit.

Urime Arlindës, familjes Luma dhe Muhafizit Zulqifli Asllani!

Allahu e bëftë Kuranin shoqërues të përhershëm të jetës së saj dhe e shpërbleftë çdo hap të këtij rrugëtimi!

Urime, Hafize Arlinda Luma!

KBI- Kaçanik!

25/09/2026
Rreziqet e “Fetvave të Shpejta” në Epokën Digjitale – IKur fetvaja shkëputet nga pyetja dhe realitetiEpoka digjitale ka ...
23/09/2026

Rreziqet e “Fetvave të Shpejta” në Epokën Digjitale – I

Kur fetvaja shkëputet nga pyetja dhe realiteti

Epoka digjitale ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si njeriu kërkon informacion. Një pyetje që dikur kërkonte kohë, lexim, konsultim dhe ndoshta edhe një takim me dijetarin, sot mund të shkruhet në një motor kërkimi dhe brenda pak sekondash të shfaqen dhjetëra përgjigje.

Kjo vlen edhe për çështjet fetare.

Sot një person mund të parashtrojë një pyetje juridike në një faqe interneti, në rrjete sociale apo në një sistem të inteligjencës artificiale dhe të marrë menjëherë një përgjigje që duket e qartë, e prerë dhe bindëse.

Por këtu lind një pyetje e rëndësishme:

A është shpejtësia e marrjes së përgjigjes e njëjtë me saktësinë e saj?

Jo domosdoshmërisht.

Problemi i “fetvave të shpejta” nuk qëndron vetëm te fakti se një përgjigje mund të jepet shpejt. Problemi qëndron edhe te mënyra se si fetvaja shkëputet nga pyetja, nga rrethanat, nga personi që pyet dhe nga realiteti ku ajo duhet të zbatohet.

Në traditën juridike islame, fetvaja nuk ka qenë thjesht një informacion i përgjithshëm. Ajo lidhej me një pyetje dhe një rast.

Pikërisht këtë dimension rrezikon ta humbë fetvaja kur futet në logjikën e internetit.

Tradita hanefite dhe rëndësia e realitetit

Në këtë pikë, tradita hanefite ofron një material të pasur për të kuptuar problemin.

Në veprat e dijetarëve hanefij, e veçanërisht te Ibn Abidini, vëmendja ndaj realitetit, ‘urf-it dhe ndryshimit të rrethanave zë një vend të rëndësishëm.

Kjo shihet në veprën e tij të njohur Reddul Muhtar, por edhe në trajtesat Neshru-l Urf dhe Ukud Resm el-Mufti. Këto vepra tregojnë se tradita hanefite e ka trajtuar me seriozitet lidhjen ndërmjet dispozitës juridike, realitetit dhe mënyrës së dhënies së fetvasë.

Kjo na jep një parim të rëndësishëm për kohën tonë:

Nuk mjafton të gjesh një tekst juridik; duhet të kuptosh edhe realitetin mbi të cilin ai tekst do të zbatohet.

Një përgjigje mund të jetë e saktë për rastin për të cilin është dhënë, por kjo nuk do të thotë automatikisht se është përgjigjja e përshtatshme për çdo person tjetër që e lexon.

Këtu qëndron dallimi ndërmjet leximit të një fetvaje dhe marrjes së një fetvaje për rastin konkret.

Nga pyetja e plotë te fjalia e shkëputur

Një nga problemet më të mëdha të komunikimit digjital është thjeshtimi.

Pyetja e plotë: “Kam këtë situatë, këto rrethana dhe këtë problem; cili është gjykimi?”

shndërrohet në: “Është hallall apo haram?”

Pastaj përgjigjja shkëputet nga pyetja dhe fillon të qarkullojë më vete.

Pas disa ditësh, askush nuk e di më se cili ishte rasti fillestar.

Kështu krijohet një fenomen i rrezikshëm: fetvaja bëhet e pavarur nga pyetja që e ka prodhuar.

Një përgjigje e dhënë për një person, në një situatë të caktuar, mund të përdoret nga dhjetëra ose qindra njerëz të tjerë sikur të ishte një rregull universal.

Por në çështjet juridike, dallimet e vogla në rrethana mund të kenë rëndësi të madhe.

Rreziku i “screenshot-it”

Ndoshta askund nuk shihet më qartë ky fenomen sesa te screenshot-i.

Dikush merr një përgjigje nga një faqe fetare, e fotografon ekranin dhe e dërgon në një grup WhatsApp, Facebook apo Instagram.

Në pak minuta, ajo mund të qarkullojë te qindra njerëz.

Por çfarë ka humbur gjatë këtij procesi?

Mund të ketë humbur:

* pyetja origjinale;
* rrethanat e pyetësit;
* detajet që i janë dhënë muftiut;
* kufizimet e përgjigjes;
* burimi i plotë;
* metodologjia juridike;
* madje edhe pjesa e fjalisë që ndryshon kuptimin.

Megjithatë, screenshot-i shpesh prezantohet me një fjali: “Ja çfarë thotë Islami.”

Këtu ndodh një ndryshim i madh.

Një përgjigje për një rast shndërrohet në një deklaratë absolute për të gjithë.

Problemi i “copy-paste”-it

Interneti ka krijuar një kulturë ku informacioni kopjohet me një klikim.

Një përgjigje merret nga një burim, kopjohet në një faqe tjetër, pastaj në një faqe të tretë. Më vonë dikush e publikon pa burim dhe pas një kohe ajo qarkullon si “fjalë e dijetarëve”.

Në fund, mund të mos dihet më:

Kush e ka thënë?

Kur e ka thënë?

Për cilin rast?

Në çfarë rrethanash?

Në cilin medhheb?

Dhe mbi cilin burim është mbështetur?

Në traditën hanefite, literatura e fetvasë u zhvillua pikërisht me një vetëdije të lartë për nevojën e dallimit ndërmjet mendimeve të ndryshme, transmetimeve dhe qëndrimeve mbi të cilat mbështetet fetvaja.

Prandaj, gjetja e një teksti nuk është e njëjtë me kuptimin e tij dhe aq më pak me zbatimin e tij mbi një rast konkret.

Jo çdo pyetje ka një përgjigje universale

Në epokën e përgjigjeve të menjëhershme, njerëzit shpesh kërkojnë formulime absolute:

“Çfarë thotë Islami për biznesin?”

“Çfarë thotë Islami për martesën?”

“Çfarë thotë Islami për divorcin?”

Por pyetja juridike shpesh kërkon më shumë.

Kush është personi?

Çfarë ka ndodhur saktësisht?

Cilat janë rrethanat?

Cili është qëllimi?

Çfarë pasoje ka veprimi?

A ekzistojnë alternativa?

Cili është realiteti ekonomik, familjar apo shoqëror?

Këto nuk janë pyetje dytësore. Ato mund të jenë pjesë e domosdoshme e kuptimit të rastit.

Prandaj, një përgjigje e marrë nga interneti duhet të lexohet si informacion për t’u kuptuar, jo domosdoshmërisht si fetva personale për t’u zbatuar.

Edhe medhhebet e tjera e theksojnë këtë dimension

Kjo vëmendje ndaj realitetit nuk është vetëm karakteristikë e literaturës hanefite.

Edhe dijetarët e medhhebeve të tjera kanë trajtuar gjerësisht dallimin ndërmjet tekstit juridik, fetvasë, rrethanave dhe realitetit.

El-Karafiu, në veprën e tij El-Ihkam fi Temjiz el-Fetava anil Ahkam, trajton dallimin ndërmjet fetvasë dhe llojeve të tjera të gjykimit, duke i kushtuar rëndësi njohjes së rrethanave dhe pozitës nga e cila jepet përgjigjja.

Në literaturën shafi’ite dhe hanbelite gjithashtu gjenden diskutime të rëndësishme mbi lidhjen e dispozitës me rastin konkret dhe kushtet në të cilat ajo zbatohet.

Prandaj, problemi i sotëm nuk është një çështje që i përket një medhhebi të vetëm.

Problemi është se kultura digjitale e ka bërë shumë të lehtë shkëputjen e një përgjigjeje nga konteksti i saj.

Të lexosh nuk do të thotë të aplikosh

Këtu duhet të bëjmë një dallim të rëndësishëm.

Është e dobishme që një musliman të lexojë fetva, të mësojë dispozita dhe të njihet me mendimet e dijetarëve.

Por një gjë është të mësosh: “ X Dijetari ka dhënë këtë përgjigje për këtë çështje.”

Dhe diçka tjetër është të thuash: “Prandaj kjo është fetvaja ime dhe unë duhet ta zbatoj.”

Në rastin e dytë, tashmë kemi kaluar nga informimi në aplikimin juridik.

Dhe pikërisht këtu duhet më shumë kujdes.

Përfundim

Teknologjia ka bërë që dija fetare të jetë më e qasshme se kurrë më parë. Kjo është një mundësi e madhe.

Por qasja e lehtë nuk duhet të na krijojë iluzionin se edhe kuptimi i lehtë është i garantuar.

Një screenshot nuk e zëvendëson pyetjen.

Një copy-paste nuk e zëvendëson burimin.

Një fjali e shkëputur nuk e zëvendëson kontekstin.

Dhe një përgjigje e gjetur në internet nuk është automatikisht përgjigjja për rastin tim.

Në një kohë kur gjithçka kërkohet me një klikim, sfida jonë nuk është vetëm të gjejmë përgjigjen, por të dimë çfarë përgjigjeje kemi gjetur, për cilin rast është dhënë dhe a mund të zbatohet mbi realitetin tonë.

Kjo është një prej mburojave më të rëndësishme ndaj “fetvave të shpejta” në epokën digjitale.

Hoxhë Nehat ef. Shehu

Këshilli i Bashkësisë Islame në KaçanikKryetari i Bashkësisë Islame në Kaçanik, Fidaim ef.Fazliu, ditën e xhumasë mori i...
21/09/2026

Këshilli i Bashkësisë Islame në Kaçanik

Kryetari i Bashkësisë Islame në Kaçanik, Fidaim ef.Fazliu, ditën e xhumasë mori iniciativën që nëpër xhamitë e Komunës së Kaçanikut të bëhet apel për grumbullimin e mjeteve financiare për shërimin e Leonita Dedës, e cila aktualisht po mjekohet në Turqi.

Falë solidaritetit dhe bujarisë së xhematit, nga xhamitë e Komunës së Kaçanikut u grumbulluan gjithsej 6,529 euro.

Kryetari i Bashkësisë Islame në Kaçanik, Fidaim ef.Fazliu, i falënderon përzemërsisht të gjithë imamët dhe xhematin kontribuues për solidaritetin dhe mbështetjen e treguar.

Njëkohësisht, lutemi që Allahu ta shërojë Leonitën dhe t’ia lehtësojë shërimin, si dhe t’i j*pë forcë familjes së saj.

Me respekt,
Këshilli i Bashkësisë Islame – Kaçanik

Address

Rr. " Qamil Ilazi " Nr. 33
Kacanik
71000

Opening Hours

Monday 08:00 - 15:00
Tuesday 08:00 - 15:00
Wednesday 08:00 - 15:00
Thursday 08:00 - 15:00
Friday 08:00 - 15:00

Website

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when Këshilli i Bashkësisë Islame - Kaçanik posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Contact The Organization

Send a message to Këshilli i Bashkësisë Islame - Kaçanik:

Shortcuts

Share