08/06/2026
REAGIM I ASHPËR PUBLIK
OVL UÇK – Istog, SHFD UÇK – Istog dhe SHIL UÇK – Istog reagojnë ashpër ndaj aktit të papranueshëm dhe të turpshëm që ndodhi sot, rreth orës 13:50, ku është dëmtuar lapidari i dëshmorit të kombit Arif Hysenaj në Istog.
Ky veprim nuk është thjesht dëmtim i një objekti memorial. Ky është sulm ndaj kujtesës sonë kombëtare, ndaj sakrificës së dëshmorëve dhe ndaj vlerave mbi të cilat është ndërtuar liria jonë. Lapidarët e dëshmorëve janë vende nderimi, respekti dhe kujtese, prandaj çdo prekje ndaj tyre është fyerje e rëndë për familjet e dëshmorëve, për bashkëluftëtarët dhe për të gjithë qytetarët e Istogut.
Kërkojmë nga Policia e Kosovës, Prokuroria dhe institucionet komunale që ky rast të trajtohet me urgjencë, të identifikohen përgjegjësit dhe të ndërmerren të gjitha masat ligjore ndaj tyre. Heshtja ose zvarritja ndaj një akti të tillë do të ishte e papranueshme.
Ne nuk do të lejojmë që kujtimi i dëshmorëve të nëpërkëmbet. Sakrifica e dëshmorit Arif Hysenaj dhe e të gjithë dëshmorëve të kombit është e shenjtë dhe do të mbrohet me dinjitet institucional, qytetar dhe moral.
Apelojmë tek qytetarët që të ruajnë qetësinë, por njëkohësisht kërkojmë që institucionet të veprojnë menjëherë dhe pa kompromis.
Lavdi dëshmorit të kombit Arif Hysenaj!
Lavdi të gjithë dëshmorëve të UÇK-së!
OVL UÇK – dega Istog
SHFD UÇK – dega Istog
SHIL UÇK – dega Istog