28/08/2026
Nga gjaku i tyre rrjedh liria
29 Gushti – Dita e Dëshmorëve të Hanit të Elezit
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së – Dega në Han të Elezit, me nderimin dhe respektin më të lartë, përkujton dëshmorët e kësaj treve, të cilët me sakrificën e tyre sublime u bënë themel i lirisë dhe pavarësisë së vendit tonë.
Dëshmorët e Hanit të Elezit janë krenaria, lavdia dhe trashëgimia më e çmuar e kësaj ane. Të udhëhequr nga ideali i lirisë dhe dashuria për atdheun, ata flijuan jetën e tyre në altarin e lirisë, duke shkruar me gjakun e tyre faqet më të ndritura të historisë sonë kombëtare.
Sakrifica e tyre na obligon që të ruajmë me përkushtim vlerat për të cilat ata luftuan dhe ranë. Kujtimi i dëshmorëve do të mbetet përherë i gjallë në zemrat tona, si udhërrëfyes për unitet, dinjitet, atdhedashuri dhe përgjegjësi ndaj vendit tonë.
Në këtë ditë përkujtimore, përulemi me respekt para veprës së tyre të pavdekshme dhe shprehim mirënjohjen tonë të përhershme për familjet e dëshmorëve, të cilat bartën me krenari peshën e sakrificës për liri.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve të Hanit të Elezit!
Lavdi të gjithë dëshmorëve të Kombit!
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së
Dega në Han të Elezit.