Iniciativa Zhvillimore për Hanin e Elezit, shkurtimisht IZHHE, është Organizatë Joqeveritare e regjistruar në Departamentin për OJQ të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Qëllimi i organizatës IZHHE është mbledhja e fondeve për blerjen e tokës (patundshmërisë) që do të jetë në dispozicion për ndërtimin e shkollës fillore në “Lagje të Re”. të njësisë kadastrale nr.00042-0 me sipërfaqe prej 2290 m2,
00043-0 me sipërfaqe prej 528 m2 dhe 01241-0 me sipërfaqe prej 3610 m2, pjesa e pronës 1/1, Zona Kadastrale Seçishtë. Arsyetim: Komuna e Hanit të Elezit përbëhet prej qytetit të Hanit të Elezit si qendër urbane dhe 10 fshatrave. Hani i Elezit ka 10,013 banorë, sipas vlerësimit të fundit të Agjencionit të Statistikave të Kosovës me 31 dhjetor 2019. Sipas këtij vlerësimi të fundit nga GAP, në vitin shkollor 2019-2020 në Komunën e Hanit të Elezit, mësimin e ndjekin 1,824 nxënës në të gjitha nivelet e arsimit para universitar. Sa i përket personelit nëpër shkolla, Komuna e Hanit të Elezit ka të punësuar 110 mësimdhënës, 13 persona ndihmës dhe 6 administrativ. Në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët, Komuna e Hanit të Elezit ka një shkallë të lartë sa i përket relacionit nxënës-mësimdhënës, apo një mësimdhënës për 17 nxënës, menjëherë pas Fushë-Kosovës, Prishtinës dhe Vushtrrisë. Një nga shkollat me ngarkesën më të madhe të numrit të nxënësve është Sh.F.M.U. “Ilaz Thaçi” në qendrën urbane të Hanit të Elezit, shkollë kjo e cila funksionon me dy ndërrime, ku ndërrimi i parë fillon nga ora 08:00-13:00 për nxënësit e klasave 6-9 dhe ndërrimi i dytë nga ora 13:00-17:00 për nxënësit e klasave 1-5. Në vitin shkollor 2021-2022, ndërrimin e paradites (klasët 6-9) janë regjistruar gjithsej 452 nxënës, kurse në ndërrimin e pasdites (klasët 1-5) janë regjistruar gjithsej 581nxënës. Në këtë shkollë, gjithashtu janë edhe 4 klasë të parafillores, gjithashtu me dy ndërrime, ku ndërrimi i parë fillon nga ora 10:00-12:00 me gjithsej 59 parafilloristë, kurse ndërrimi i dytë fillon nga ora 12:00-14:00 me gjithsej 40 parafilloristë. Në total, kjo shkollë ka 99 parafilloristë dhe 1033 nxënës, ku prej tyre rreth 40% i takojnë pjesës së Lagjes së Re dhe zonave përreth apo numerikisht 441 nxënës. Sipas këtyre të dhënave zyrtare nga Drejtoria Komunale e Arsimit-Hani i Elezit, kjo shkollë është e pamundur që të ofrojë komoditet dhe kushte për mësim cilësor për këtë numër të stërngarkuar të nxënësve, pavarësisht përpjekjeve maksimale të mësimdhënësve, gjë e cila na lejon vetëm një zgjidhje, ndërtimin e një shkolle fillore në Lagjen e Re, ku për 40% do të shkarkohej ngarkesa në Sh.F.M.U. “Ilaz Thaçi”. Ndërtimi i kësaj shkolle, gjithashtu do të ndikojë edhe në rrugëtimin më të sigurt të nxënësve të “Lagjes së Re” dhe zonave përreth, kështu duke shkurtuar rrugën dhe kohën e udhëtimit gjatë sezoneve të ndryshme të vitit, e poashtu nxënësit do të kishin më pak probleme edhe me bartjen e çantës me materialet shkollore. Duke pasur parasysh që deri më tani, detyroheshin prindërit apo të afërmit që t’i shoqëronin fëmijët e tyre për në shkollën fillore “Ilaz Thaçi”, veçanërisht ata më të vegjëlit, shkaku i çantave të rënda që duheshin bartë për shumë kilometra, e gjithashtu duhej të kalonin përmes rrugëve me qarkullim të dendur të automjeteve dhe tek pjesa e hekurudhave, ku përpos rrezikut nga qarkullimi i trenit, një rrezik tjetër është edhe kalimi i përditshëm i mbikalimit, ku në sezonë të dimrit, duhet kujdes i shtuar për kalim të sigurtë, por prapë se prapë mbikalim i rrezikshëm për moshat e vogla, e gjithashtu edhe rreziku nga lumi Lepenc, ku gjatë sezonës së të reshurave, mund të ketë vërshime. Sipas të gjithë përshkrimit të mësipërm, përmes Organizatës Iniciativa Zhvillimore për Hanin e Elezit, është gjetur mirëkuptimi mes pronarit të zonave të lartëpërmendura kadastrale që gjenden në “Lagjen e Re” dhe tashmë të gjitha rrugët për ta bërë këtë tokë të disponueshme për ndërtimin e shkollës janë të hapura. Sipas vlerësimit kadastral të patundshmërisë, çmimi për të tre njësitë kadastrale me gjithsej 6428 m2 është 260 mijë €, ku sipas marrëveshjes së arritur mes IZHHE dhe pronarit, pagesa është e ndarë në dy këste: kësti i parë 100 mijë deri me datën 31.12.2022 dhe kësti i dytë 160 mijë € deri me datë 31.12.2023. Mundësimi i hapjes së një shkolle në Lagje të Re është ndër aktet më të vyera momentale në Han të Elezit dhe grumbullimi i shumës për pagesë të patundshmërisë është ajo që duhet të na bëjë bashkë të gjithëve që kontributi edhe më i vogël nga ne, do të jetë ndihmesa më e madhe për fëmijët, e poashtu edhe gjenerimi i vendeve të reja të punës. Ne ju bëjmë thirrje të gjithëve që sipas mundësive tuaja financiare, të bëheni kontribues në këtë akt bamirësie, ku gjithçka do të jetë transparente dhe çdo donator do të jetë publik me shumën e dhuruar. Donacioni juaj mund të na ndihmojë të arrijmë qëllimin tonë të përbashkët për hapjen e një shkolle të re. Ne të gjithë së bashku, jemi shpresa për një Han të Elezit të zhvilluar në aspekt arsimor, kulturor, rinor e sportiv.