29/09/2026
ROTARY CLUB GJAKOVA ÇABRATI PËRURON KOMORËN FTOHËSE NË KOPSHTIN QENDROR “GANIMETE TËRBESHI”
29 Shtator 2026, Gjakovë
Në Kopshtin Qendror të Fëmijëve institucionin Parashkollor “Ganimete Tërbeshi” në Gjakovë u përurua komora e re ftohëse, një projekt i realizuar nga Rotary Club Gjakova Çabrati, në bashkëpunim dhe me mbështetjen financiare të Rotary District 7280 – Western Pennsylvania, SHBA, Distrikt binjak i Rotary District 2485 Shqipëri–Kosovë si dhe vetë klubi.
⭐️Ky investim prej rreth 10,000 EUR synon të përmirësojë kushtet për ruajtjen e sigurt dhe profesionale të ushqimit, duke kontribuar drejtpërdrejt në mirëqenien e fëmijëve dhe në përmirësimin e kushteve të punës së stafit të institucionit.
⭐️Në ceremoninë e përurimit morën pjesë Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, Drejtor i DKA-s, Hysen Brahimaj, Drejtoresha e Kopshtit Qendror “Ganimete Tërbeshi”, Hana Efendija, Past District Governor i Rotary District 2485, Butrint Batalli, Kryetarja e Rotary Club Gjakova Çabrati, Filloreta Rexha, menaxheri i projektit nga klubi, Arbnor Çela, rotarianë, përfaqësues institucionalë dhe të ftuar të tjerë.
⭐️Past Guvernatori Butrint Batalli tha se projekti është një shembull konkret i mënyrës se si partneritetet ndërmjet klubeve dhe distrikteve të Rotary-t mund të shndërrohen në investime me ndikim të drejtpërdrejtë në komunitet.
“Rotary ka vlerë atëherë kur bashkëpunimi shndërrohet në veprim konkret dhe kur ky veprim përmirëson jetën e njerëzve. Ky projekt është një dëshmi shumë e mirë e bashkëpunimit ndërmjet Rotary Club Gjakova Çabrati dhe miqve tanë nga klubet e District 7280 në Pensilvani, SHBA. Marrëdhënia jonë e binjakëzimit nuk është vetëm një marrëdhënie formale, por një partneritet që prodhon projekte konkrete dhe rezultate të prekshme për komunitetin. Kur investojmë në fëmijë, ne investojmë drejtpërdrejt në të ardhmen tonë”, tha Batalli.
Ai falënderoi në veçanti partnerët rotarianë nga Shtetet e Bashkuara për mbështetjen financiare dhe bashkëpunimin, si dhe Rotary Club Gjakova Çabrati për donacionin si dhe për identifikimin dhe realizimin e projektit.
⭐️Menaxheri i projektit, Arbnor Çela, prezantoi procesin e realizimit të iniciativës dhe rëndësinë praktike të investimit.
“Ky projekt ka lindur nga një nevojë konkrete e identifikuar në këtë institucion. Qëllimi ynë ka qenë që të ofrojmë një zgjidhje të qëndrueshme, funksionale dhe afatgjatë. Komora ftohëse do të mundësojë ruajtjen e ushqimit në kushte më të mira dhe do të ndikojë drejtpërdrejt në ngritjen e standardit të shërbimit për fëmijët. Falënderoj të gjithë anëtarët e klubit dhe partnerët tanë për kontributin e tyre në realizimin e këtij projekti”, tha Çela.
⭐️Kryetarja e Rotary Club Gjakova Çabrati, Filloreta Rexha, theksoi se klubi do të vazhdojë të jetë i fokusuar në projekte që adresojnë nevoja reale të komunitetit.
“Për Rotary Club Gjakova Çabrati, ky nuk është vetëm një donacion, por një investim në mirëqenien dhe sigurinë e fëmijëve tanë. Jemi krenarë që, së bashku me partnerët tanë të District 7280 në SHBA, kemi arritur ta realizojmë këtë projekt. Falënderoj secilin anëtar të klubit dhe të gjithë ata që kontribuuan që sot këtë iniciativë ta shohim të përfunduar dhe në shërbim të institucionit”, tha ajo.
⭐️Drejtoresha e Kopshtit Qendror “Ganimete Tërbeshi”, Hana Edendija, falënderoi Rotary Club Gjakova Çabrati, Rotary District 2485 dhe partnerët nga District 7280 për mbështetjen, duke theksuar se pajisja e re paraqet një përmirësim të rëndësishëm për funksionimin e përditshëm të institucionit.
“Në emër të stafit dhe të institucionit tonë, shpreh mirënjohjen më të sinqertë për këtë donacion. Ky investim plotëson një nevojë të rëndësishme dhe do të na ndihmojë të sigurojmë kushte edhe më të mira për fëmijët që qëndrojnë çdo ditë në kopshtin tonë”, tha ajo.
⭐️Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, falënderoi Rotary Club Gjakova Çabrati për kontributin në komunitet dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me institucionet lokale.
Projekte të tilla tregojnë se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve lokale dhe organizatave të shoqërisë civile mund të sjellë rezultate shumë konkrete për qytetarët e Gjakovës.
⭐️Me përurimin e komorës ftohëse në Kopshtin Qendror “Ganimete Tërbeshi”, Rotary Club Gjakova Çabrati vazhdon angazhimin e tij për projekte të qëndrueshme në shërbim të fëmijëve, institucioneve publike dhe komunitetit të Gjakovës.
Një falenderim edhe për TV SYRI VISION për mbështetjen mediale.
Rotary International