23/08/2025
Sot, Kryetari i Komunës së Gjakovës, z. Ardian Gjini, priti në takim z. Valon Mejzini, Drejtor i organizatës CELIM Milano për Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe z. Fatos Axhemi nga Jakova Innovation Center, për të diskutuar mbi zbatimin e projektit “Punësimi Produktiv dhe Inkluziv në Kosovë (OPIK)”, me fokus të veçantë në ndikimin e tij për komunën tonë.
🤝 Projekti OPIK, i financuar nga AICS – Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, dhe i zbatuar nga organizata italiane CELIM Milano, synon të përkrahë zhvillimin ekonomik të Gjakovës në disa drejtime të rëndësishme:
🔹 Transferimi i njohurive dhe përvojave nga Italia – përmes bashkëpunimit me ekspertë italianë të profileve të ndryshme ekonomike dhe shkëmbimit të praktikave të suksesshme në fushën e sipërmarrjes dhe zhvillimit profesional.
🔹 Aftësimi profesional i të rinjve dhe grave – me qëllim rritjen e punësimit dhe mbështetjen e iniciativave të reja “start-up”, por edhe forcimin e bizneseve ekzistuese në Gjakovë, përmes ndërlidhjes së tyre me rrjete të bizneseve italiane.
🔹 Përmirësimi i infrastrukturës për rininë – përmes investimeve në hapësirat e Jakova Innovation Center, duke krijuar një ambient më të përshtatshëm për të nxitur kreativitetin, inovacionin dhe sipërmarrjen tek të rinjtë.
🔹 Pajisja e laboratorëve në shkollat profesionale të Gjakovës – me pajisje bashkëkohore sipas standardeve të BE-së, për të rritur cilësinë e arsimit profesional.
🔹 Grante për ide inovative dhe përkrahje financiare për biznese të vogla ekzistuese – duke fuqizuar komunitetin lokal me mjete konkrete për rritje dhe zhvillim.
✨ Komuna e Gjakovës mbetet e përkushtuar për të bashkëpunuar ngushtë me partnerët tanë në këtë projekt me ndikim të madh, duke garantuar një zbatim të suksesshëm dhe përfitime afatgjata për qytetarët tanë.
🙏 Një falënderim i veçantë për Qeverinë Italiane, e cila vazhdimisht dëshmon përkushtimin e saj për zhvillimin e qëndrueshëm dhe përkrahjen e komunës sonë.
Faleminderit – Grazie – Thank you!