25/10/2026
PËRKUJTIM PËR DËSHMORËT E KOMBIT
NAIM BEKA – SOKOLI, AGIM MATOSHI DHE AVNI SHEHU 🇦🇱
Sot, 25 tetor 2026, OVL UÇK dega Ferizaj, sot së bashku me familjarët e Dëshmorëve, bashkëluftëtarët dhe bashkëqytetarët, mbajtëm homazhe në nderim të Dëshmorëve të Kombit, në Ferizaj dhe Kaçanik, duke kujtuar me krenari jetën, veprën dhe kontributin e Dëshmorëve për lirinë e Kosovës.
Dëshmorët tanë nuk jetojnë vetëm në gurë e në emra, por në frymën e lirisë që gëzojmë sot, në historinë tonë kombëtare dhe në amanetin që brezat kanë për detyrë ta ruajnë e ta përcjellin ndër breza.
⸻
BIOGRAFITË E DËSHMORËVE TË KOMBIT
Naim Beka – Sokoli (05.09.1966 – 25.10.1999)
Në prillin e vitit 1981, si i ri 15-vjeçar, u rreshtua në demonstratat e Ferizajt kundër padrejtësisë dhe dhunës së regjimit serb. Qysh atëherë, zemra e tij u lidh fort me idealin e lirisë.
Me nisjen e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Naim Beka u inkuadrua në Zonën Operative të Neredimës. Mori pjesë në sistemimin dhe përgatitjen e luftëtarëve të rinj dhe u angazhua në vijën e parë të betejave.
Si pjesëtar i njësive të veçanta të ZON-ës, dha kontribut të çmuar në aksionet më të rënda dhe vendimtare të asaj zone. Gjatë verës dhe vjeshtës së vitit 1998, përballoi ofensiva të pandërprera të armikut. Mori pjesë në aksionin “Te Bunkeri”, kundër forcave të shumta serbe të pozicionuara në “Kodrën e Buqes”. U angazhua në mbrojtjen e trupave të viktimave të Masakrës së Reçakut dhe qëndroi në vijën e zjarrit në betejën e Slivovës, ku ranë dëshmorë bashkëluftëtarë të tij.
Naimi njihej për disiplinë, vendosmëri dhe përkushtim të plotë ndaj detyrës, duke qenë gjithmonë aty ku rezistenca kërkonte zemër të fortë. Ai u shqua për rolin e tij në mbajtjen gjallë të moralit luftarak dhe në organizimin në terren.
Pas çlirimit, me transformimin e UÇK-së në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK), Naim Beka u caktua në detyrë komanduese në logjistikë, duke vazhduar misionin e tij në shërbim të vendit edhe në kohë paqeje.
Më 25 tetor 1999, ra në krye të detyrës, së bashku me bashkëluftëtarët e tij, Agim Matoshi dhe Avni Shehu, duke e vulosur përgjithmonë përkushtimin ndaj idealit të lirisë, për të cilin jetoi dhe luftoi.
Agim Matoshi (23.02.1976 – 25.10.1999)
Që në rininë e tij, Agim Matoshi e kishte të ngulitur thellë idealin e lirisë së Kosovës. Me zhvillimin e veprimtarisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u radhit ndër të parët në Zonën Operative të Nerodimës, duke u bërë një nga pjesëtarët më të besuar të saj.
Agimi ishte i angazhuar në detyrat më të rënda dhe më të rrezikshme të logjistikës luftarake. Ai depërtonte në terrene ku pak kush guxonte të shkelte, duke furnizuar njësitet e ndryshme të UÇK-së me armatim, ushqim, pajisje dhe informacione të nevojshme. Për përkushtimin dhe qëndrueshmërinë e tij në rrugët e natës, mori nofkën “Maratonisti i Shtigjeve të Gjata”, sepse distanca për të nuk përbënte pengesë sa herë që misioni lidhej me Ushtrinë e Lirisë.
Komandantët e UÇK-së e vlerësonin si një nga luftëtarët më të sigurt dhe më të besuar në detyrat e ndjeshme në terren. Ai shoqëronte eprorët e Shtabit të Përgjithshëm dhe kryente veprime të vazhdueshme prapa vijës së frontit, në shërbim të organizimit dhe funksionimit të strukturave të luftës.
Agimi ishte pjesë e shumë operacioneve të drejtpërdrejta dhe u shqua për trimëri e vendosmëri të pashoqe, me bindjen se lufta duhej të vazhdonte deri në çlirimin e Kosovës.
Zona Operative e Nerodimës e kujtonte me krenari për cilësitë e tij të veçanta, të cilat tejkalonin kufijtë e zakonshëm të guximit. Ishte gjithmonë në lëvizje, gjithmonë pranë rrezikut dhe aty ku kërkohej zemër e madhe dhe dorë e sigurt.
Më 25 tetor 1999, në krye të detyrës, ra së bashku me bashkëluftëtarët e tij, Naim Bekën dhe Avni Shehun, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e lirisë sonë.
Avni Shehu (18.12.1967 – 25.10.1999)
Që në rininë e tij, Avni Shehu u rreshtua në veprimtarinë kundër pushtuesit dhe mori pjesë në protestat e viteve ’90, duke u bërë pjesë e brezit që nuk pranoi nënshtrimin dhe padrejtësinë.
Në korrik të vitit 1998, ai u përfshi në organizimin e njësive të UÇK-së në Kaçanik. Më 15 shtator 1998, veshi me krenari uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u vendos në frontin e Jezercit, përkrah luftëtarëve të zonave përreth.
Ai ishte pjesë e rezistencës së ashpër të Jezercit nga 24 deri më 28 shtator 1998, ku u përball me granatimet dhe sulmet e pandërprera të forcave serbe, duke u dalluar për guxim dhe qëndrueshmëri.
Pas kësaj beteje, marshoi me njësitin e tij drejt maleve të Kaçanikut, për të kontribuar në forcimin dhe organizimin e strukturave të UÇK-së në këtë trevë. Mori pjesë në betejat e njëpasnjëshme të vitit 1999: në Puset e Nikës dhe Gajre më 28 shkurt, në Ivajë më 8 mars, në Kotlinë më 24 mars dhe në betejën e 25 majit.
Më pas, i angazhuar në Policinë Ushtarake të Brigadës 162 “Agim Bajrami”, vazhdoi misionin e tij me përkushtim dhe profesionalizëm, duke qenë gjithmonë i gatshëm për detyrat që i besoheshin.
Avni Shehu e përjetoi çlirimin e Kosovës në qershor të vitit 1999, por vazhdoi të ishte i përkushtuar ndaj vendit dhe aspiratave kombëtare. Më 25 tetor 1999, ra në krye të detyrës, së bashku me bashkëluftëtarët e tij, Naim Beka dhe Agim Matoshi.
Avniu është i varrosur në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Kaçanik.
⸻
Liria e Kosovës mban gjurmët e përjetshme të gjakut, guximit dhe idealit të Dëshmorëve të Kombit, të cilët i dhanë atdheut gjithçka, që brezat të jetojnë të lirë!
Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së Naimit, Agimit e Avniut! 🇦🇱
Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së Dëshmorëve të Kombit! 🇦🇱🇽🇰