17/06/2026
Tryeze diskutimi ''Sfidat me të cilat përballen OSHC-të në rajonin e Ferizajt''
Sot u diskutuan sfidat me të cilat përballen organizatat joqeveritare në rajonin e Ferizajt, me theks të veçantë në vështirësitë gjatë aplikimit dhe përfitimit të granteve. U theksua se procedurat administrative, kriteret e aplikimit dhe mungesa e fondeve të qëndrueshme paraqesin pengesa të vazhdueshme për shumë organizata.
Gjithashtu, u trajtua çështja e ndarjes së fondeve dhe granteve për OJQ-të, ku organizatat që ofrojnë shërbime direkte për qytetarët kërkuan që të mos kategorizohen njësoj me organizatat e tjera, por të kenë një kategori të veçantë që reflekton natyrën dhe përgjegjësitë e punës së tyre.
Ndër sfidat kryesore të evidentuara ishte pjesëmarrja e ulët e të rinjve në takimet dhe aktivitetet rinore. Pjesëmarrësit diskutuan arsyet që mund të ndikojnë në këtë fenomen, si mungesa e interesimit, informimit, motivimit, si dhe mungesa e aktiviteteve që adresojnë nevojat dhe interesat e tyre.
U theksua rëndësia e krijimit të hapësirave më gjithëpërfshirëse dhe aktiviteteve më tërheqëse për të nxitur angazhimin e të rinjve në jetën komunitare.
Po ashtu, u diskutua edhe për bullizimin mes të rinjve, i cili vazhdon të mbetet një problem shqetësues në shkolla dhe komunitet. U theksua nevoja për më shumë aktivitete ndërgjegjësuese, mbështetje psikologjike dhe bashkëpunim ndërmjet institucioneve, organizatave dhe familjeve për parandalimin e kësaj dukurie.
Në fund, pjesëmarrësit u pajtuan për rëndësinë e bashkëpunimit më të madh ndërmjet organizatave, institucioneve lokale dhe të rinjve, me qëllim adresimin më efektiv të sfidave dhe krijimin e mundësive më të mira për zhvillimin e komunitetit.
Ky aktivitet u financua nga OSCE Mission in Kosovo