15/09/2026
DEKLARATË E PËRBASHKËT
PËR SHTYRJEN DHE REDUKTIMIN E AKTIVITETEVE TRADICIONALE DHE KULTURORE NË FERIZAJ
Organizatat:
- Festivali i Teatrove në Ferizaj
- Festivali i Këngës për Fëmijë “Fëmijët e Gëzuar”
- Shoqata e Karikaturistëve “Hithi”
- MURALFEST Kosova
- Ansambli Artistik i Këngëve dhe Valleve “AAKV “Kastriotët” - Ferizaj
njoftojnë opinionin publik se, për shkak të vonesave në konfirmimin e mbështetjes financiare për vitin 2026, një pjesë e aktiviteteve të planifikuara për muajt shtator dhe tetor janë detyruar të shtyhen, ndërsa MURALFEST Kosova do të mbahet në datat e planifikuara, por me reduktim të ndjeshëm të programit dhe aktiviteteve të parapara.
Këto organizata janë bartëse të disa prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore të Ferizajt, ndërsa një pjesë e tyre kanë rëndësi mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare. Përmes dekadave të punës, ato kanë krijuar traditë, kanë sjellë artistë dhe pjesëmarrës nga Kosova, rajoni dhe vende të ndryshme të botës, duke e bërë Ferizajn një pikë të rëndësishme të jetës kulturore.
Vlerësojmë dhe falënderojmë Ministrinë e Kulturës për mbështetjen e vazhdueshme ndër vite.
Megjithatë, vonesa e këtij viti në përfundimin e procesit të mbështetjes financiare ka krijuar pasiguri serioze organizative dhe financiare, duke ndikuar drejtpërdrejt në realizimin dhe përmbajtjen e aktiviteteve tona.
Festivalet kanë edhe mbështetje nga sponsorë dhe partnerë privatë, për të cilën jemi mirënjohës. Megjithatë, këto mjete janë të pamjaftueshme për të përballuar kërkesat organizative, artistike dhe teknike dhe për të ruajtur nivelin që këto festivale kanë ndërtuar ndër vite.
Organizimi i ngjarjeve të kësaj përmase kërkon muaj përgatitjeje, kontraktim të artistëve vendorë dhe ndërkombëtarë, rezervime, udhëtime, organizim teknik, promovim dhe detyrime të tjera financiare. Këto procese nuk mund të zhvillohen në momentin e fundit dhe pa një siguri minimale financiare.
Situata ka ndikuar në këto aktivitete:
- Festivali i Teatrove në Ferizaj – Edicioni i 56-të – shtyrje e aktivitetit
- Festivali i Këngës për Fëmijë “Fëmijët e Gëzuar” – Edicioni i 38-të – shtyrje e aktivitetit
- Festivali Ndërkombëtar i Karikaturës – Edicioni i 12-të – shtyrje e aktivitetit
- MURALFEST Kosova – Edicioni i 11-të – mbahet në datat e planifikuara, por me reduktim të ndjeshëm të programit
- Festivali Folklorik i Këngës – Edicioni i 2-të – shtyrje e aktivitetit
Kërkojmë nga institucionet përgjegjëse trajtimin urgjent të kësaj situate dhe përfundimin pa vonesa të mëtejshme të procesit të mbështetjes financiare.
Organizatat kulturore nuk mund të mbahen për muaj të tërë në pasiguri, ndërkohë që kanë detyrime ndaj artistëve, partnerëve, sponsorëve, publikut dhe bashkëpunëtorëve vendorë e ndërkombëtarë.
Mbështetja për ngjarje të këtij niveli duhet të sigurohet në afate që mundësojnë planifikim real dhe zhvillim profesional. Vonesat nuk ndikojnë vetëm në kalendarin e festivaleve, por drejtpërdrejt në cilësinë, programin, reputacionin dhe vazhdimësinë e tyre.
Presim veprim konkret dhe një zgjidhje të shpejtë institucionale që do të mundësojë realizimin e aktiviteteve të shtyra dhe ruajtjen e nivelit të atyre që vazhdojnë të mbahen.
Këto festivale janë pjesë e rëndësishme e identitetit kulturor të Ferizajt dhe Kosovës, ndërsa vazhdimësia e tyre kërkon planifikim, stabilitet dhe mbështetje institucionale në kohë.
Ferizaj, 15 shtator 2026
Festivali i Teatrove në Ferizaj
Festivali i Këngës për Fëmijë “Fëmijët e Gëzuar”
Shoqata e Karikaturistëve “Hithi”
MURALFEST Kosova
Ansambli Artistik i Këngëve dhe Valleve “Kastriotët”