08/09/2025
Sot, në Qendrën "Ri-Jeta" patëm nderin dhe kënaqësinë të mirëpresim në një vizitë të veçantë Nënkryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu, ish-deputeten znj. Shqipe Metaj Isufi, deputeten Arjeta Fejza, kryetaren e GVV-së në Kaçanik znj. Nita Shehu dhe kandidatin për kryetar komune z. Enver Haliti.
Gjatë takimit, znj. Haxhiu u informua nga afër për punën, misionin dhe veprimtaritë që qendra jonë zhvillon në drejtim të parandalimit dhe luftimit të dukurive negative si përdorimi i drogave, alkoolit dhe bixhozit, të cilat përbëjnë një sfidë serioze për shëndetin dhe të ardhmen e shoqërisë sonë.
Gjithashtu, ndamë me të edhe sukseset e arritura deri më tani, si dhe sfidat e përditshme me të cilat përballemi në këtë rrugëtim të vështirë por jetik. Biseduam mbi rëndësinë e bashkëpunimit dhe përkrahjes institucionale në mënyrë që Qendra "Ri-Jeta" të vazhdojë me përkushtim punën e saj dhe të ofrojë shërbime sa më cilësore dhe të nevojshme për komunitetin.
Kjo vizitë është një motivim shtesë për të vazhduar më tej me energji e punë në misionin tonë, për ndërtimin e një të ardhme më të shëndetshme, më të sigurt dhe më të fortë për të rinjtë dhe gjithë shoqërinë.
Faleminderit znj. Haxhiu për kohën, vlerësimin dhe gatishmërinë tuaj për të qenë pranë nesh dhe kauzës sonë.