14/10/2026
Ligjeratë për ndihmën e parë në SHFMU “Zenel Hajdini” në Tërstenik
Sot, Kryqi i Kuq i Kosovës – Dega në Drenas, zhvilloi një ligjeratë për ndihmën e parë me nxënësit e SHFMU “Zenel Hajdini” në Tërstenik, me qëllim të vetëdijesimit dhe aftësimit të tyre për të reaguar drejt dhe me përgjegjësi në situata emergjente.
Trajnimi u organizua me iniciativën dhe përkushtimin e mësueses, znj. Shkurte Rruku, ndërsa pjesa praktike dhe informuese u udhëhoq nga instruktorja e ndihmës së parë, znj. Besarte Hoxha. Gjatë këtij aktiviteti, nxënësit patën mundësinë të njihen më nga afër me rëndësinë e ndihmës së parë, veprimet fillestare në raste emergjente dhe rolin që secili prej nesh mund të luajë në shpëtimin e jetës së një personi.
Kryqi i Kuq i Kosovës – Dega në Drenas, shpreh mirënjohje të veçantë për drejtoreshën e shkollës znj.Lindihana Qorri për mikpritjen dhe bashkëpunimin, si dhe për të gjithë stafin arsimor dhe mësimdhënësit për mbështetjen dhe gatishmërinë e treguar në realizimin e këtij aktiviteti edukativ.
Në përmbyllje të aktivitetit, nxënësit, stafi i shkollës dhe prindërit iu bashkuan aksionit të organizuar në kuadër të Muajit të Solidaritetit, duke përgatitur dhe dhuruar pako ushqimore me produkte ushqimore e higjienike për familjet në nevojë.
Ky gjest i bukur dëshmon se solidariteti, humanizmi dhe kujdesi për njëri-tjetrin kultivohen që në moshë të hershme. Përmes këtyre aktiviteteve, fëmijët mësojnë jo vetëm si të ndihmojnë në situata emergjente, por edhe sa e rëndësishme është të ndajnë me të tjerët dhe të kontribuojnë për një shoqëri më të drejtë e më humane.
Falënderojmë përzemërsisht mësuesen znj. Shkurte Rruku, drejtoreshën, stafin arsimor, nxënësit dhe prindërit për bashkëpunimin, përkushtimin dhe kontributin e tyre human.
Së bashku, për më shumë dije, solidaritet dhe humanizëm!