07/07/2026
Propozim për Përcaktimin e Zonës së Rekreacionit Ujor në Liqenin e Radoniqit
Klubi i Kajakut Aqua Deçan propozon që, në kuadër të Planit Kornizë për Menaxhimin e Ujërave në Kosovë, të përcaktohet një Zonë e Rekreacionit Ujor pa mjete motorike në pjesën veriperëndimore të Liqenit të Radoniqit, në lokacionin e paraqitur në hartën bashkëngjitur.
Lokacioni i propozuar është në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e burimeve të ujit të pijshëm, pasi ndodhet jashtë zonës mbrojtëse të marrjes së ujit dhe respekton kërkesat e akteve nënligjore për zonat sanitare të mbrojtjes së burimeve ujore. Ndërsa distanca minimale e paraparë është rreth 1.2 km nga vepra ujëmarrëse, zona e propozuar ndodhet rreth 4 km larg saj, duke ofruar një nivel edhe më të lartë sigurie për mbrojtjen e cilësisë së ujit.
Kjo zonë do të dedikohej për zhvillimin e aktiviteteve rekreative jo-motorike, si kajaku, kanoja, noti dhe sporte të tjera ujore pa motor, duke eliminuar rrezikun e ndotjes nga karburantet, vajrat, emetimet dhe zhurma që shkaktojnë mjetet motorike.
Njëkohësisht, përcaktimi i kësaj zone do të krijonte kushte për monitorimin e cilësisë së ujit sipas standardeve të Direktivës për Ujërat e Larjes (2006/7/EC), si dhe do të kontribuonte në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, sportit, rekreacionit dhe edukimit mjedisor.
Duke qenë se raporti "Çështjet e Rëndësishme të Menaxhimit të Ujit në Kosovë" trajton mbrojtjen e cilësisë së ujit, zonat e mbrojtura dhe monitorimin e tyre, propozojmë që Programi i Masave të përfshijë edhe identifikimin, përcaktimin dhe menaxhimin e zonave zyrtare të rekreacionit ujor, në përputhje me legjislacionin e Republikës së Kosovës dhe rekomandimet e Bashkimit Evropian.
Klubi i Kajakut Aqua Deçan është i përkushtuar në mbrojtjen e mjedisit, ruajtjen e cilësisë së ujit dhe luftimin e ndotjes, veçanërisht nga mbeturinat plastike. Në kuadër të veprimtarisë së tij, klubi do të vazhdojë të monitorojë gjendjen e Liqenit të Radoniqit dhe të raportojë tek institucionet kompetente çdo dukuri që cenon mjedisin dhe ligjshmërinë, përfshirë peshkimin e paligjshëm me rrjeta, kultivimin ilegal të peshkut, ndërtimet pa leje përgjatë brigjeve të liqenit, hedhjen e mbeturinave dhe çdo aktivitet tjetër që rrezikon ekosistemin dhe cilësinë e ujit.
IWRM-K