18/01/2026
ANALIZË KRITIKE E PROGRAMEVE DHE LIBRAVE SHKOLLORË
Projekt i Shoqatës Akademike Shqiptare për Shkencë dhe Art në Maqedoninë e Veriut- i realizuar gjatë vitit 2025
1.Hyrje
Projekti trajton në mënyrë kritike rolin e institucioneve shtetërore dhe mjeteve të informimit në procesin e hartimit, zbatimit dhe debatimit publik të programeve mësimore dhe librave shkollorë në Maqedoni. Duke u mbështetur në analizën e përmbajtjes së programeve dhe teksteve shkollore, studimi evidenton mungesën e reformimit sistematik, përmbajtjen e vjetruar, qasjen etnocentrike dhe elemente diskriminuese, veçanërisht në librat për nxënësit shqiptarë. Një vëmendje e veçantë i kushtohet mënyrës se si diskursi politik dhe mediatik e redukton problemin në çështje teknike, duke shmangur analizën e përmbajtjes dhe përgjegjësisë institucionale. Projekti, rezultatet e tij, argumentojn se dështimi i qeverisë për reforma substanciale, i kombinuar me pasivitetin kritik të univerziteteve, ka prodhuar pasoja serioze në cilësinë e arsimit dhe në respektimin e parimeve kushtetuese të barazisë.
Reformat arsimore përbëjnë një nga shtyllat kryesore të zhvillimit shoqëror dhe ekonomik të çdo shteti. Në këtë kontekst, cilësia e programeve mësimore dhe librave shkollorë paraqet një indikator thelbësor të vizionit arsimor dhe politik të qeverisë.
Ky studim është pjesë e një projekti të sapopërfunduar të Shoqatës Akademike Shqiptare për Shkencë dhe Art, i cili ka analizuar në mënyrë kritike përmbajtjen e programeve dhe librave shkollorë.
2. Metodologjia e hulumtimit
Studimi bazohet në metodën e analizës së përmbajtjes, si një instrument kërkimor cilësor që mundëson identifikimin dhe interpretimin e temave, koncepteve dhe diskurseve dominante në tekstet shkollore dhe programet mësimore. Programet janë siguruar nga faqja zyrtare e Byrosë për Zhvillimin e Arsimit (https://bro.gov.mk) ndërsa librat shkollorë janë shkarkuar nga platforma e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (https://e-ucebnici), si dhe janë mbledhur drejtpërdrejt nga shkolla të ndryshme.
Për të plotësuar analizën dokumentare, janë zhvilluar biseda gjysmë-strukturuara me mësimdhënës, ekspertë të arsimit, prindër dhe nxënës, çka ka mundësuar grumbullim i të dhënave dhe rritje të vlefshmërisë së rezultateve.
3. Qeveria dhe mungesa e reformimit sistematik
Rezultatet tregojnë se, pavarësisht strategjive të shpallura ndër vite, programet mësimore mbeten kryesisht të bazuara në dokumente të viteve 2002–2015, me përditësime të pjesshme dhe të paqëndrueshme. Ky fakt dëshmon mungesën e një mekanizmi institucional për përditësim të rregullt dhe funksional të përmbajtjeve mësimore. Pra , në kohën e hovit të Intelegjencës artificiale ( AI), nxënësve dhe arsimtarëve u servohen materiale të para 20 vjetëve, pa i pyetur dhe pa biseduar dhe pa të drejtë që ata të zgjedhin se çfarë duan të mësojnë, sa , si , pse duan ta mësojnë dhe pse ju duhet ajo? E gjith kjo po ndodh dhe rezulton me fundosjet në Testin PISA dhe rrëshqitjen e universiteteve tona poshtë e më poshtë në rangimin ndërkombëtar.
Vëmendja e institucioneve qeveritare është përqendruar kryesisht në aspektin teknik të prodhimit dhe shpërndarjes së librave, duke e lënë në plan të dytë cilësinë përmbajtësore, relevancën pedagogjike dhe përputhjen me zhvillimet shoqërore, teknologjike dhe ekonomike bashkëkohore.
Informojmë opinion publik se Byroja e arsimit, që merret me programet shkollore dhe librat, ka mbetë dhe vepron e pa reformuar dhe me ideologji të së kaluarës dhe paraqet vegël të politikës diskriminuese.
4. Përmbajtja e librave shkollorë dhe dimensioni diskriminues
Një nga gjetjet kryesore të studimit është prania e përmbajtjeve të vjetruara, teorike dhe jo-reflektuese në librat shkollorë. Mungojnë elemente të mendimit kritik, pyetje analitike, aktivitete debatuese dhe lidhje me jetën reale të nxënësve.
Problemet janë veçanërisht të theksuara në librat për nxënësit shqiptarë, ku në librat arsimit, muzikor, historisë, gjeografisë, gjuha maqedone, sociologjisë etj. vërehen qasje etnocentrike, përjashtim i thesarit kulturor shqiptar dhe përmbajtje që bien ndesh me parimet e barazisë së garantuar me Kushtetutë. Në disa raste, librat rezultojnë të jenë jo vetëm të njëanshëm, por edhe diskriminues dhe fyese.
5. Përfundime dhe rekomandime
Studimi konkludon se reforma e vërtetë arsimore nuk mund të realizohet pa:
• përditësim të rregullt dhe gjithëpërfshirës të programeve mësimore ku do të marrin pjesë aktive nxënësit dhe arsimtarët;
• depolitizim të institucioneve përgjegjëse për arsimin;
• përfshirje reale të ekspertëve dhe komuniteteve përkatëse;
• rol më aktiv dhe kritik të mjeteve të informimit.
• Zbatimi praktik i parimeve kushtetuese të barazisë dhe multikulturalizmit mbetet parakusht për ndërtimin e një sistemi arsimor të drejtë dhe funksional.
Tetovë, 17.01.2026
Grupi i ekspertëve nga fushat hulumtuese së librave