20/05/2026
Fshati Xhepçisht
Rrëzë bjeshkëve të thepisura të Malit Sharr rrugës rajonale afër 4 km larg Tetovës shtrihet fshati Xhepçisht në lartësi mbidetare prej 480 m.
Xhepçishti është i vendosur në formë harku në dalje të një gryke të bukur malore në të dyja anët ndërsa në jugperëndim freskinë ia jep përroi i madh i quajtur edhe si lumi i Porojit.
Xhepçishti është një vendbanim i lashtë, në historiografi haset edhe me emrin GJINOVC daton që nga mesjeta edhe pse në defterët osman të shekullit të XV më saktë në vitet 1568/69 është shënuar si lokalitet, por pa asnjë të dhënë për familje apo banorë si dhe është i evidentuar jashtë defterëve me çka më pas nuk haste në asnjë shënim, por edhe sot e kësaj dite gjendet në veriperëndim që ka dëshmi materiale si të themeleve të manastireve, të 4 kishave si ajo; e Zonjës Shën Mëri, Shën Nikollës, Shën Athanasit dhe kisha e katërt e cila ka qenë te vendi i quajtur te Baçet e Haxhi Ahmetit.
Në luftën e vitit 2001 patën dy viktima civile Haxhi Ahmetriza Ahmeti dhe Sabit Shaqiri të vrarë nga ushtria-policia sllavo-maqedonase. Banorët e Xhepçishtit dhe Porojit janë njerëz të aksioneve që dinë të organizohen gjithnjë dhe në çdo çast kur e lyp interesi i kombit e atdheut, pra nuk ka lëvizje shoqërore, luftë, formim partish, asociacionesh të ndryshme shoqërore, kulturore, politike, humanitare e fetare mos kenë marrë pjesë porojasit dhe xhepçishtasit madje ndër të parët në vitin 1990 kur u bë themelimi i partisë së parë pluraliste të shqiptarëve në Maqedoni ajo e PPD-së që në udhëheqjen e saj u emëruan njerëzit nga Poroji ku kryetar ishte Nevzat Halili dhe atë në fshatin Xhepçisht u themelua kjo parti ku është ngritur pllaka e cila është në oborrin e Komunës së Xhepçishtit, gjithashtu dekadën e kaluar u formua edhe Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë në këto dy fshatra. Simbol i Ballit Kombëtar nga ky fshat është Faredin Fazlia-Xhepçishti. Po ashtu në Luftën e Dytë Botërore në Frontin e Sremit nga ky fshat janë vrarë pesë dëshmorë, si dhe në vitin 1952 nga OZN-ja famëkeqe janë ekzekutuar dy burra. Në varrezat e këtij fshati prehen eshtrat e dëshmorëve të kombit Shaban Azem Saiti -1963-2001 nga fshati Gjermë dhe Ismail Alinuhi Mehmeti-1982-2001 nga Drenoci të cilët ranë dëshmorë në luftën e vitit 2001.
Ky fshat përbëhet prej disa lagjeve. Emrat e llagapeve si; Zgrape, Like, Qutra, Kçike(llogariten si familje më e lashtë), Ali Mashkulli, Avdiallarë, Hoxhet (lagja e hoxhallarëve), Bërçket, Skuret ( fis që përkojnë më lokalitetin e Gjinovcit apo me prejardhje nga antikiteti), Çipe, Batallarë, Asnallarë, Qelat, Rustemet, Isaiallarët etj.
Vend-emërtimet popullore janë evidente në shprehjet e tyre të përditshmërisë si; vend-emërtimet në kodra-male-fusha; Vorret e Krushqive, Mali i Shipeve, Bjeshka Uji i Ftohët, Gjuri i Shpumën, Te Rrafsha, Te Fejri, Ledinat, Gjinovc ( vendbanimi i dikurshëm i të parëve të Xhepçishtit), Rrafsha e Apës Tafë, Udha e Kishës, Te Vorret e Moçme (supozohet se këta varreza përkojnë me lashtësinë e pandriçuar), Te Bagremat, Çeshma e Haxhi Ahmetit, Përaoje (përrua), Vneshtat e Apës Aziz, Vneshtat e Apës Ejup, Ograde, Arat e Hendekit, Druni i Kadrisë, Dy Vejdhat (aty pari dikur ka qenë kisha e vjetër shqiptare), Druni i Katës, Udha e Mikelit, Qatejpet, Arat te Druni i Madh, Arat te Bunari, , Juriat, Prekaçet, Arat ndër Udhë të Jazit, Fushat e Sherit, Fushat e Trebosh*t, Zbiralla (tuma-ngase këtu pari janë varrezat e fshatit si dhe në anën jugore gjendet shkolla fillore territoriale “GJ.K. Skënderbeu) Shullani e shumë e shumë të tjera.
Burim i tekstit: "Jeta dje dhe sot në luginën e Pollogut" Prof. Ismet Jonuzi-Krosi