24/03/2026
Nga Berna, larg dheut, por jo larg kujtesës, u ngrit një zë që nuk njeh kufij. Manifestimi “Kurora e Lirisë” nuk ishte vetëm një ngjarje, por një rikthim te rrënja, aty ku gjaku nuk bëhet ujë dhe historia nuk shlyhet me kohë. Revista që u prezantua në këtë përvjetor nuk është thjesht letër e shtypur. Është dëshmi. Është një kujtesë e shkruar me përkushtim, që e mban gjallë Prekazin dhe sakrificën e Familjes Jashari si themel të qenies sonë.
Ne, si veteranë të UÇK-së, e dimë mirë se liria nuk është një fjalë që shkruhet në revista, por një plagë që mbahet në trup dhe në shpirt. Por kur ajo dokumentohet me dinjitet, si në këtë botim, ajo bëhet më shumë se kujtim. Bëhet amanet. Dhe amaneti nuk harrohet. Ai bartet, brez pas brezi, si një barrë që nuk rëndon, por të mban drejt.