Shoqata "Tradita" - Tetovë

Shoqata "Tradita" - Tetovë Shoqata për kulturë dhe art "Tradita" - Tetovë, angazhohet për kultivimin e veprimtarisë kulturore.

FOTOALBUM | Edicioni XIII i manifestimit kulturor “Lidhja na Bashkon” Në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës ...
11/06/2026

FOTOALBUM | Edicioni XIII i manifestimit kulturor “Lidhja na Bashkon”

Në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup, më 10 qershor 2026, u mbajt Edicioni XIII i manifestimit kulturor “Lidhja na Bashkon”, organizuar nga Shoqata për Kulturë dhe Art “Tradita”, me rastin e 148-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Ky manifestim mblodhi studiues, profesorë universitarë, krijues, artistë, përfaqësues institucionesh dhe veprimtarë të çështjes kombëtare, duke riafirmuar rëndësinë e kujtesës historike, kulturës dhe dijes si vlera që na bashkojnë.

Në kuadër të programit u mbajtën kumtesa kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe albanologut të shquar Robert Elsie, ndërsa u ndanë edhe çmimet tradicionale të Shoqatës “Tradita”: Çmimi Kombëtar “Ali Vishko” për Prof. Dr. Ejup Ajdinin dhe Çmimi “Selim Ramadani” për Teatrin e Tetovës.
Manifestimi u përmbyll me një program artistik - poetik, duke sjellë emocione dhe frymëzim për të pranishmit.

Falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit, sponsorët dhe mbështetësit që kontribuuan në realizimin me sukses të këtij edicioni, duke dëshmuar se fryma e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit vazhdon të mbetet simbol i unitetit, vetëdijes kombëtare dhe bashkëpunimit ndërshqiptar.

Foto: Dritan Abdiji©

“LIDHJA NA BASHKON”, FRYMË E UNITETIT KOMBËTARLexo: https://tradita.org/2026/06/10/manifestimi-lidhja-na-bashkon-fryme-e...
10/06/2026

“LIDHJA NA BASHKON”, FRYMË E UNITETIT KOMBËTAR

Lexo: https://tradita.org/2026/06/10/manifestimi-lidhja-na-bashkon-fryme-e-unitetit-kombetar/

Në mjediset e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup u mbajt Edicioni XIII i manifestimit kulturor “Lidhja na Bashkon”, organizuar nga Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në vendin tonë. Manifestimi u mbajt me rastin e shënimit të 148-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Në manifestim morën pjesë studiues, profesorë universitarë, krijues, artistë, përfaqësues institucionesh dhe veprimtarë të çështjes kombëtare. Me këtë rast u përkujtua njëra nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë. Njëherazi u promovuan edhe vlerat tona kulturore, historike e kombëtare.
Veprimtarinë e shpalli të hapur kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”, Mr. Selam Sulejmani. Në fjalën e tij, ai theksoi se manifestimi “Lidhja na Bashkon”, tashmë në vitin e trembëdhjetë të organizimit, ka krijuar një traditë të rëndësishme në ruajtjen e kujtesës historike dhe në promovimin e kulturës shqiptare. Ai nënvizoi se kultura, arsimi dhe shkenca mbeten themele mbi të cilat ndërtohet vetëdija jonë kombëtare dhe identiteti ynë kulturor.
Të pranishmit i përshëndeti edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Shkëlqesia e Tij Florian Qehaja, i cili për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit tha se është një nga momentet më të rëndësishme të organizimit politik dhe kombëtar të shqiptarëve. Ai vuri në dukje se idealet e Lidhjes vazhdojnë të na frymëzojnë edhe sot, për ruajtjen e identitetit tonë kombëtar dhe për forcimin e bashkëpunimit midis shqiptarëve.
Në pjesën shkencore të manifestimit, referatin kushtuar 148-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e mbajti Prof. Dr. Zeqirja Idrizi. Ai pohoi se Lidhja, e themeluar në Prizren më 10 qershor 1878, ishte organizimi i parë politik dhe ushtarak mbarëshqiptar për mbrojtjen e trojeve etnike shqiptare nga copëtimi i parashikuar në Traktatin e Shën Stefanit si dhe me vendimet e Kongresit të Berlinit.
Sipas tij, Lidhja kishte tre synime themelore: mbrojtjen e trojeve shqiptare, bashkimin e tyre në një vilajet të vetëm dhe dëshmimin para Evropës se shqiptarët, pavarësisht dallimeve fetare, përbëjnë një komb më vete.
Ai po ashtu vuri në dukje rolin e figurave të shquara si Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni, Sylejman Vokshi dhe familja Deralla në organizimin politik e ushtarak të Lidhjes, duke theksuar njëherazi se fryma e saj sot e kësaj dite mbetet udhërrëfyese për shqiptarët në proceset integruese evropiane. Ai nënvizoi se mesazhi i Lidhjes për unitet, për vetëdije kombëtare dhe për organizim institucional edhe sot mbetet aktual, ndërsa bëri thirrje për një vizion të përbashkët kombëtar, të mbështetur në dije, në shkencë dhe në përgjegjësi institucionale.
Një pjesë e veçantë e manifestimit iu kushtua albanologut të shquar Robert Elsie. Në referatin e tij, Prof. Xhelal Zejneli e cilësoi Elsien si “albanologun të cilin nuk duhet harruar” dhe si “njeriun që ia solli botës Shqipërinë”. Ai e paraqiti veprimtarinë e pasur shkencore të studiuesit kanadez-gjerman, autor i 60 librave dhe 90 studimeve shkencore për historinë, gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare. Profesor Zejneli e veçoi kontributin e Robert Elsie në promovimin ndërkombëtar të kulturës shqiptare nëpërmjet veprave monumentale si “Historia e letërsisë shqiptare”, “Fjalori historik i Shqipërisë”, “Fjalori historik i Kosovës”, “Leksiku i kulturës popullore shqiptare” dhe përkthimi në gjuhën angleze i kryeveprës së Gjergj Fishtës “Lahuta e Malcís”. Referuesi e vlerësoi Robert Elsien si një nga personalitetet më të rëndësishme të albanologjisë moderne, i cili me punën e tij të jashtëzakonshme e bëri kulturën shqiptare pjesë të botës akademike ndërkombëtare.
Në vazhdim të programit u ndanë çmimet tradicionale të Shoqatës “Tradita”. Çmimi kombëtar “Ali Vishko” për vitin 2026 iu nda Prof. Dr. Ejup Ajdinit për kontributin e tij në fushën e arsimit, të shkencës dhe të studimeve shqiptare, ndërsa çmimi “Selim Ramadani” iu nda Teatrit të Tetovës për kontributin e dhënë në zhvillimin e artit skenik dhe të kulturës shqiptare.
Arsyetimet për ndarjen e çmimeve të sipërthëna i paraqitën kryetarët e komisioneve përkatëse: Prof. Dr. Salajdin Salihi dhe aktorja Sheqerije Ilazi.
Manifestimi u përmbyll me një program artistik, ku poetet Nadire Ismaili-Salihu dhe Lola Shehi interpretuan krijime poetike, duke sjellë për të pranishmit frymëzim dhe emocione artistike.
Edicioni XIII i manifestimit kulturor “Lidhja na Bashkon” e riafirmoi rëndësinë e kujtesës historike, kulturës dhe dijes, si vlera që i bashkojnë shqiptarët, duke përcjellë mesazhin se idealet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit vazhdojnë të mbeten udhërrëfyes për të ardhmen.
Ky manifestim u mbështet nga: Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup; nga Komuna e Çashkës; nga Komuna e Bogovinës; nga Komuna e Strugës; nga Komuna e Gostivarit; nga Poliklinika dhe Laboratori LAOR; nga Bukëpjekësi Gerta; nga Kompania për zhvillimin e pasurive të paluajtshme Trim & Lum; nga Poliklinika Stomatologjike Apolon; nga Zgjimi Company, ndërkaq fotografitë i realizoi Dritan Abdiji.
Shoqata “Tradita” shpreh mirënjohje dhe falënderime më të sinqerta për të gjithë sponsorët dhe mbështetësit, kontributi i të cilëve bëri të mundur realizimin me sukses të Edicionit XIII të manifestimit kulturor “Lidhja na Bashkon”.

Shkup, më 10.6.2026

PUBLIKOHET “TETOVË – TIRANË”, BASHKËPUNIMI I RI I BAJRAMALI IDRIZIT ME KASTRIOT TUSHËNKëngëtari dhe kompozitori i njohur...
05/06/2026

PUBLIKOHET “TETOVË – TIRANË”, BASHKËPUNIMI I RI I BAJRAMALI IDRIZIT ME KASTRIOT TUSHËN

Këngëtari dhe kompozitori i njohur nga Tetova, Bajramali Idrizi, ka prezantuar projektin e tij më të ri muzikor, një bashkëpunim të veçantë me tenorin e mirënjohur shqiptar Kastriot Tusha. Kënga mban titullin simbolik “Tetovë – Tiranë” dhe vjen si një mesazh artistik që lidh dy prej qendrave më të rëndësishme të jetës dhe kulturës shqiptare.
Përmes vargjeve dhe interpretimit emocional, kënga shpalos ndjenjën e përkatësisë kombëtare, dashurinë për trojet shqiptare dhe lidhjen e pandashme shpirtërore ndërmjet shqiptarëve, pavarësisht kufijve administrativë. Projekti ndërthur përvojën krijuese dhe timbrin karakteristik të Bajramali Idrizit me interpretimin e fuqishëm dhe profesional të Kastriot Tushës, një prej figurave më të respektuara të skenës muzikore shqiptare.
“Tetovë – Tiranë” nuk është vetëm një këngë, por edhe një himn i vlerave kombëtare, i cili promovon unitetin, kulturën dhe identitetin shqiptar. Me një mesazh të qartë për bashkim dhe krenari kombëtare, projekti synon të prekë zemrat e publikut në të gjitha trevat shqiptare dhe në diasporë.
Ky bashkëpunim është mirëpritur nga adhuruesit e muzikës shqiptare, veçanërisht për tematikën e tij patriotike dhe për mënyrën dinjitoze me të cilën përcjell vlerat kulturore e kombëtare. Njëkohësisht, ai dëshmon se muzika vazhdon të mbetet një urë e fuqishme komunikimi dhe afrimi mes shqiptarëve.

Enjoy the videos and music you love, upload original content, and share it all with friends, family, and the world on YouTube.

Përkujtim | Më 2 qershor 1880 u lind Parashqevi Qiriazi, veprimtarja e shquar e lëvizjes kombëtare shqiptareAjo lindi më...
02/06/2026

Përkujtim | Më 2 qershor 1880 u lind Parashqevi Qiriazi, veprimtarja e shquar e lëvizjes kombëtare shqiptare

Ajo lindi më 2 qershor 1880, në Manastir (sot Maqedonia e Veriut).
Në vendlindje kreu shkollën fillore dhe të mesme. Pasi u diplomua në Kolegjin Amerikan në Stamboll më 1904, ajo punoi në Shkollën e Vashave në Korçë, duke u bërë pioniere e edukimit të grave.
Duke kapërcyer kufijtë e mësimdhënies, Parashqevi Qiriazi ishte e vetmja grua pjesëmarrëse në Kongresin e Manastirit (1908), ku mbështeti dhe ndihmoi në përhapjen e alfabetit të njësuar.
Me botimin në vitin 1909 të “Abetare për shkollat e para” dhe me themelimin e shoqërisë “Ylli i Mëngjesit”, ajo ndikoi në zhvillimin e arsimit dhe në përparimin arsimor e shoqëror të grave shqiptare.
Në vitin 1912 hartoi një program arsimor për qeverinë e Ismail Qemalit dhe mbrojti çështjen shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris (1919).
Me hapjen e Institutit “Kyrias” në Kamëz, vuri në jetë projektin e saj për një sistem arsimor modern, që përfshinte të gjitha nivelet, nga kopshti deri në universitet.
Për kontributin e saj të çmuar në arsimin shqip dhe në veprimtarinë kombëtare, Parashqevi Qiriazi është vlerësuar me titujt ‘Mësuese e Popullit’ dhe ‘Nderi i Kombit’, si shenjë mirënjohjeje nga shteti shqiptar. Parashqevi Qiriazi u nda nga jeta në vitin 1970, në Tiranë.

Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës - Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1367.

www.tradita.org

SOT E KUJTOJMË ATDHETARIN, ILUMINISTIN DHE IDEOLOGUN E RILINDJES KOMBËTARE, SAMI FRASHËRI Lindi më 1 qershor 1850, në Fr...
01/06/2026

SOT E KUJTOJMË ATDHETARIN, ILUMINISTIN DHE IDEOLOGUN E RILINDJES KOMBËTARE, SAMI FRASHËRI

Lindi më 1 qershor 1850, në Frashër të Përmetit. Arsimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme e përfundoi në gjimnazin “Zosimea” të Janinës, ku mësoi disa gjuhë të huaja, si greqishten e vjetër, latinishten, frëngjishten dhe italishten.
Më 1872 u vendos në Stamboll, ku nisi veprimtarinë si gazetar, shkrimtar dhe studiues, duke ndërthurur veprimtarinë intelektuale me përkushtimin ndaj çështjes kombëtare. Si bashkëthemelues i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare dhe një nga drejtuesit e Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip (1879), ai luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e lëvizjes kulturore shqiptare.
Kryevepra e tij mbetet botimi “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, i botuar më 1899 në Bukuresht. Në këtë vepër ai shprehu idetë e tij demokratike për zhvillimin politik e shoqëror të vendit, si edhe për përparimin e arsimit, kulturës dhe shkencës.
57 veprat e botuara në disa gjuhë të botës dhe 20 mijë vëllimet e bibliotekës së tij personale e bëjnë atë një nga enciklopedistët më të mëdhenj shqiptarë.
Edhe pse u izolua nga autoritetet osmane për veprimtarinë e tij thellësisht pro lëvizjes kombëtare shqiptare, kjo nuk e pengoi atë. Puna, mendimi dhe vizioni i tij ndriçuan rrugën drejt pavarësisë.
Ai u nda nga jeta në Stamboll më 1904, duke lënë pas një pasuri të çmuar në fushën e mendimit patriotik shqiptar.

Burimi: Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Nr. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, faqe 729-730.

www.tradita.org

ROBERT ELSIE, ALBANOLOGU TË CILIN NUK DUHET HARRUARProf.  Xhelal Zejneli Robert Elsie (Vancouver, Kanada, 29.06.1950 – B...
01/06/2026

ROBERT ELSIE, ALBANOLOGU TË CILIN NUK DUHET HARRUAR

Prof. Xhelal Zejneli

Robert Elsie (Vancouver, Kanada, 29.06.1950 – Berlin, 02.10.2017). Studioi filologjinë klasike dhe gjuhësinë në Universitetin e Kolumbisë Britanike (University of British Columbia). Diplomoi në vitin 1972. Po atë vit erdhi në Evropë me një bursë studimesh. I vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Lirë të Berlinit Perëndimor (Freie Universität Berlin), pastaj në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta (Ecole Pratique des Hautes Etudes) në Paris, në Institutin e Dublinit për Studime të Larta (Dublin Institute for Advanced Studies) në Irlandë dhe në Universitetin e Bonit (Universität Bonn) ku në vitin 1978 mbrojti doktoratën për gjuhësi krahasimtare dhe keltologji. Në atë kohë Instituti i Gjuhësisë i Universitetit të Bonit, me studiues nga Shqipëria komuniste kishte kontakte të rralla. Nëpërmjet këtyre kontakteve, Elsie, disa studentë dhe studiues të tjerë, në kuadër të takimeve shkencore midis Institutit Gjerman dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, patën mundësi të vizitonin Shqipërinë disa herë.
Disa vjet me radhë ka marrë pjesë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare të mbajtur në Prishtinë. Në fund të viteve ’70 dhe në fillim të viteve ’80 të qindvjeçarit XX, këto udhëtime i gjallën një interesim të veçantë për Shqipërinë e mbyllur dhe për kulturën e saj jo mjaft të njohur në botë. Pasi e mësoi shqipen, iu kushtua albanologjisë. Më vonë, ai do të bëhej një ndër ekspertët më të njohur të kësaj fushe.
Është autor i mbi gjashtëdhjetë librave dhe i artikujve të panumërt, kryesisht në fushën e albanologjisë. Në mes të viteve ’80 të qindvjeçarit XX, punoi si përkthyes për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë në Bon. Prej viteve 1990... e deri ne fillim të shekullit XXI ka punuar si përkthyes i shqipes. Ka marrë pjesë në bisedime të nivelit të lartë për qeverinë gjermane, për BE-në, për Kombet e Bashkuara, për NATO-n, për Këshillin e Evropës, etj. Prej vitit 2002 ka punuar për Tribunalin e Hagës. Ka qenë përkthyes simultan në procesin gjyqësor ndaj Slobodan Milosheviqit.
Është anëtar i Shoqatës së Evropës Juglindore (Südosteuropa-Gesellschaft), anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.
* * *
Veprat - Botime të hershme të Elsies janë: “Fjalor i letërsisë shqiptare” (Dictionary of Albanian Literature),Westport, Konektikat 1986 dhe “Histori e letërsisë shqiptare” (History of Albanian Literature), Boulder, Colorado 1995, në dy vëllime. Kjo vepër e fundit doli në shqip me titullin “Histori e letërsisë shqiptare”, Pejë 1997 dhe në polonisht me titullin “Pasqyra e historisë së letërsisë shqiptare” (Zarys historii literatury albanskiej), Torunj 2004.
Ka botuar edhe përkthime letrare në anglisht dhe gjermanisht, siç janë në vëllimin e UNESCO-s “An Elusive Eagle Soars: Anthology of Modern Albanian Poetry” (Një shqiponje e arratisur fluturon: antologji e poezisë bashkëkohore shqiptare), Londër 1993; “Albanian Folktales and Legends” (Përralla dhe legjenda shqiptare), Tiranë 1994.
Pasojnë veprat letrare të Migjenit (1911-1938) përkthyer në anglisht në vëllimin “Free Verse” (Vargjet e lira), Tiranë 1991 dhe në gjermanisht në vëllimin “Freie Verse” (Vargjet e lira), Idshtajn (Idstein) 1987.
Pason antologjia në gjermanisht e poezisë shqiptare “Einem Adler gleich: Anthologie albanischer Lyrik vom 16. Jahrhundert bis zur Gegenwart” (Si një shqiponjë: antologji e poezisë shqiptare nga shekulli 16 deri me sot), Hildesheim 1988.
Pasojnë veprat e poetëve kosovarë Ali Podrimja (Gjakovë, 1942 – Lodève, Francë, 2012) në “Who Will Slay the Wolf: Selected Poetry” (Kush do të vrasë ujkun: poezi të zgjedhur), Nju-Jork 2000; Flora Brovina (1949- ) në vëllimin “Call Me by My Name: Poetry from Kosova” (Verma emrin tim: poezi nga Kosova), Nju-Jork 2001; dhe Eqrem Basha (1948- ) në vëllimin “Neither a Wound nor a Song: Poetry from Kosova” (S’është plagë s’është as këngë: poezi nga Kosova), Nju-Jork 2003.
Këto përkthime Elsie i ka bërë në bashkëpunim me poeten, përkthyesen dhe kritiken letrare kanadeze Janice Mathie-Heck (Jasper, Alberta, 1950- ).
Kritika e tij e letërsisë shqiptare u botua në vëllimin “Studies in Modern Albanian Literature and Culture” (Studime për letërsinë dhe kulturën bashkëkohore shqiptare), Boulder, Colorado 1996. Vëllim doli në shqip me titullin “Një fund dhe një fillim”, Tiranë & Prishtinë 1995.
Duke marrë parasysh gjendjen e rëndë në Kosovë, kryesisht të panjohur në botën e jashtme, Elsie përpiloi antologjinë e parë të madhe me shkrime lidhur me temën e Kosovës në vëllimin 600-faqesh “Kosovo: In the Heart of the Powder Keg” (Kosovë: në qendrën e fuçisë së barutit), Boulder, Colorado 1997.
Pas kësaj botoi edhe një përmbledhje tekstesh historike për Kosovën me titullin “Gathering Clouds: The Roots of Ethnic Cleansing in Kosovoand Macedonia, Early Twentieth-Century Documents” (Stuhi në horizont: Rrënjët e spastrimit etnik në Kosovë dhe Maqedoni, dokumente të fillimit të shekullit njëzet), Pejë 2002.
Më vonë Elsie u përqendrua më shumë në lëmenjtë e tjerë të albanologjisë, si kultura popullore dhe historia. Ndihmesë e madhe për antropologjinë shqiptare ishte vepra e tij “Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture” (Fjalor i fesë, i mitologjisë dhe i kulturës popullore shqiptare), Londër 2001. Vepra doli në gjermanisht në vëllimin “Handbuch zur albanischen Volkskultur” (Doracak i kulturës popullore shqiptare), Wiesbaden 2002 dhe në shqip, në vëllimin “Leksiku i kulturës popullore shqiptare”, Tiranë 2005.
E botoi në gjermanisht Kanunin, “Der Kanun: das albanische Gewohnheitsrecht nach dem sogenannten Kanun des Lekë Dukagjini” (Kanuni: E drejta zakonore shqiptare sipas të ashtuquajturit Kanuni i Lekë Dukagjinit), Pejë 2001.
Në bashkëpunim me antropologjisten Antonia Jung (Antonia Young; 1955- ), Universiteti i Bredfordit (University of Bradford) dhe me fotografen norvegjeze Ann Christine Eek (1948- ) botoi studimin antropologjik të fshatit kosovar nga antropologia norvegjeze Berit Beker (Berit Backer, 1947-1993), “Behind Stone Walls: Changing Household Organization among the Albanians of Kosova” (Prapa mureve të gurta: ndryshime në organizimin familjar ndër shqiptarët e Kosovës), Pejë 2003.
Pas kësaj, botoi dorëshkrimin e hershëm në gjermanisht të shqiptarit Bajazid Elmaz Doda* (rreth 1888-1933), “Albanisches Bauernleben im oberen Rekatal bei Dibra, Makedonien” (Jeta fshatare shqiptare në Rekën e Epërme pranë Dibrës së Maqedonisë), Vjenë 2007.
Shënim: Bajazid Elmaz Doda (Shtirovica, 1888 – Vjenë, 25.04.1933) - shkrimtar dhe fotograf etnografik shqiptar, autor i librit historik-kulturor “Albanisches Bauerleben im oberen Rekatal bei Dibra” (Jeta e fshatarëve shqiptarë në grykën e Rekës së Epërme, Dibra e Madhe; Maqedoni); Vjenë 1914.
* * *
Në fushën e historisë me të cilën është marrë më shumë gjatë dhjetëvjeçarit të parë të shekullit njëzet, në bashkëpunim me Robert Dankoff (1943- )*, Elsie ka botuar dhe ka përkthyer nga osmanishtja pjesë të veprës “Sejahatname“ (Udhëpërshkrim) të udhëtarit osman Evlija Çelebi (1611-1683) që flasin për trevat shqiptare: “Evliya Çelebi in Albania and Adjacent Regions” (Evlija Çelebi në Shqipëri dhe në viset fqinje), Leiden 2000. Kjo vepër doli në shqip në vëllimin “Evlija Çelebiu në Shqipëri dhe në viset fqinje”, Tiranë 2008.
Shënim: Robert Dankoff (Rochester, Nju-Jork, 1943- ) profesor Emeritus i Studimeve Osmane dhe Turke, Departamenti i gjuhëve dhe i qytetërimeve të Lindjes së Afërt në Universitetin e Çikagos.
* * *
Përveç kësaj, ai e zbuloi dhe e botoi dorëshkrimin e historisë së parë të Shqipërisë, të shkruar prej priftit llazarist francez, Zhan-Klod Faverial (Jean-Claude Faveyrial, 1817-1893), “Histoire de l’Albanie” (Historia e Shqipërisë), Pejë 2001 që doli në shqip në vëllimin Më e vjetra “Histori e Shqipërisë”, Tiranë 2004.
Elsie e zbuloi dhe botoi dorëshkrimin në gjermanisht të albanologut hungarez, baronit Franc Nopça (Franz Nopcsa, 1877-1933) në “Reisen in den Balkan” (Udhëtime në Ballkan), Pejë 2001, që doli në shqip në vëllimin “Udhëtime nëpër Ballkan”, Tiranë 2007.
Në bashkëpunim me studiuesin shqiptaro-britanik Bejtullah D. Destani (Prizren, 1960- ), Londër, Elsie botoi ditarin e poetit dhe të piktorit anglez Eduard Lir (Edward Lear, 1812-1888), në vëllimin “Edward Lear in Albania: Journals of a Landscape Painter in the Balkans” (Eduard Lir në Shqipëri, ditari i një piktori pejsazhesh), Londër 2008, që doli shqip në vëllimin “Eduard Lir në Shqipëri: ditar udhëtimesh, 1848-1849”, Tiranë 2008.
U botua një përmbledhje tekstesh të hershme historike për Shqipërinë, të përkthyera nga gjuhë të ndryshme, “Early Albania: A Reader of Historical Texts, 11th-17th Centuries” (Shqipëria e hershme: antologji tekstesh historike, shekujt XI - XVII), Wiesbaden 2003.
Duke qenë se Shqipëria dhe Kosova vazhdonin të ishin relativisht të panjohura nga lexuesit perëndimorë, për këto vende Elsie botoi dy manualë informativë: “Historical Dictionary of Albania” (Fjalor historik i Shqipërisë), Lanham, Maryland 2004; dhe “Historical Dictionary of Kosova” (Fjalor historik i Kosovës), Lanham, Maryland, 2004. Këto vepra, përkundër titullit ‘historik’, janë libra të përgjithshëm informativë.
Sërish në fushën e letërsisë, Elsie botoi një vëllim të ri të historisë së letërsisë, më të përmbledhur dhe më të shkurtër, në vëllimin “Albanian Literature: A Short History”, Londër 2005, që doli në shqip në vëllimin “Letërsia shqipe: një histori e shkurtër”, Tiranë 2006.
Ka bërë edhe përkthime të tjera letrare, përsëri me Janice Mathie-Heck, vepra të zgjedhura të këngëve epike të veriut, në vëllimin “Songs of the Frontier Warriors”: (Këngë Kreshnikësh), “Albanian Epic Verse” (Këngë kreshnikësh, poezia epike shqiptare), Wauconda, Illinois 2004;
- tregime të shkrimtarëve të veriut, Ernest Koliqi (1903-1975) dhe Migjeni (1911-1938), në vëllimin “Tales from Old Shkodra: Early Albanian Short Stories” (Rrëfime nga Shkodra e vjetër: tregime të hershme shqiptare), Pejë 2004;
- vepra poetike të Visar Zhitit (1952- ) në “The Condemned Apple” (Molla e dënimit), Los Anxhelos 2005;
- antologjinë e parë në anglisht të prozës bashkëkohore shqiptare në vëllimin “Balkan Beauty, Balkan Blood: Modern Albanian Short Stories” (Bukuria e Ballkanit, gjaku i Ballkanit: tregime bashkëkohore shqiptare), Evanston, Illinois 2006;
- romanin e Fatos Kongolit (1944- ) “The Loser” (I Humburi), Bridgend, Uells 2007;
- veprat poetike të Azem Shkrelit (1938-1997) në vëllimin “Blood of the Quill: Selected Poetry from Kosovo” (Gjaku i penës: poezi të zgjedhur nga Kosova), Los Anxhelos 2008;
- një antologji të plotë historike të poezisë shqipe “Lightning from the Depths: An Anthology of Albanian Poetry” (Se fund’i ujit vetëti: antologji e poezisë shqipe), Evanston, Illinois 2008;
- romanin e Ornela Vorpsit (1968- ) “The Country Where No One Ever Dies” (Vendi ku nuk vdes askush), Champaign, Illinois 2009; dhe
- përkthime të mëtejshme të poezisë gojore në librin “The Battle of Kosovo, 1389, An Albanian Epic” (Beteja e Kosovës, 1389, një epos shqiptar), Londër 2009, të sociologes, gazetares dhe ish-konsulentes së Kombeve të Bashkuara, të lindur në L’Aquila të Italisë Anna Di Lellio-s;
Shënim: Sipas historianit dhe diplomatit serb Dushan Batakoviq (Dušan Bataković, 1957- ), “Di Lellio në shkrimet e saj mban qëndrim pro-shqiptar”. Anna Di Lellio ka shkruar për një sërë temash që lidhen me praninë e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe në Irak. Është redaktore e librit “Rasti për Kosovën: Rruga drejt Pavarësisë” (The Case for Kosova: Passage to Independence, 2000), një antologji esesh mbi të ardhmen e Kosovës.
* * *
Puna më ambicioze letrare e Elsies është përkthimi në anglisht, në bashkëpunim me Janice Mathie-Heck, nga gegërishtja, i eposit letrar të Gjergj Fishtës (1871-1940), “The Highland Lute: The Albanian National Epic” (Lahuta e Malcis: eposi kombëtar shqiptar), Londër 2005, vepër kjo me 30 këngë dhe 15,613 vargje. Rishfaqja në publik e këtij eposi, të ndaluar me vite nga regjimi komunist në Shqipëri, u prit me gëzim, sidomos në veriun e vendit.
* * *
Në lëmin e fotografisë së hershme shqiptare Elsie ka botuar dy albume të mëdha: “Dritëshkronja: Fotografia e hershme nga Shqipëria dhe Ballkani”, Prishtinë 2007, që i përfshin fotografitë e para të bëra ne Shqipëri. Janë 50 fotografi të fotografit vjenez Dr. Jozef Sékeli (Josef Székely, 1838-1901) prej vitit 1863 dhe koleksionet e albanologut hungarez, baronit Franc Nopça (Deva, Rumani, 1877 – Vjenë, 1933), të Bajazid Elmaz Dodës (1888-1933), të albanologut austriak Maksimilian Lamberc (1882-1963) dhe të ushtarakëve të misionit ushtarak holandez të viteve 1913-1914.
Ka botuar gjithashtu, në një vëllim trigjuhësh – anglisht, frëngjisht, shqip - fotografitë e para me ngjyra në Shqipëri dhe në Kosovë të arkitektit amerikan Albert Kan (Albert Kahn, 1869-1942) në Paris, me titullin “Shqipëria dhe Kosova në ngjyra 1913”, Tiranë 2010.
Së fundi janë botuar për herën e dytë, të përditësuar dhe dukshëm të zmadhuar: “Historical Dictionary of Albania” (Fjalor historik i Shqipërisë), Lanham, Maryland 2010, me 660 faqe; dhe “Historical Dictionary of Kosovo” (Fjalor historik i Kosovës), Lanham, Maryland 2010, me 451 faqe.
Këta dy libra janë përkthyer edhe shqip. Puna studimore e Elsies ka qenë e përqendruar kryesisht në albanologji, ai ka botuar edhe vepra të tjera: “Dialect Relationships in Goidelic: A Study in Celtic Dialectology” (Marrëdhëniet dialektore në goidelishten: një hulumtim në dialektologjinë keltike), Hamburg 1986; antologjitë poetike “The Pied Poets: Contemporary Verse of the Transylvanian and Danube Germans of Romania” (Poetë të shumëngjyrshëm: poezia bashkëkohore të gjermanëve të Transilvanisë dhe të Danubit në Rumani), Londër 1990; dhe “An Anthology of Sorbian Poetry from the 16th-20th Centuries” (Antologjia e poezisë serbe në shekujt XVI - XX), Londër 1990, si dhe një përkthim në gjermanisht të poetit të njohur grek Konstantin Kavafis (1863-1933) në vëllimin “Konstantinos Kavafis: Das Gesamtwerk, griechisch und deutsch” (Konstantin Kavafis: Veprat e plota, greqisht dhe gjermanisht), Cyrih 1997.
Pas viteve 1990, me faqet e tij në internet, Elsie jep të dhëna të hollësishme për shqiptarët. Veprat që s’i botoi në të gjallë, do të botoheshin post mortem.
* * *
Studiues të huaj të njohur të gjuhës, të historisë dhe të kulturës shqiptare kanë qenë: albanologu gjerman Johan Georg fon Han (Johann Georg von Hahn, 1811-869); albanologu austriak me prejardhje hebraike Norbert Jokli (1877-942); albanologu austriak Maksimilian Lamberc (1882-1963); albanologia ruse Agnja Vasiljevna Desnickaja (1912-1992); albanologu austriak Gustav Majer (Gustav Meyer, 1850-1900); albanologu kroat Milan Shuflaj (1879-1931); albanologu danez Holger Pedersen (1867-1953) etj.

KUR NJË KOMB HARRON GJIGANTËT E VETNaim Frashëri, Gjergj Fishta dhe kriza e kujtesës kombëtare shqiptareFrank ShkreliNë ...
29/05/2026

KUR NJË KOMB HARRON GJIGANTËT E VET
Naim Frashëri, Gjergj Fishta dhe kriza e kujtesës kombëtare shqiptare

Frank Shkreli

Në të vërtetë, ky është një subjekt që e kam trajtuar sa herë gjatë viteve, si për shëmbëll dhe sa për ilustrim: Frank Shkreli: A është trashëgimia kulturore dhe historike shqiptare në zhdukje e sipër? | Gazeta Telegraf . Sot, shkak për këtë shënim u bë 180-vjetori i lindjes së Naim Frashërit (25 maj të vitit 1846) sepse, për fat të keq, historia e trajtimit/mos trajtimit të kujtesës së figurave kombëtare, vazhdon. Ka popuj që ndërtojnë shtete me forcën e armëve. Por ka edhe kombe që mbijetojnë falë forcës së mendjes, gjuhës dhe kulturës. Shqiptarët janë një prej tyre. Në kohët më të errëta të historisë, kur Shqipëria ende nuk ekzistonte si shtet, kur gjuha shqipe ndalohej, kur shqiptarët ishin të përçarë në fe, krahina e vilajete, dolën disa burra të mëdhenj që ndërtuan me penë atë që nuk ekzistonte ende në hartë: ndërgjegjen kombëtare shqiptare. Mes tyre qëndrojnë si dy maja të pashlyeshme Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta -- dy figura që i dhanë kombit shpirt, gjuhë, krenari dhe ideal.
Naim Frashëri i mësoi shqiptarët ta duan Shqipërinë si atdhe shpirtëror. Ai ngriti gjuhën shqipe në nivelin e një gjuhe kulture dhe i dha shqiptarëve ndjenjën se ishin një komb i vetëm. Në një kohë robërie dhe padijeje, ai mbolli shpresë, vetëdije dhe dritë. Fishta, nga ana tjetër, u dha shqiptarëve epikën kombëtare, forcën morale dhe krenarinë e qëndresës. Me “Lahutën e Malcis”, ai ngriti në art shpirtin heroik të shqiptarëve malësorë, dhe e bëri gjuhën shqipe të jehojë me madhështinë europiane.
Pa këta njerëz -- dhe pa rilindas të tjerë si Faik Konica, Luigj Gurakuqi, Mid'hat Frashëri, Ndre Mjeda apo Ernest Koliqi e Martin Camaj -- kombit shqiptar do t’i mungonte vetë themeli i identitetit të tij. Do t’i mungonte gjuha shqipe e kultivuar, vetëdija kombëtare, ndjenja patriotike, arsimi kombëtar, kultura europiane dhe rezistenca shpirtërore ndaj asimilimit. Sepse Shqipëria nuk u krijua as nga komunistët e sbhkullit të kaluar as nga klasa politike pseudo-komuniste 35-viteve trannzicion, as nga lufta. Ajo u krijua, fillimisht, në mendje, në libra, në poezi dhe në sakrificat e këtyre gjigantëve.
Prandaj, ka diçka thellësisht të dhimbshme në heshtjen që po shoqëron figurat më të mëdha të kulturës dhe identitetit shqiptar. Në vitin e 180-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit, mungesa e një përkujtimi dinjitoz mbarëkombëtar nuk është thjesht neglizhencë institucionale, por ajo është simptomë e një krize më të thellë: krizës së kujtesës, kulturës dhe atdhedashurisë shqiptare. Sepse kur flitet për Naim Frashërin, nuk kujtojmë vetëm një poet të zakonshëm. Po flasim për njeriun që i dha shpirt gjuhës shqipe, që mbolli idenë e Shqipërisë moderne në zemrat e shqiptarëve shumë kohë përpara se shteti shqiptar të ekzistonte.
Naim Frashëri ishte zëri i ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Ai nuk kishte pushtet, ushtri apo shtet. Kishte vetëm penën, idealin dhe dashurinë për kombin. Dhe megjithatë, 180 vjet pas lindjes së tij, Shqipëria zyrtare, por edhe shqiptarët kudo, ky përvjetor duket i ftohtë, rutinor dhe pothuaj të painteresuar për të nderuar siç meriton, Naim Frashëri. Në vende të tjera europiane, por edhe në çdo shtet normal të botës, figura të përmasave të tilla do të shoqëroheshin me akademi kombëtare, botime speciale, konferenca shkencore, aktivitete në shkolla, emisione televizive, ekspozita, ribotime të veprave, dhe homazhe shtetërore. Ndërsa në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovën e pavarur, deri tani, përkujtimet publike në 180-vjetorin e Naim Frashërit, duken të kufizuara, kryesisht, me ndonjë lajm të shkurtër në media individuale apo iniciativa private. Ashtu si zakonisht në të kaluar[n me raste të tilla,nuk pati jehonën që meriton poeti i cili u bë vetë ndërgjegjja e kombit.
Por Naim Frashëri nuk është i vetmi në këtë mungesë kujtese. Një ndër ta edhe At Gjergj Fishta — kolosi i letërsisë shqipe, autori i “Lahutës së Malcis”, poeti që i dha kombit epikën, krenarinë dhe dinjitetin e fjalës shqipe -- vazhdon të mbetet figurë e nderuar, më shumë nga populli, por jo edhe nga institucionet zyrtare të shtetit shqiptar. Për dekada, diktatura komuniste e përjashtoi Fishtën nga kultura zyrtare shqiptare. Veprat e tij u ndaluan, emri iu fshi nga tekstet, ndërsa kujtesa kombëtare u deformua me vetëdije ideologjike. Tragjikisht, edhe sot duket sikur Shqipëria ende nuk është çliruar plotësisht nga ajo frymë harrese zyrtare. Frank Shkreli: Vazhdon krimi shtetëror ndaj At Gjergj Fishtës, i përjashtuar nga shteti që ai mbrojti | Gazeta Telegraf -
Por ç’të themi për Naimin e Fishtën, kur kjo harresë institucionale nuk ka kursyer as figurën më të madhe të historisë shqiptare: Gjergj Kastriotin Skënderbeu. Dhe ky është paradoksi më i madh i Shqipërisë “modern”. Kombi që, ndonjëherë, mburret me Skënderbeun në çdo fjalim patriotik, shpesh nuk arrin ta trajtojë atë me dinjitetin kulturor dhe shtetëror që meriton figura e tij. Përvjetorët historikë kalojnë shpesh me aktivitete të fragmentuara, pa një vizion serioz kombëtar për ta kthyer figurën e Skënderbeut në pjesë të gjallë të edukimit, kulturës dhe vetëdijes qytetare të mbarë Kombit.
Frank Shkreli: Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, i harruari i Kombit në ditëlindjen e tij | Gazeta Telegraf
Ndërkohë, që në Europë dhe në botë, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu njihet si një nga figurat më të rëndësishme botërore dhe rezistencën kundër Perandorisë Osmane. Emri i tij gjendet në historiografinë europiane si simbol i qëndresës dhe identitetit perëndimor të shqiptarëve, por edhe si shpëtimtari i Evropës. Ndërsa në vetë Shqipërinë, shpesh duket sikur ai përmendet më shumë si dekor ceremonial sesa si themel moral e historik i Kombit shqiptar.
Kjo krijon një pyetje të rëndë, por të domosdoshme: Duke mos-kujtuar figura të tilla kombëtare, ashtu siç u ka hije, apo humbet Shqipëria dhe shqiptarët, lidhjen me vetveten? Sepse atdhedashuria nuk matet me retorikë politike, me flamuj në festa apo me deklarata patriotike në rrjete sociale. Atdhedashuria matet me respektin ndaj njerëzve që ndërtuan shpirtin e kombit. Duhet theksuar edhe një here se një komb që harron poetët, mendimtarët dhe rilindasit e vet, domosdoshmërisht, mfillon të humbasë busullën e vet morale. Sepse kombet e shtetet nuk jetojnë vetëm me ekonomi, pallate të larta, pushtet apo propagandë. Kombet jetojnë me kujtesë, kulturë dhe identitet. Sot, për fat të keq, shumë të rinj shqiptarë njohin më mirë personazhe virtuale të rrjeteve sociale sesa veprën e Naimit apo madhështinë e Fishtës, e lere më figurën e madhe të shqiptarëve, kudo që janë. Shkollat shpesh i trajtojnë si kapituj formalë provimesh, jo si shtylla të ndërgjegjes kombëtare. Ndërkohë që hapësira publike dominohet nga konfliktet politike e partiake, nga banaliteti, spektakli dhe kultura e harresës.
Dhe kjo është drama modern e shqiptarëve. Ndonëse shqiptarëve nuk u mungojnë gjigantët gjatë gjithë historisë, Kombi shqiptar që prodhoi gjigantë kulturorë si Naim Frashëri e Gjergj Fishta, po rrezikon të mbetet pa kujtesë kombëtare. Por ende nuk është vonë. Sepse rikthimi te Naimi, te Fishta, te Faik Konica, te Luigj Gurakuqi, te Mid'hat Frashëri dhe te rilindasit e tjerë nuk është nostalgji për të kaluarën, por është një nevojë e madhe për identitetin e shqiptarëve në të ardhmen . Sepse pa ta, Shqipëria ndoshta do të ishte vetëm një emër në hartën e Evropës dhe asgjë tjetër.
Kur një një komb që nuk kujton me respekt gjigantët e vet të kulturës e të historisë, rrezikon që një ditë të mbetet, jo vetëm, pa gjigantët e historisë së vet – por edhe pa shpirt!

Gazeta Dielli
www.tradita.org

Address

Tetovë
1200

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when Shoqata "Tradita" - Tetovë posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Share