07/10/2026
🌿 Green Corner – të rinjtë në veprim për një mjedis më të gjelbër! ♻️
Me rastin e Ditës Botërore të Pastrimit – World Cleanup Day, më 20 shtator, në Parkun “Adem Demaçi” në Mitrovicë u realizua aktiviteti “Green Corner”, në kuadër të projektit “Green Neighbors – Youth for Environment and Coexistence”.
Aktiviteti synoi të promovojë angazhimin qytetar të të rinjve, kujdesin ndaj hapësirave publike dhe bashkëpunimin ndërmjet komunitetit dhe institucioneve lokale për mbrojtjen e mjedisit. Gjatë aktivitetit, të rinjtë pjesëmarrës kontribuuan në pastrimin dhe gjelbërimin e parkut, mbjelljen e drunjve dhe luleve, vendosjen e koshave ECO për ndarjen e mbeturinave sipas kategorive – plastikë, letër dhe qelq – si dhe vendosjen e pankartave me mesazhe ndërgjegjësuese për mbrojtjen e mjedisit.
Përmes kësaj nisme, të rinjtë jo vetëm që kontribuuan në përmirësimin e një hapësire të përbashkët, por gjithashtu promovuan praktikat e riciklimit, përgjegjësinë qytetare dhe rëndësinë e kujdesit të vazhdueshëm ndaj mjedisit. Green Corner shërben si një hapësirë konkrete ku komuniteti mund të mësojë, të bashkëpunojë dhe të ndërmarrë veprime të përbashkëta për një mjedis më të pastër, më të gjelbër dhe më të qëndrueshëm.
Aktiviteti u nderua me vizitën e Kryetarit të Komunës së Mitrovicës, z. Faton Peci, si dhe me mbështetjen e drejtpërdrejtë të Drejtoreshës së Mjedisit, znj. Atjeta Beqiri Hyseni. Përfaqësuesit e Komunës shprehën mbështetjen e tyre për nismat rinore dhe për aktivitetet që kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit, edukimin qytetar dhe përmirësimin e hapësirave publike.
Projekti “Green Neighbors – Youth for Environment and Coexistence” synon të fuqizojë të rinjtë përmes aktiviteteve praktike dhe gjithëpërfshirëse, duke nxitur bashkëpunimin, bashkëjetesën dhe përgjegjësinë e përbashkët për komunitetin dhe mjedisin.
Projekti implementohet nga Education Code, në partneritet me ACDC, me mbështetjen e programit BOOST, të financuar nga Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD) dhe të zbatuar nga Association of Local Democracy Agencies (ALDA).
Aktiviteti Green Corner u realizua me mbështetjen e Komunës së Mitrovicës.
🌍 Çdo veprim për mjedisin është një investim për komunitetin dhe të ardhmen tonë.