15/03/2026
“TAKIMET POETIKE TË KARADAKUT - 2026”, ÇMIMI KRYESOR PËR POETIN LIGOR SHYTI
Kumanovë, 15 mars 2026 – Mbrëmë në Kumanovë u mbajt manifestimi tradicional kulturor letrar “Takimet Poetike Karadakut”, edicioni 34 me radhë që e organizon Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut”.
Kryetari i Klubit, Sunaj Raimi, në fjalën e tij theksoi se ky manifestim poetik, me angazhimin e fuqishëm të anëtarëve të saj, ka arritur të etablohet si një eveniment mbarëkombëtar vëllazëror, e cila i bashkon zemrat dhe mendjet e krijuesve tanë rreth bukurisë dhe fuqisë së poezisë. “Karadaku jonë krenarë, i spikatur me bukurinë dhe historinë e tij, ka qenë gjithmonë një burim frymëzimi për poetët dhe krijuesit e gjinive më të ndryshme artistike. Këtu, fjala merr jetë, ndjenja bëhet varg, dhe mendimi shndërrohet në art. Poezia e bukur na kujton se edhe në kohë të ndryshme e të vështira, njeriu jonë gjithmonë ka gjetur forcë në fjalën, në shpirtin dhe në krijimtarinë e tij”, tha Raimi.
Siç dihet, ky manifestim mbahet në kujtim të ngjarjeve të 11 marsit 1981, që paraqet një ditë simbolike për kthesën e madhe historike të shqiptarëve në ish Jugosllavi, kur me fillimin e protestave studentore, filloi edhe rrënimi i regjimit jugosllav. Dhe, për të përkujtuar ato ngjarje, fjalë rasti mbajti veprimtarja e çështjes kombëtare, ish e burgosura politike, doktoresha Teuta Bekteshi - Ajeti, e cila në të njëjtën kohë përkujtoi edhe kontributin e vëllait të saj Fadil Bekteshi në themelimin e klubit dhe manifestimit “Takimet Poetike Karadakut” mëse tri dekada më parë.
Fjalë përshëndetëse pati edhe kryetari i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artisteve "Naim Frasheri" të Përmetit, Ligor Shyti, ndërsa me praninë e tij manifestimin e nderoi Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani.
Më pas, në orën letrare me poezitë e tyre u paraqitën poetët e ardhur nga mbarë hapësira shqiptare, si: Ana Tisi (Berat), Bajramali Selimi (Gostivar), Shqipe Hasani (Prishtinë), Kaltrina Berisha (Gjilan), Selajdin Shabani (Kumanovë), Ligor Shyti (Përmet), Ali Qerimi (Kumanovë), Rabije Bytyqi (Prizren), Remzi Salihu (Tetovë), Myrvete Dragaj (Istog), Liber Emini (Kumanovë), Zana Jashari (Kumanovë), Vlera Iseni (Kumanovë).
Juria letrare në përbërje: Daim Ilazi, Arsim Halili dhe Sevdail Demiri shpallën fituesit e poezive më të arrira të orës letrare. Konkretisht, me Çmimin kryesor “Fadil Bekteshi” u nderua poeti përmetar Ligor Shyti, me Çmimin “Doruntina” poeti gostivaras Bajramali Selimi, me Çmimin “Jehona poetike” poetja gjilanase Kaltrina Berisha, dhe me një çmim special u nderua poetja kumanovare Liber Emini.
Manifestimi që u moderua nga poeti Emrah Bilalli, po ashtu u zbukurua edhe nga recitalet e aktorëve përmetarë Pandi Duka dhe Lazar Thanasi, të cilët sollën atmosferë naimjane në Kumanovë.
Veprimtaria botuese është pjesë përbërëse e aktiviteteve të Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanova. Gjatë vitit që lamë pas, është botuar revista periodike “Doruntina” dhe disa vepra tjera autoriale të anëtarëve të Klubit, të cilat iu shpërndanë të pranishmëve.
Manifestimi “Takimet Poetike Karadakut”, ka gjetur mbështetje nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, komunat e Likovës dhe Kumanovës, si dhe dashamirë të artit e kulturës shqiptare.