25/08/2025
Një nga pionerët e parë të luftës për shkrimin shqip dhe hapjen e shkollave në trevën e Dibrës ishte Said Najdeni.
I diplomuar në medresenë e Fatihut në Stamboll, më 1893, Saidi u kthye në vendlindjen e vet, në Dibër, si një nxënës i flaktë i Naim e Sami Frashërit.
Ismail Strazimiri, i cili e ka njohur nga afër Said Najdenin, e përkufizon me këto fjalë formimin e tij intelektual: ‘Hoxhë Vokri, emri i tij i vërtetë Said Najdeni, ishte një dijetar i famshëm, me kulturë të mjaftë fetare, shkencore, filozofike e politike, i pajisur me një karakter të fortë e moral të lartë, idealist i vërtetë, shok e bashkëpunëtor i pandarë i Isamil Qemalit’.
Said Najdeni (ose Hoxhë Vokri), mbante lidhje me shumë rilindas të kohës e sidomos me rilindasin dibran nga Reka e Epërme, Josif Bagerin me të cilin krijuan edhe lidhjen e rëndësishme për furnizimin e popullsisë me libra ku mësohej gjuha shqipe.
Librat botoheshin nga koloni shqiptare në Rumani e Bullgari dhe silleshin me postën austriake deri nnë Shkup, e nga Shkupi deri në Dibër silleshin nga njerëz besnikë, në atë kohë kryesisht në dyqanin e Azis Mezelxhiut që ndodhej aty ku sot është fillimi i rrugës ‘Petrit Bomova’, nga ku shpërndaheshin në mënyrë ilegale nëpër popull që të mësohej shkrim leximi shqip.
Said Najdeni, së bashku me Shaqir Dacin, Shyqyri Qokun, Hamdi Qokun (Hamdi bej Ohrin), Kadri Fishtën, Azis Mezelxhiun,Nazif Sharofin, Hajdar Vërvaricën etj, formuan një vatër patriotësh dibranë, të cilët i vunë vetes për detyrë të përhapin shkrimin shqip dhe veprat e rilindasve brenda dhe jashtë qytetit. Me nismën e tyre më 1895, u organizua brenda në qytet në shtëpinë e Abdulla Manjanit një shkollë e fshehtë shqipe ku sipas shumë të dhënave pasonte shkollën e hapur në shtëpinë e Said Najdenit (rreth 1888).
Dashuria për atdhe, për dije e shkollim, doli të jetë dënuese për Said Najdenin, i cili u aluzua nga pushteti i kohës si tradhëtar, devijues etj, vetëm se shfrytezoi autoritetin e tij fetar e intelektual për ta drejtuar popullin drejt dijes si e vetmja rrugë e daljes nga errësira shekullore qe kaploi popullin në atë kohë.
Në momentin kur familjes Najdeni i duhej përkrahja më e madhe, kur ndërroi jetë Hoxhë Vokri (Said Najdeni), pushteti i kohës nuk lejoi popullin që të paktën nderimet e fundit tia bëjmë personit që sakrifikoi jetën për ardhmërinë e kombit, duke lejuar në varrimin e tij vetëm shtatë (7) persona që ishte poshtërim më i madh që mund ti ndodhte një figure kaq të rëndësishme kombëtare gjatë nderimeve të tij të fundit.
Sot ka shumë rrugë, institucione e Shkolla, një ndër to në Qytetin e Dibrës, Sh.F.K"Said Najdeni"Dibër, të cilat mbajnë emrin e rilindasit Said Najdeni.