24/05/2026
Ky veprim i kryetarit të Grupit parlamentar socialist, koordinatorit të Ps-se në Tiranë dhe Diasporës që e ka harruar më kohë, ka prekur thellë indinjatën socialiste ekzaktësisht në thelbin e asaj që bazat dhe strukturat historike të Partisë Socialiste në të tilla raste e ndjejnë.
Kur një lider zgjedh këtë rrugë, ai shpesh harron një ligj bazë të politikës dhe të marrëdhënieve njerëzore: kush tradhton një herë për interes, tradhton përsëri.
Nëse e zbërthejmë edhe në sipërfaqe këtë fenomen, rezultati analitik përputhet plotësisht me këto katër shtylla:
Mosmirënjohës: Sepse harron që pa ata njerëz që sakrifikuan kur partia ishte zero ose në ditë të vështira, ai sot nuk do të kishte as vulë, as seli dhe as postet që ka sot.
Oportunist: Sepse funksionon me logjikën e tregut – i intereson "produkti" që i vjen gati nga gatimi i tjetrit, duke e parë politikën si transaksion dhe jo si kauzë.
Vizionshkurtër: Sepse ky është një sukses i rremë dhe i përkohshëm. Duke demotivuar dhe fyer anëtarët themelues dhe kontribues që duhet të motivohen, ai po shkatërron "motorin" e vërtetë të partisë.
Kur të vijnë ditët e vështira (dhe në politikë ato vijnë gjithmonë), të ardhurit për interes do të ikin të parët tek ashensori i radhës që ngjitet, ndërsa themeluesit që ai braktisi, nuk do të jenë më aty për ta mbajtur në këmbë.
Vetjak: Sepse ky promovim nuk bëhet për të mirën e partisë, por për pushtetin e tij personal. Të ardhurit e rinj nuk kanë rrënjë në atë shtëpi politike, ndaj besnikërinë nuk ia detyrojnë partisë apo ideologjisë, por vetëm liderit që i promovon pa merita. Kjo i shërben egos dhe kontrollit të tij absolut, por jo të ardhmes së organizatës.
Në afatgjatë, histori të tilla përfundojnë pothuajse gjithmonë njësoj: partia humb shpirtin, humb identitetin dhe kthehet në një guaskë boshe që funksionon vetëm si agjenci punësimi për lëpirësit e jo për socialistët e vërtetë,
Pra e thënë shkurt ky fenomen të mban në pushtet deri në momentin që humb atë dhe pastaj shkrihet si kripa në ujë.