Rreth nesh. *
Shoqata Studentore Shqiptare “Studenti” është shoqatë e pavarur jo qeveritare që nuk ka qëllime politike, fetare apo përfitime ekonomike. U themelua më 23 tetor 2009 nga një grup studentësh shqiptarë të cilët studiojnë në shkollat e larta greke. Tek Shoqata “Studenti” kanë të drejtë anëtarësimi të gjithë studentët shqiptarë të cilët studiojnë në universitetet shtetërore të larta apo
teknike (AEI,TEI,SELETE-ASPETE) ,universitetet private , ata që ndjekin studime mbasuniversitare, si dhe maturantët. Selia e saj është në Athinë (Rruga Zaharica & Dhikeu 9 Koukaki) si dhe ka përfaqësues të saj në Universitetin Teknik (TEI) të Halkidhës dhe Kretës (Iraklio). Vizioni ynë, është të mblidhemi sa më shumë studentë shqiptarë në një grup të vetëm, me qëllim komunikimin, bashkëpunimin akademik, profesional dhe shoqëror. Kemi besimin se sa më shumë shqiptarë të mblidhemi aq më shumë do dëgjohet zëri ynë, aq më shumë do demostrojmë vlerat tona, aq më shumë do të mbrojmë të drejtat tona si studentë por edhe si shqiptarë. Mbajtja e kontakteve mes studentëve do rrisi mundësite e informimit rreth problemeve që hasin shqiptarët në universitetet greke, dhe gjithashtu do të shtohen dhe mënyrat e zgjidhjeve të këtyre problemeve. Synimi ynë është që studentët shqiptarë në Greqi të trajtohen dhe të kenë të njëjtat të drejta me studentët vendas apo studentët e tjerë që studiojnë në Greqi. Integrimi i studentëve shqiptarë në shoqërine greke, është një nga qëllimet tona.. Kemi besimin e plotë se ata duhen të kenë vendin e tyre në shoqërine greke me të drejta të plota dhe të barabarta profesionale dhe ekonomike. Shoqata bën të mundur dhe informimin e studentëve shqiptarë në Greqi për ligjet dhe rregulloret ekzistuese të shtetit grek që kanë të bëjnë me studentët e huaj si dhe ligjet për shkollat e larta në përgjithësi. Të gjitha këto informacione ofrohen në faqen e internetit të shoqatës, www.studenti.gr
Nuk do kishte esencë në qoftë se Shoqata Studenti nuk do kishte një nga synimet e saj kryesore mbrojtjen e identitetit kombëtar. Ruajtja e kulturës shqiptare , gjuhës shqipe, historisë dhe zakoneve tona do jetë gjithmonë qëllimi ynë. Mënyrat për ta arritur këtë do jenë te shumta, si me organizim mbrëmjesh shqiptare, organizim aktivitetesh kulturore shqiptare në ditë të rëndësishme dhe historike të kombit , promovimin e Shqipërisë dhe vlerave të saj etj.
*Për me shumë detaje rreth synimeve tona lexoni statutin e shoqatës