06/09/2026
Me dhimbje të thellë morëm lajmin e ndarjes nga jeta të prof. Mustafë Krasniqit (1966–2026), kryetar i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë, mësues i gjuhës shqipe, veprimtar i çështjes kombëtare, gazetar, poet dhe shkrimtar.
Mustafë Krasniqi ishte njeri i penës, i mendjes dhe i veprimit. Nga Shipitulla e Kastriotit e deri në sallat e shkollave shqipe në Bavari, ai i kushtoi një jetë të tërë gjuhës shqipe — si mësues, si kryethemelues dhe kryetar i parë i LAPSH-it në Bavari, si koordinator dhe më pas kryetar i KKAD-së. Ai e pa shkollën shqipe jo thjesht si institucion arsimor, por si domosdoshmëri për ruajtjen e lidhjes së brezave të rinj me gjuhën, kulturën dhe rrënjët e tyre.
Përkushtimi i tij u vlerësua edhe me mirënjohjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj, për veprimtarinë patriotike, gjuhësore-letrare dhe njerëzore, si edhe me emërtimin e Shkollës Shqipe në Rosenheim me emrin e tij
Si Organizata e Akademikëve Gjermano-Shqiptarë në Hamburg (ODA Hamburg) dhe si Aktiv i Gjuhës Shqipe, ne e vlerësuam nga afër këtë përkushtim. Puna që bëri Mustafë Krasniqi për mësimin plotësues në gjuhën shqipe është themel edhe i punës tonë të përditshme me nxënësit, prindërit dhe mësuesit shqiptarë në Gjermani.
Ndarja e tij lë pas një boshllëk të vështirë për të zëvendësuar, por edhe një trashëgimi dhe një përgjegjësi: ta vazhdojmë punën që ai nisi.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes Krasniqi, të afërmve, miqve, kolegëve, bashkëpunëtorëve, kryesisë e anëtarëve të KKAD-së dhe mbarë komunitetit të mësuesve shqiptarë në diasporë.
Sepse puna që nisi Mustafa nuk përfundon me të. Ajo vazhdon te ne per të!
I përjetshëm qoftë kujtimi i Mustafës! U prehtë në paqe!
Me respekt dhe dhimbje të thellë.
Muhamet Idrizi — Kryetar, ODA Hamburg
në emër të ODA Hamburg dhe Aktivi të Gjuhës Shqipe
Hamburg, 6 shtator 2026 (Foto: QBD)