09/07/2026
Shoqata e Shkrimtarëve “FENIKS” prezantoi krijimtarinë e autorëve të saj në Panairin e Librit në Preshevë
Gjatë Panairit të Librit, të mbajtur më 08 dhe 09 korrik në Preshevë, Shoqata e Shkrimtarëve “FENIKS” prezantoi me krenari botimet dhe krijimtarinë e autorëve të saj, duke dëshmuar edhe një herë përkushtimin në promovimin e librit, gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Një falënderim i veçantë për nderin që i bënë tendës së Shoqatës sonë me vizitën e tyre:
* Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij, z. Bajram Begaj;
* Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Beograd, Shkëlqesia e Tij, z. Bardhyl Cana;
* Ambasadori i Republikës së Kosovës në Beograd, Shkëlqesia e Tij, z. Jetish Jashari;
* Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, znj. Saranda Bogujevci;
* Kryetarja e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani;
* Drejtoresha e Bibliotekës “Mehmet Jusufi” në Preshevë, znj. Albina Idrizi.
Prania e tyre ishte një vlerësim i çmuar për punën dhe misionin e Shoqatës sonë në shërbim të letërsisë dhe kulturës shqiptare.
Në kuadër të aktiviteteve të panairit pata kënaqësinë të jem panelist në temën “Gjuha e veprës së Naim Frashërit dhe gjuha standarde”, me ligjërues akademik Valter Memisha nga Shqipëria, një diskutim me vlera të veçanta shkencore e kulturore për gjuhën dhe trashëgiminë tonë kombëtare.
Po ashtu, si kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve “FENIKS”, pata nderin dhe kënaqësinë t’ia dhuroj ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, znj. Saranda Bogujevci, librin tim “Asgjë s’është si më parë”, si një kujtim simbolik i këtij takimi të veçantë.
Falënderojmë organizatorët e Panairit të Librit në Preshevë, të gjithë vizitorët, dashamirët e librit dhe miqtë që na vizituan e na mbështetën. Një falënderim i veçantë shkon edhe për mirënjohjet dhe vlerësimin e ndarë për Shoqatën e Shkrimtarëve “FENIKS”, si një dëshmi e çmuar e kontributit tonë në promovimin e letërsisë, kulturës dhe vlerave kombëtare. Ky vlerësim na motivon të vazhdojmë me përkushtim misionin tonë në shërbim të librit dhe krijimtarisë shqiptare.
Besojmë se libri mbetet ura më e fortë që lidh njerëzit, ruan identitetin tonë dhe ndërton të ardhmen kulturore të kombit.
Prof.Avni Shaqiri - Kryetar i Sh.Sh. ”Feniks” - Preshevë,Bujanoc dhe Medvegjë