06/10/2026
XHAMIA DITURIA - GJENEVË URON KRYETARIN E KMSHZ-SË PËR DETYRËN E RE
Kryetari i Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër, Fehim ef. Abazi, imam në Qendrën Shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Religjion në Lozanë, i shoqëruar nga kryesia e kësaj Qendre, mirëpriti në zyrat e saj kryesinë e Xhamisë Dituria në Gjenevë, të udhëhequr nga imami i nderuar, mr. Rijad ef. Aliu, dhe kryetari z. Abdylkadir Bekteshi.
Qëllimi i vizitës ishte për ta uruar Kryetarin Abazi për detyrën e re në krye të Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër. Me këtë rast, z. Abazi falënderoi për vizitën, urimet dhe gatishmërinë e shprehur për bashkëpunim, duke theksuar rëndësinë e një bashkëpunimi edhe më të ngushtë dhe më të thelluar në të ardhmen.
Nga ana tjetër, kryesia e Xhamisë Dituria shprehu gatishmërinë e plotë për të kontribuar dhe bashkëpunuar me Komunitetin Musliman Shqiptar në Zvicër në të gjitha fushat e mundshme, duke ofruar, sipas nevojës dhe mundësive, edhe mbështetje financiare.
Me këtë rast, për nder të kryesisë së Xhamisë Dituria, u shtrua edhe një darkë e veçantë, si shenjë respekti dhe mirënjohjeje për mbështetjen dhe kontributin e tyre të veçantë ndaj Qendrës Shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Religjion në Lozanë.
Kryetari Abazi shprehu mirënjohje të veçantë për prezencën, mbështetjen dhe gatishmërinë e tyre për bashkëpunim, si dhe për kontributin e imamit mr. Rijad ef. Aliu, i cili njëkohësisht është edhe anëtar i Kryesisë së Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër.
Një takim i përbashkët me mesazhe të qarta për unitet, bashkëpunim dhe forcim të mëtejshëm të jetës fetare dhe komunitare shqiptare në Zvicër.
Lozanë, më 02 tetor 2026